Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 TEMA KRYESORE

Si të rritësh fëmijë mirëdashës në një botë egoiste

Si të rritësh fëmijë mirëdashës në një botë egoiste

ÇDO ditë njerëzit kanë mundësi pa fund t’u bëjnë mirë të tjerëve. Por, me sa duket, shumë mendojnë vetëm për vete. Dëshmi të kësaj i sheh thuajse kudo—që nga mashtrimi i të tjerëve pa pikë turpi deri te ngarja e makinës gjithë agresivitet, që nga fjalori i ndyrë deri te ndezja e gjakrave.

Mentaliteti egoist ekziston edhe në shumë familje. Për shembull, disa bashkëshortë divorcohen thjesht ngaqë njëri prej tyre mendon se «meriton më tepër». Madje edhe disa prindër padashur mund të mbjellin farat e një qëndrimi egoist. Si? Duke i plotësuar fëmijës çdo tekë, ndërkohë që ngurrojnë ta disiplinojnë në ndonjë mënyrë.

Krejt ndryshe, shumë prindër po i mësojnë fëmijët t’i vënë të tjerët para vetes, dhe nga kjo kanë parë shumë të mira. Fëmijët që merakosen për të tjerët ka më shumë të ngjarë të zënë miq dhe të kenë marrëdhënie të qëndrueshme. Gjithashtu, ka më shumë mundësi të jenë të kënaqur. Pse? Sepse, siç thotë Bibla, «ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh».Veprat 20:35.

Nëse je prind, si mund t’i ndihmosh fëmijët të korrin dobitë që vijnë kur janë mirëdashës dhe të mos infektohen nga qëndrimi i njerëzve përreth të fiksuar te vetja? Lexo për tri gracka që mund të ushqejnë frymën egoiste te fëmijët e tu dhe shih si mund t’i shmangësh.

 1 Lavdërime të tepruara

Problemi. Studiuesit kanë vërejtur një prirje shqetësuese: kur hyjnë në punë, shumë të rinj janë të bindur se u takojnë disa privilegje—me qëndrimin e tyre tregojnë se presin suksese, edhe pse kanë bërë fare pak ose aspak për t’i merituar. Disa pandehin se do të ngrihen në përgjegjësi shpejt, ndonëse nuk e zotërojnë profesionin. Të tjerë janë të bindur se janë të veçantë dhe meritojnë t’i trajtojnë si të tillë—pastaj, kur kuptojnë se bota nuk mendon si ata, dëshpërohen dhe varin buzët.

Pse ndodh. Nganjëherë, pretendimi se i takojnë disa privilegje mund t’i ketë rrënjët te mënyra si është rritur dikush. Për shembull, disa prindër janë ndikuar së tepërmi nga lëvizja për vetëvlerësimin që mori hov dekadat e fundit. Parimet e saj dukeshin logjike: nëse pak lavdërime u bëjnë mirë fëmijëve, shumë lavdërime u bëjnë edhe më mirë. Nga ana tjetër, ekzistonte mentaliteti se çfarëdo mosmiratimi a ndëshkimi vetëm sa e shkurajon fëmijën. E në një botë që kishte misionin të rriste vlerësimin për veten, ky konsiderohej shembulli tipik i rritjes së papërgjegjshme të fëmijëve. Prindërve u thuhej se nuk duhej t’i bënin kurrë fëmijët të ndiheshin keq për veten.

Kështu, shumë nëna e baballarë filluan t’i mbulonin fëmijët me lavdërime, edhe kur s’bënin ndonjë gjë kushedi për t’u lavdëruar. Çdo arritje, sado e vockël, festohej; çdo gabim, sado i madh, anashkalohej. Ata prindër besonin se sekreti për t’u rritur fëmijëve vetëvlerësimin ishte të mbyllnin një sy para problemeve e t’i lëvdonin për çdo gjë tjetër. Ishte më e rëndësishme të bëje që fëmijët të ndiheshin të kënaqur me veten sesa t’u mësoje të arrinin gjëra të cilat mund t’i kënaqnin vërtet.

