Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 TEMA KRYESORE

Si të jesh baba i mirë?

Si të jesh baba i mirë?

«Ku gabova xhanëm?!» Kjo pyetje e torturonte Majkëllin, * nga Afrika e Jugut. Ishte munduar me mish e me shpirt të ishte baba i mirë, por sa herë që mendonte për të birin rebel 19-vjeçar, vriste mendjen nëse mund të kishte qenë prind më i mirë.

Ndryshe nga ai, Teri, i cili jeton në Spanjë, duket se ka pasur sukses si baba. I biri, Andrea, thotë: «Në shumë nga kujtimet e para të fëmijërisë kam para syve babin tek më lexonte, luante me mua dhe më merrte në udhëtime që të rrinim bashkë. Edhe mësimin ma bënte argëtues.»

Kuptohet, nuk është kollaj të jesh baba i mirë. Por ka disa parime themelore që mund të të ndihmojnë. Shumë baballarë kanë provuar se, kur ecin sipas mençurisë që gjendet në Fjalën e Perëndisë, ata dhe familjet e tyre nxjerrin dobi. Le të shohim disa nga këshillat e saj praktike që mund t’i ndihmojnë baballarët.

 1. Gjej kohë për familjen

Si baba, si ua tregon fëmijëve se janë të rëndësishëm për ty? Natyrisht, ti bën shumë për fëmijët, dhe këtu përfshihen sakrificat për t’u siguruar ushqim e një shtëpi të mirë. Nuk do t’i bëje këto nëse fëmijët nuk do të ishin të rëndësishëm për ty. Prapëseprapë, po nuk kalove mjaft kohë me ta, fëmijët mund të nxjerrin përfundimin se të interesojnë më tepër gjërat e tjera, si puna, shokët ose ndonjë hobi.

Kur duhet të fillojë të kalojë kohë babai me fëmijët? Mamaja nis të krijojë një lidhje me fëmijën kur ai është ende në bark. Rreth 16 javë pasi ngjizet, foshnja e palindur mund të fillojë të dëgjojë. Në këtë pikë, edhe babai mund të fillojë të ndërtojë marrëdhënien e tij unike me fëmijën e palindur. Mund t’i dëgjojë rrahjet e zemrës, ta ndiejë kur gjuan me shkelma, t’i flasë dhe t’i këndojë.

Parimi biblik: Në kohët biblike, edhe burrat merreshin me edukimin e fëmijëve. Baballarët inkurajoheshin të kalonin kohë rregullisht me fëmijët, siç duket qartë nga ajo që thotë Bibla te Ligji i përtërirë 6:6, 7: «Rrënjosi në zemër këto fjalë që po të urdhëroj sot. Ngulitua ato bijve të tu dhe fol për to kur rri ulur në shtëpi, kur ecën rrugës, kur shtrihesh dhe kur ngrihesh.»

2. Baballarët e mirë janë dëgjues të mirë

Dëgjo me qetësi pa qenë kritikues

Që të komunikosh mirë me fëmijët, duhet të jesh dëgjues i vëmendshëm. Duhet të mësosh të dëgjosh pa reaguar në mënyrë të tepruar.

Nëse fëmijët mendojnë se do të marrësh flakë shpejt dhe do të jesh kritikues, nuk do t’u vijë të hapen me ty për ndjenjat e tyre të thella. Por, kur i dëgjon me qetësi, tregon se interesohesh sinqerisht për ta. Atëherë ka shumë më tepër të ngjarë të të shprehin mendimet dhe ndjenjat e tyre të çmuara.

Parimi biblik: Përvoja ka treguar se mençuria praktike që gjendet në Bibël është e dobishme në shumë aspekte të jetës së përditshme. Për shembull, Bibla thotë: «Çdo njeri duhet të jetë i shpejtë në të dëgjuar, të mos nxitohet në të folur e të mos zemërohet shpejt.» (Jakovi 1:19) Baballarët që e zbatojnë këtë parim biblik arrijnë të komunikojnë më mirë me fëmijët.

 3. Disiplino me dashuri dhe lavdëro

Edhe kur je i mërzitur ose me nerva, disiplina duhet të jetë një shprehje e merakut të dashur për të mirën e përhershme të fëmijës. Ajo përfshin të këshillosh, të ndreqësh, të edukosh dhe, kur është nevoja, të ndëshkosh.

Veç kësaj, disiplina është shumë më e frytshme kur babai e ka zakon t’i lavdërojë fëmijët. Një proverb i lashtë thotë: «Një fjalë e thënë në kohën e duhur është si mollët e arta në gdhendje argjendi.» (Proverbat 25:11) Lavdërimet ia pasurojnë karakterin fëmijës. Kur u tregon vëmendje dhe i vlerëson, fëmijët lulëzojnë. Një baba që kërkon raste për t’i lavdëruar fëmijët e tij, i ndihmon të fitojnë besim te vetja dhe i motivon të mos heqin dorë nga përpjekjet për të vepruar drejt.

Parimi biblik: «Ju, etër, mos i pezmatoni fëmijët tuaj, që të mos i lëshojë zemra.»Kolosianëve 3:21.

4. Duaje dhe respektoje gruan

Mënyra si e përmbush babai rolin si bashkëshort do të ndikojë se s’bën te fëmijët. Një grup specialistësh në fushën e zhvillimit të fëmijëve shpjegon: «Një nga gjërat më të mira që mund të bëjë babai për fëmijët është të respektojë nënën e tyre. . . . Kur babai dhe mamaja e respektojnë njëri-tjetrin dhe e shprehin këtë para fëmijëve, u krijojnë një ambient të sigurt.»The Importance of Fathers in the Healthy Development of Children. *

Parimi biblik: «Burra, vazhdoni t’i doni gratë tuaja. . . . Secili nga ju ta dojë gruan si veten.»Efesianëve 5:25, 33.

 5. Zbato mençurinë praktike të Perëndisë

Baballarët që e duan me gjithë shpirt Perëndinë mund t’u japin fëmijëve një trashëgimi të çmuar—një marrëdhënie të ngushtë me Atin qiellor.

Pas dekadash pune të palodhur për të rritur gjashtë fëmijë, Antonioja, një Dëshmitar i Jehovait, mori këtë letër nga një prej vajzave të tij: «I dashur babi, thjesht dua të të falënderoj se më rrite në atë mënyrë që të dua Perëndinë Jehova, të tjerët dhe veten, domethënë të bëhesha njeri i formuar. Më tregove qartë se e do Jehovain dhe se merakosesh për mua. Faleminderit babi që e vure Jehovain të parin në jetë dhe që i trajtove fëmijët e tu si dhurata nga Perëndia!»

Parimi biblik: «Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë forcën tënde. Rrënjosi në zemër këto fjalë që po të urdhëroj sot.»Ligji i përtërirë 6:5, 6.

Nuk diskutohet se roli i babait përfshin më shumë se këto pesë pika, dhe se për të qenë realistë, edhe kur bën çmos të jesh baba i mirë, nuk do të jesh baba i përsosur. Por, nëse përpiqesh fort t’i zbatosh këto parime me dashuri dhe ekuilibër, patjetër që mund të jesh baba i mirë. *

^ par. 3 Në këtë artikull, disa emra janë ndryshuar.

^ par. 19 Edhe nëse babai nuk është më i martuar me nënën e fëmijëve të tij, është në të mirë të marrëdhënies së fëmijëve me nënën e tyre që ta trajtojë me respekt e dinjitet.

^ par. 25 Për më shumë këshilla rreth jetës familjare, shih librin Sekreti i lumturisë familjare, në sitin www.jw.org/sq.