Ç’lloj trupi ka Perëndia?

«Perëndia është Frymë.»Gjoni 4:24.

ÇFARË THOTË BIBLA:

Bibla tregon se Perëndia është person frymor. (2 Korintasve 3:17) Si i tillë, ai qëndron ku e ku më lart se ne dhe është i pakapshëm nga shqisat tona. Te 1 Timoteut 1:17 lexojmë se ai është ‘Mbreti i përjetësisë, i paprishshëm e i padukshëm’. Gjithashtu, Bibla thotë: «Askush nuk e ka parë Perëndinë kurrë.»1 Gjonit 4:12.

Krijuesi qëndron aq më lart se ne, sa as nuk arrijmë ta përfytyrojmë ç’pamje ka. Tek Isaia 40:18 thuhet: «Me kë mund ta përngjasoni Perëndinë dhe ç’gjë të ngjashme mund t’i vini përbri?» Edhe qiejt mahnitës duken të papërfillshëm në krahasim me të Plotfuqishmin.Isaia 40:22, 26.

Megjithatë, ekzistojnë disa krijesa me aftësi për të arsyetuar që mund ta shohin Perëndinë e madje të flasin me të ballë për ballë. Si është e mundur kjo? Sepse edhe ato janë krijesa frymore dhe jetojnë në qiell, në botën frymore. (1 Mbretërve 22:21; Hebrenjve 1:7) Jezu Krishti tha për këto krijesa mbinjerëzore, që quhen edhe engjëj: «[Ata] shohin gjithnjë fytyrën e Atit tim që është në qiell.»Mateu 18:10.

 A është i kudondodhur Perëndia?

«Ju lutuni në këtë mënyrë: ‘Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.’»Mateu 6:9.

ÇFARË THOTË BIBLA:

Bibla nuk mëson se Perëndia është i kudondodhur, pra nuk ndodhet kudo në çdo çast, si një forcë abstrakte. Përkundrazi, siç tregojnë fjalët e Jezuit te Mateu 6:9 dhe 18:10, Perëndia është një person—një «Atë»—dhe banon në qiell, në ‘vendbanimin e tij të qëndrueshëm’.1 Mbretërve 8:43.

Nga fundi i jetës së tij, Jezui tha: «Po e lë botën dhe po shkoj tek Ati.» (Gjoni 16:28) Pasi vdiq si njeri dhe u ringjall si krijesë frymore, Krishti u ngjit «në vetë qiellin, që të paraqitet . . . përpara personit të Perëndisë».Hebrenjve 9:24.

Këto fakte rreth Perëndisë kanë rëndësi. Përse? Në radhë të parë, përderisa Perëndia është person, mund ta njohim dhe t’i afrohemi. (Jakovi 4:8) Veç kësaj, e vërteta për Perëndinë na mbron nga adhurimi i rremë, si adhurimi i objekteve dhe ikonave të pajeta. «Fëmijë të vegjël, ruhuni nga idhujt»,—thuhet te 1 Gjonit 5:21.

Në ç’kuptim njerëzit u bënë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë?

«Perëndia e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, po, e krijoi sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Ai i krijoi ata mashkull dhe femër.»Zanafilla 1:27.

ÇFARË THOTË BIBLA:

Si njerëz, kemi potencialin të pasqyrojmë veçoritë e personalitetit të Perëndisë, si dashurinë, drejtësinë dhe mençurinë e tij. Bibla thotë: «Bëhuni, pra, imitues të Perëndisë, si bij të dashur dhe vazhdoni të ecni në dashuri.»Efesianëve 5:1, 2.

Gjithashtu, Perëndia na krijoi me vullnet të lirë. Kjo na jep mundësi të zgjedhim të drejtën e jo të gabuarën dhe ta shprehim dashurinë për të tjerët në lloj-lloj mënyrash. (1 Korintasve 13:4-7) Kemi edhe aftësinë të jemi krijues, të shijojmë të bukurën dhe të admirojmë botën e mrekullueshme përreth nesh. Mbi të gjitha, kemi një botë shpirtërore, pra një dëshirë të lindur që të njohim Krijuesin dhe vullnetin e tij për ne.Mateu 5:3.

Si mund të të ndihmojë e vërteta e Biblës: Sa më shumë mësojmë për Perëndinë dhe e imitojmë, aq më shumë jetojmë ashtu siç donte ai. Si rrjedhojë, provojmë më shumë gëzim në jetë, kënaqësi të vërtetë dhe paqe të brendshme. (Isaia 48:17, 18) Perëndia e di se cilësitë e tij tërheqëse ia ngrohin zemrën njeriut, e kështu ata me zemër të çiltër afrohen me të dhe futen në rrugën drejt jetës së përhershme.Gjoni 6:44; 17:3.