Platoni (rr. 427-347 p.e.s.) ishte një filozof grek pagan. Lindi në Athinë në një familje aristokrate dhe mori arsimimin që merrnin zakonisht të rinjtë e kamur grekë. Tek ai ndikoi shumë filozofi i shquar Sokrat, si edhe pasuesit e filozofit dhe matematikanit Pitagora.

PASI përshkoi pellgun e Mesdheut dhe u mor me politikë në Sirakuzë, një qytet grek në Sicili, Platoni u kthye në Athinë. Atje themeloi Akademinë, që quhet shpesh universiteti i parë i Evropës. Ajo u bë vatër kërkimesh në matematikë dhe në filozofi.

PSE DUHET TË TË INTERESOJË?

Mësimet e Platonit kanë ndikuar shumë te bindjet fetare të miliona njerëzve, përfshirë edhe ata që e quajnë veten të krishterë. Shumë prej tyre mendojnë gabimisht se këto bindje janë të bazuara në Bibël. Mësimi më i famshëm i Platonit është koncepti se njerëzit kanë një shpirt të pavdekshëm që mbijeton pas vdekjes së trupit.

«Pavdekësia e shpirtit është një nga temat e preferuara të Platonit.»Body and Soul in Ancient Philosophy

Platoni ishte shumë kureshtar për jetën pas vdekjes. Libri Body and Soul in Ancient Philosophy thotë se «pavdekësia e shpirtit është një nga temat e preferuara të Platonit». Ai kishte bindjen e patundur se «shpirti i mbijeton mishërimit të tanishëm, që të shpërblehet ose të ndëshkohet siç i takon» në jetën e përtejme, duke u bazuar te jeta që kishte bërë njeriu kur ishte në tokë. *

 SI U PËRHAPËN MËSIMET E PLATONIT?

Akademia e Platonit pati goxha ndikim gjatë nëntë shekujve që mbajti dyert hapur, nga viti 387 p.e.s. deri në vitin 529 të e.s. Idetë e Platonit morën dhenë në vendet ku sundonte Greqia dhe Roma. Filoja i Aleksandrisë, një filozof jude, përqafoi platonizmin, sikurse shumë krerë fetarë të të ashtuquajturit krishterim. Për pasojë, në mësimet e judaizmit dhe të krishterimit depërtuan idetë filozofike pagane, mes të cilave edhe pavdekësia e shpirtit.

Një fjalor biblik thotë: «Të paktën deri në njëfarë mase, gjithë teologjia e krishterë varet nga filozofia greke bashkëkohore, kryesisht nga platonizmi. Por, disa mendimtarëve të krishterë . . . u shkon për shtat titulli platonistë të krishterë.» (The Anchor Bible Dictionary) Krahasoni ç’thonë disa burime.

Çfarë thoshte Platoni: «[Kur vdesim,] thelbi i vetes sonë, ajo që e quajmë shpirti i pavdekshëm, shkon të paraqitet para perëndive të tjera, ku . . . do të japë llogari—një perspektivë që të mirët duhet ta presin me kurajë, kurse të ligjtë me llahtar të madh.»Plato—Laws, Book XII.

Çfarë thotë Bibla: Shpirti është vetë njeriu ose jeta e tij. Edhe kafshët janë shpirtra. Kur vdesim, shpirti nuk ekziston më. * Shiko shkrimet e mëposhtme:

  • «Njeriu i parë, Adami, u bë një shpirt i gjallë.»1 Korintasve 15:45.

  • «Perëndia vazhdoi të thoshte: ‘Le të dalin nga toka shpirtra të gjallë, sipas llojeve të tyre: kafshë të buta, kafshë të tjera që lëvizin dhe kafshët e egra të tokës.’»Zanafilla 1:24.

  • «Vdektë shpirti im!»Numrat 23:10.

  • «Ai shpirt që mëkaton, do të vdesë.»Ezekieli 18:4.

Shihet qartë se Bibla nuk mëson që shpirti mbijeton pas vdekjes së trupit. Ndaj, pyet veten: «A bazohen bindjet e mia te Bibla apo te filozofia e Platonit?»

^ par. 7 Edhe pse Platoni e përhapi konceptin e shpirtit të pavdekshëm, nuk ishte i pari që e përqafoi. Ky koncept, që merrte gjithfarë formash, ishte prej kohësh pjesë e feve pagane, përfshirë ato të Egjiptit dhe të Babilonisë.

^ par. 12 Bibla mëson se të vdekurit janë, si të thuash, në gjumë, në pritje të ringjalljes. (Eklisiastiu 9:5; Gjoni 11:11-14; Veprat 24:15) Në dallim me këtë, të ashtuquajturit shpirtra të pavdekshëm nuk mund të vdesin dhe nuk do të kishin nevojë për ringjallje.