BAKAT—të njohur edhe si pigmenjtë—duhet të kenë qenë banorët e parë të Kamerunit. Pastaj, në shekullin e 16-të, mbërritën portugezët. Shekuj më vonë, fulanët—një popullsi islame—zaptuan viset veriore të Kamerunit. Sot, 40 për qind e banorëve të Kamerunit thonë se janë të krishterë, 20 për qind janë myslimanë dhe 40 përqindëshi tjetër praktikon fe tradicionale afrikane.

Dëshmitarët e Jehovait kanë botuar literaturë biblike në gjuhën basa, një gjuhë që flitet në Kamerun

Banorët e fshatrave të Kamerunit shquhen për mikpritje. Ata i përshëndetin vizitorët, i mikpresin në shtëpi dhe u vënë para ushqim e ujë. Të refuzosh mikpritjen e të zotit të shtëpisë konsiderohet fyerje, ndërsa ta pranosh ftesën është kompliment.

Biseda nis duke përshëndetur pjesëtarët e familjes dhe duke i pyetur si po ia çojnë. Madje, është zakon të pyesësh edhe si i kanë kafshët. «Kur miku ngrihet të ikë, nuk mjafton t’i thuash një ‘mirupafshim’,—shpjegon Jozefi, një vendës.—Shpesh i zoti  i shtëpisë e përcjell një copë udhë dhe vazhdon bisedën me të. Pastaj, në njëfarë pike, e përshëndet dhe kthehet në shtëpi. Nëse nuk e trajtojnë kështu, mysafiri mund të ndihet sikur s’e begenisën.»

Kanoet janë pjesë e peizazhit të lumit Sanaga. Velat i bëjnë me çfarëdo materiali që gjejnë

Kur një grup miqsh mblidhen për një vakt, ndodh të hanë nga e njëjta pjatë—nganjëherë me dorë. Në Kamerun, kjo traditë është simbol i fuqishëm uniteti. Në fakt, përdoret hera-herës për të afruar njerëz mes të cilëve miqësia është ftohur, për një arsye a një tjetër. Një vakt së bashku është sikur thua: «Tani jemi në paqe.»

Dëshmitarët e Jehovait, botuesit e kësaj reviste, janë organizuar në më shumë se 300 kongregacione në Kamerun dhe drejtojnë afro 65.000 studime biblike në këtë vend