Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 INTERVISTË | BRET SHENKU

‘Jam i bindur se jeta ka ardhur nga Perëndia’

‘Jam i bindur se jeta ka ardhur nga Perëndia’

Bret Shenku është këshilltar për mjedisin në Shtetet e Bashkuara, tani në pension. Ai studioi ndërvarësinë midis bimëve, kafshëve dhe natyrës. Pse beson ai se ka një Krijues? Zgjohuni! i bëri disa pyetje për fushën e tij shkencore dhe besimin.

Cili është formimi yt?

Babai ishte inxhinier mekanik. Shpesh fliste me zjarr për matematikën dhe shkencën. Kur isha i vogël, më mahnitnin bimët dhe kafshët që rriteshin në përrenjtë dhe pellgjet afër shtëpisë në Nju-Peris, Ohajo, SHBA. Prandaj, kur shkova në Universitetin Përdu, zgjodha degën e ekologjisë.

A të interesonte feja?

Po. Babai më nxiste të studioja për fenë tonë luterane. Studiova greqishten koine (greqishtja e zakonshme), një nga gjuhët që u shkrua Bibla. Krijova respekt të thellë për Biblën.

Çfarë mendoje për teorinë e evolucionit?

Kisha ime e pranonte. Kolegët e besonin. Prandaj nuk e vura kurrë në dyshim. Por besoja edhe te Perëndia. Nëpër tym mendoja se këto dy bindje përputheshin me njëra-tjetrën. Megjithëse e respektoja Biblën, nuk mendoja se vinte nga Perëndia.

Çfarë të bëri të ndryshoje mendim për Biblën?

Në shtëpi na erdhën dy Dëshmitarë të Jehovait, Stivi dhe Sendi. Na treguan mua dhe gruas sime, Debit, se, ndonëse nuk është libër shkencor, Bibla është e saktë nga ana shkencore. Për shembull, ajo thotë për Perëndinë: «Është Dikush që banon mbi rruzullin e tokës.» (Isaia 40:22) Thotë edhe: «Ai . . . tokën e mban varur në asgjë.» (Jobi 26:7) Në atë kohë, përdorja fotografi të bëra nga sateliti në studimet për ekologjinë, prandaj këto shkrime më bënë shumë përshtypje. Ishin shkruar shumë kohë para se njeriu të fotografonte  rruzullin e tokës që qëndronte varur në asgjë. Ndërsa studionim Biblën me Stivin e Sendin, mësova profeci që ishin plotësuar, këshilla praktike dhe shpjegime që më bindnin. Pak nga pak u binda se Bibla është Fjala e Perëndisë.

Kur ndryshove mendje për origjinën e jetës?

Një ditë, Stivi më tregoi pohimin e qartë të Biblës: «Perëndia Jehova formoi njeriun nga pluhuri i tokës.» (Zanafilla 2:7) Ndryshe nga teoria e supozuar e evolucionit, origjina e njeriut të parë ishte e dokumentuar. Prandaj më lindi pyetja: «A përputhet Bibla me faktet shkencore?» Stivi më inkurajoi të bëja kërkime vetë, dhe ashtu bëra.

Çfarë mësove për evolucionin?

Shumë gjëra. Për shembull, teoria e evolucionit përpiqet të shpjegojë origjinën e llojeve. Trupi i gjallesave përbëhet nga organe që funksionojnë mirë, si zemra, mushkëritë dhe sytë. Gjithashtu, po të shkojmë në gjëra më të vogla, shohim që brenda qelizave ka «mekanizma» të projektuar në mënyrë të mrekullueshme. Nga vijnë këto projekte? Evolucionistët thonë se mekanizmat më të mirë përzgjidhen automatikisht, sepse gjallesat që i kanë, mbijetojnë më mirë. Por, prapëseprapë, kjo nuk i përgjigjet pyetjes: nga vijnë këta mekanizma? Kuptova se shumë shkencëtarë nuk besojnë se teoria e evolucionit i jep përgjigje kësaj pyetjeje. Një profesor zoologjie më tha fshehtas se nuk besonte asnjë nga teoritë e evolucionit. Por nuk i shprehte hapur pikëpamjet e tij nga frika se mos humbiste punën.

A ta forcon besimin njohuria në fushën e ekologjisë?

Sigurisht që po. Kur isha në punë, studioja se si gjallesat varen nga njëra-tjetra. Në planetin tonë çdo gjallesë varet nga diçka tjetër. Le të marrim si shembull lulet dhe bletët. Ngjyra, aroma, nektari dhe forma e luleve janë bërë të atilla që të tërheqin bletët dhe t’i pudrosin me polen. Bletët thithin nektarin dhe e çojnë polenin e luleve te bimë të tjera për pllenim. Duket qartë, lulet dhe bletët janë projektuar për t’i plotësuar nevojat njëra-tjetrës.

‘Vetia përtëritëse e gjithë sistemit të jetës në tokë, më bind se jeta ka ardhur nga Perëndia’

Në një ekosistem, shohim ndërvarësi në një shkallë të madhe. Një ekosistem është një mjedis që mund të ketë mijëra lloje kafshësh, bimësh, bakteresh dhe kërpudhash, ku secili luan rolin e vet. Të gjitha kafshët varen nga bimët për ushqim e oksigjen dhe shumica e bimëve me lule varen nga kafshët. Megjithëse janë jashtë mase komplekse dhe organizmat në to janë të brishta, ekosistemet mund të mbijetojnë për mijëra vjet. Edhe pas dëmtimit nga ndotja, kur burimi i ndotjes nuk ekziston më, shumë shpejt zhvillohet përsëri një ekosistem kompleks. Kur mendoj për forcën përtëritëse të të gjithë sistemit të jetës në tokë, bindem se jeta ka ardhur nga Perëndia.

Pse u bëre Dëshmitar i Jehovait?

Më shqetësonte fakti që shoqëria njerëzore po e shkatërronte mjedisin. E dija se, ndonëse kanë veti përtëritëse, ekosistemet nuk janë të pashkatërrueshme. Mësova nga Dëshmitarët e Jehovait se, sipas Shkrimeve, Perëndia ‘do të rrënojë ata që rrënojnë tokën’. (Zbulesa 11:18) Këto ishin fjalë shumë të rëndësishme për mua. Ndërsa vazhdoja studimin e Biblës, dalëngadalë kuptova se shpresa që jep Bibla është e sigurt.

Më pëlqen të flas me të tjerët për bindjet e mia dhe kam studiuar Biblën me disa shkencëtarë. Në moshën 55-vjeçare dola në pension para kohe që të kaloj më tepër kohë duke i ndihmuar njerëzit të njohin Krijuesin e jetës dhe qëllimin e tij për planetin tonë të mrekullueshëm.