Çfarë thotë Bibla. Bibla e pranon se lavdërimet janë të përshtatshme kur janë të merituara. (Mateu 25:19-21) Por, t’i lavdërosh fëmijët thjesht që t’i bësh të ndihen mirë, mund t’u krijojë një pikëpamje të shtrembëruar për veten. Sa me vend janë fjalët e Biblës: «Nëse dikush mendon se është diçka, kur s’është asgjë, mashtron veten.» (Galatasve 6:3) Me të drejtë, Fjala e Perëndisë thotë: «Mos i lër fëmijët pa disiplinuar. Po të tregohesh i vendosur, nuk do t’i vrasësh.» *Proverbat 23:13, Contemporary English Version.

Çfarë mund të bësh. Vëre si synim të japësh disiplinë kur është e nevojshme dhe lavdërime kur janë vërtet të merituara. Mos i lëvdo fëmijët vetëm që të ndihen të kënaqur me veten. Ka shumë të ngjarë që kjo nuk do të bëjë punë. Në librin Generation Me thuhet: «Besimi i vërtetë te vetja vjen kur zhvillon talentet dhe mëson gjëra të reja, jo kur të thonë sa fantastik je thjesht ngaqë po merr frymë.»

«Mos e mendoni veten më të lartë se sa jeni. Përkundrazi, jini modestë.»Romakëve 12:3, Good News Translation

 2 Mbrojtje e tepruar

Problemi. Duket se kur hyjnë në punë, shumë të rinj s’janë të përgatitur t’u bëjnë ballë vështirësive. Disa ndihen përtokë edhe nga kritika më e vogël. Të tjerë kanë naze dhe nuk e pranojnë një punë nëse s’u kënaq ambiciet e mëdha. Për shembull, në librin Escaping the Endless Adolescence, dr. Xhozef Aleni tregon për një të ri që gjatë një interviste pune i tha: «Kam përshtypjen se nganjëherë disa aspekte të punës mund të jenë pak të mërzitshme, dhe unë nuk dua të mërzitem.» Dr. Aleni shkruan: «Me sa duket, nuk e kuptonte se të gjitha punët kanë elemente të mërzitshme. Si vallë kishte arritur në moshën 23 vjeç pa e ditur këtë?»

Pse ndodh. Dekadat e fundit, shumë prindër janë ndier të nxitur t’i mbrojnë fëmijët nga çfarëdolloj vështirësie. Vajza ngel në provim? Ti ndërhyn dhe kërkon që mësuesi t’i ngrejë notën. Djalit i vë gjobë polici? E paguan ti gjobën në vend të tij. Prishet një lidhje romantike? Ti ia hedh gjithë fajin personit tjetër.

Paçka se është e natyrshme të duash t’i mbrosh fëmijët, mbrojtja e tepruar mund të japë mesazhin e gabuar—sikur s’ka nevojë të jenë përgjegjës për veprimet e tyre. Në librin Positive Discipline for Teenagers thuhet: «Në vend që të mësojnë se mund t’u mbijetojnë dhembjeve e zhgënjimeve, e madje të nxjerrin mësim prej tyre, [këta] fëmijë bëhen tejet të përqendruar te vetja, të bindur se bota dhe prindërit u kanë borxh diçka.»

Çfarë thotë Bibla. Vështirësitë janë pjesë e jetës. Në fakt, Bibla thotë: «Të gjithëve u rastis të kalojnë kohë të vështira.» (Eklisiastiu 9:11) Kjo përfshin edhe njerëzit e mirë. Për shembull, apostullit të krishterë Pavël i ranë gjithfarë hallesh gjatë shërbimit. Megjithatë, përballimi i vështirësive i solli dobi. Ai shkroi: «Kam mësuar që në çfarëdo rrethane, të kënaqem me aq sa kam. . . . Kam mësuar të jem i ngopur, të jem i uritur, të kem me bollëk dhe të jem në nevojë.»Filipianëve 4:11, 12.

