Gjiri i Meksikës

Pas një incidenti në prill 2010 në një platformë nafte, një lumë nafte dhe gazi vërshoi në det për afro tre muaj. Një studim nga një ekip kërkuesish zbuloi se dy muaj e gjysmë më pas, disa lëndë ndotëse ishin zhdukur. Sipas përfundimit që nxorën kërkuesit, i kishin përlarë bakteret që u pëlqen metani. Gjithsesi, disa specialistë janë skeptikë. Ata mendojnë se një pjesë e madhe e naftës ka përfunduar në shtratin e oqeanit.

Rusi

Sipas një sondazhi, 59 për qind e rusëve të moshës 18-35 vjeç besojnë se «për të korrur sukses në jetë, nganjëherë duhet të shkosh kundër parimeve dhe normave të tua morale», siç shkruhet në Rossiiskaya Gazeta.

Peru

Disa nga koçanët më të vjetër të misrit që janë gjetur (si ky sipër) tregojnë se banorët e Perusë Veriore bënin kokoshka dhe miell misri që para 3.000 vjetësh.

Itali

Luço Soravito de Françeski, peshkopi katolik i Adria-Rovigos, mendon se mënyra më e mirë për të përcjellë një mesazh fetar duhet të jetë «takimi i drejtpërdrejtë me njerëzit», atje ku jetojnë. «Kujdesi ynë baritor duhet të kalojë nga rënia e kambanave të kishave te rënia e zileve të dyerve»,—thotë ai.

Afrika e Jugut

Në tregun e zi, çmimi i bririt të rinoqerontit për përdorime mjekësore ka shkuar jo pak, por 65.000 dollarë për kilogram. Më 2011, vetëm në Afrikën e Jugut u raportua se gjuetarët e paligjshëm vranë 448 rinoqerontë. Në muze dhe në salla ankandi të Evropës kanë hyrë me forcë banda që kërkonin brirë rinoqeronti. Madje edhe në kopshtet zoologjike të Evropës, rinoqerontët janë në rrezik.