Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 NDIHMË PËR FAMILJEN | RRITJA E FËMIJËVE

Si t’i vësh rregulla adoleshentit?

Si t’i vësh rregulla adoleshentit?

VËSHTIRËSIA

Fëmija yt adoleshent thotë se je tepër strikt. Instinkti të thotë ndryshe. «Po i zbuta rregullat, do të futet në telashe»,—thua me vete.

Të takon t’i vësh rregulla të arsyeshme adoleshentit. Por, në fillim, duhet të kuptosh cilat mund të jenë arsyet pse e bezdisin rregullat. *

PSE NDODH?

Ide e gabuar: Të gjithë adoleshentët rebelohen kundër rregullave, është pjesë e pashmangshme e adoleshencës.

Fakt: Adoleshenti ka më pak të ngjarë të rebelohet kur prindërit vënë rregulla të arsyeshme dhe i diskutojnë me të.

Rebelimi mund të ketë një sërë shkaqesh, por edhe prindërit mund ta nxitin pa dashur, nëse rregullat e tyre janë të ngurta ose nuk i përshtaten më moshës së adoleshentit. Mendo për sa thuhet më poshtë:

  • Të ngurta. Kur prindërit vendosin një ligj dhe nuk lënë vend fare për diskutim, rregullat bëhen më tepër si një kafaz që i zë frymën adoleshentit, jo si një rrip sigurimi që e mbron. Për pasojë, mund të bëjë fshehurazi tamam ato gjëra që prindërit ia ndalojnë.

  • Të papërshtatshme për moshën. «Se kështu them unë!» Mbase ky sqarim i mjafton një fëmije të vogël, por adoleshenti ka nevojë për më shumë, i duhen arsye. Fundja, në të ardhmen e afërt, adoleshenti ndoshta do të jetojë më vete dhe do të marrë vendime të rëndësishme. Është shumë më mirë të mësojë të arsyetojë drejt dhe të marrë vendime të mençura tani, sa është ende nën mbikëqyrjen tënde.

Por, ç’mund të bësh nëse adoleshentin e acarojnë gjithmonë rregullat që vë?

 Ç’MUND TË BËSH?

Në fillim, mbaj parasysh se adoleshenti ka nevojë, madje, thellë-thellë do që t’i vësh kufij. Prandaj, vër rregulla dhe sigurohu që adoleshenti t’i kuptojë. «Kur adoleshentëve u vihen kufij të qartë dhe presin që prindërit t’i mbikëqyrin në një masë të arsyeshme, ka më pak gjasa të futen në telashe»,—thuhet në librin Letting Go With Love and Confidence. Krejt ndryshe, prindërit indiferentë që u japin liri me tepri adoleshentëve, lënë përshtypjen se nuk u bëhet vonë, dhe kjo përgatit terrenin për rebelim.—Parimi biblik: Proverbat 29:15.

Atëherë, si mund të tregosh ekuilibër? Lëre adoleshentin të shprehë ç’mendon për rregullat në familje. Për shembull, nëse të kërkon t’i ndryshosh orarin e kthimit në shtëpi, dëgjoje ndërsa shpjegon arsyet e tij. Kur adoleshenti e di se e ke dëgjuar gjer në fund, ka më shumë të ngjarë ta respektojë dhe t’i bindet vendimit që merr, edhe sikur të mos jetë dakord me të.—Parimi biblik: Jakovi 1:19.

Sidoqoftë, para se të marrësh vendimin, ki parasysh një gjë: ndërkohë që adoleshentët kanë prirjen të kërkojnë më shumë liri nga ç’duhet të kenë, prindërit mund të kenë prirjen t’u japin më pak liri nga ç’mund t’u japin. Ndaj, peshoje mirë kërkesën e adoleshentit. A ka treguar se është i përgjegjshëm? A mund të bësh ndonjë lëshim, nëse e lejojnë rrethanat? Ji i gatshëm të lëshosh pe kur është e përshtatshme.—Parimi biblik: Zanafilla 19:17-22.

Përveçse ta dëgjosh adoleshentin kur të tregon si ndihet, sigurohu edhe që ta dijë çfarë të shqetëson ty. Kështu, mund t’i mësosh të mendojë jo vetëm për dëshirat e veta, por edhe për ndjenjat e të tjerëve.Parimi biblik: 1 Korintasve 10:24.

Në fund, merr një vendim dhe shpjegoji pse vendose ashtu. Mbase nuk do të hidhet përpjetë nga gëzimi për atë vendim, por ka shumë mundësi të jetë i kënaqur që prindërit e dëgjojnë me vëmendje. Mos harro se adoleshenti është një i rritur në stërvitje e sipër. Po t’i vësh rregulla të arsyeshme dhe t’i diskutosh me të, do ta ndihmosh të bëhet një i rritur i përgjegjshëm.—Parimi biblik: Proverbat 22:6.

^ par. 5 Ndonëse në këtë artikull përdoret gjinia mashkullore kur flitet për adoleshentët, parimet e shqyrtuara vlejnë për të dyja gjinitë.