Çfarë mund të bësh. Duke mbajtur parasysh nivelin e pjekurisë së fëmijëve, mundohu të ndjekësh parimin biblik: «Secili do të mbajë ngarkesën e vet.» (Galatasve 6:5) Nëse djalit i vënë gjobë, ndoshta më e mira është ta lësh ta paguajë nga kursimet ose nga rroga e vet. Nëse vajza ngel në provim, mbase kjo duhet t’i shërbejë si zile alarmi, e kështu herën tjetër do të përgatitet më mirë. Nëse djali ka pasur një lidhje romantike që është prishur, ngushëlloje; por, në momentin e duhur, ndihmoje të reflektojë për pyetje si: «Kur hedh vështrimin pas, a zbulon kjo përvojë ndonjë pikë ku duhet të rritem?» Fëmijët që përballen me problemet fitojnë qëndrueshmëri dhe besim te vetja, e ky bagazh mund t’u mungojë nëse vazhdimisht u shkon në ndihmë dikush.

«Secili të tregojë me prova se si është vepra e vet, dhe atëherë do të ketë shkak të ngazëllohet.»Galatasve 6:4

 3 Të mira materiale me tepri

Problemi. Në një anketë me të rinj, 81 për qind thanë se synimi më i rëndësishëm i brezit të tyre është ‘të pasurohen’—kjo renditej ku e ku më lart se të ndihmonin të tjerët. Por, të rropatesh për të vënë pasuri nuk sjell kënaqësi të vërtetë. Në fakt, studimet tregojnë se njerëzit që përqendrohen te gjërat materiale janë më pak të lumtur dhe më të dëshpëruar. Gjithashtu, hasin më shpesh probleme fizike dhe mendore.

Pse ndodh. Në disa raste, fëmijët rriten në familje materialiste. Në librin The Narcissism Epidemic shkruhet: «Prindërit duan t’i bëjnë të lumtur fëmijët, dhe fëmijët duan gjëra. Kështu, prindërit u blejnë gjëra. Fëmijët janë të lumtur, por vetëm për pak kohë. Pastaj duan edhe më shumë gjëra.»

Doemos, industria e reklamave është turrur ta shfrytëzojë këtë treg të etur konsumatorësh. Ajo nxit ide si «ti meriton më të mirën» ose «sepse ti ia vlen». Shumë të rinj e kanë përpirë këtë mesazh dhe tani janë futur në borxhe e nuk i paguajnë dot gjërat që «meritojnë».

Çfarë thotë Bibla. Bibla e pranon se paratë janë të nevojshme. (Eklisiastiu 7:12) Në të njëjtën kohë, paralajmëron se «dashuria për para është rrënja e çdo lloj gjëje të dëmshme». Më tej shton: «Duke rendur pas kësaj dashurie, disa . . . janë shpuar tejpërtej me shumë dhembje.» (1 Timoteut 6:10) Fjala e Perëndisë na inkurajon të mos rendim pas pasurive materiale, por të kënaqemi me nevojat bazë të jetës.1 Timoteut 6:7, 8.

«Ata që janë të vendosur të pasurohen, bien në tundim, në lak dhe në shumë dëshira të pamenda e të dëmshme.»1 Timoteut 6:9

Çfarë mund të bësh. Si prind, shqyrto çfarë qëndrimi ke ti ndaj parave dhe ndaj të mirave që mund të blihen me to. Jepu përparësi gjërave më të rëndësishme e ndihmoji edhe fëmijët ta bëjnë këtë. Libri The Narcissism Epidemic, i cituar më sipër, sugjeron: «Prindërit dhe fëmijët duhet të hapin biseda për tema si: ‘Kur është mirë të blesh gjëra që janë me ulje? Kur nuk është mirë?’ ‘Çfarë është një përqindje interesi?’ ‘Kur ke blerë diçka ngaqë një tjetër mendonte se duhej ta blije?’»

Ki kujdes të mos i përdorësh gjërat materiale si «ilaç» për problemet familjare që duhen zgjidhur. Në librin The Price of Privilege thuhet: «Të mundohesh t’i heqësh qafe problemet duke blerë të mira materiale, është një orvatje që koha ka provuar se është e kotë. Problemet duhen zgjidhur me arsyetim, gjykim të thellë e dhembshuri, jo me këpucë e kuletë.»

^ par. 11 Bibla nuk e mbështet abuzimin fizik ose emocional të fëmijëve. (Efesianëve 4:29, 31; 6:4) Qëllimi i disiplinës është që fëmija të mësojë, jo që prindi të shfryjë inatin.