Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 NDIHMË PËR FAMILJEN | RRITJA E FËMIJËVE

Si të komunikosh me fëmijën adoleshent

Si të komunikosh me fëmijën adoleshent

VËSHTIRËSIA

Kur ishte fëmijë, fliste për çdo gjë me ty. Tani që është adoleshent, nuk të tregon asgjë. Sa herë që përpiqesh të bisedosh, ose ta kthen shkurt, ose ndez një debat që e kthen shtëpinë në fushëbetejë.

Mund të mësosh të bisedosh me adoleshentin. Por, në fillim, shih dy faktorë që mund ta bëjnë të vështirë komunikimin. *

PSE NDODH

Kërkon pavarësi. Që të bëhet një i rritur i përgjegjshëm, adoleshenti duhet të kalojë gradualisht, në kuptimin e figurshëm, nga vendi i pasagjerit te vendi i shoferit dhe të mësojë të udhëtojë në rrugët dredha-dredha të jetës. Natyrisht, disa adoleshentë duan më shumë liri se ç’duhet; nga ana tjetër, disa prindër u japin më pak liri nga ç’kanë mundësi. Kjo ka të ngjarë të shkaktojë një dyluftim që mund t’i acarojë goxha prindërit dhe adoleshentët. Bredi * 16-vjeçar ankohet: «Prindërit përpiqen të ma kontrollojnë jetën deri në imtësitë më të vogla. Po s’më dhanë më shumë liri deri kur të mbush 18 vjeç, do të iki të jetoj për hesapin tim.»

Mendon në mënyrë abstrakte. Fëmijët zakonisht mendojnë në mënyrë konkrete, i shohin gjërat bardhë e zi, por shumë adoleshentë arrijnë të dallojnë edhe nuancat gri të një çështjeje. Ky është një aspekt i rëndësishëm i të menduarit abstrakt dhe e ndihmon të riun të zhvillojë gjykim të shëndoshë. Të marrim një shembull. Një fëmije koncepti i drejtësisë i duket i thjeshtë: «Mami e ndau biskotën më dysh, gjysmën ma dha mua e gjysmën vëllait.» Në këtë rast, drejtësia është thjesht një formulë matematike. Kurse adoleshentët e kuptojnë se ky koncept nuk është kaq i thjeshtë. Në fund të fundit, trajtimi i njëllojtë s’është gjithmonë i drejtë, dhe trajtimi i drejtë s’është gjithmonë i njëllojtë. Falë të menduarit abstrakt, adoleshenti  mund të kapë e të zgjidhë çështje të ndërlikuara. Ana negative? Kjo mund ta bëjë të kapet edhe me ty.

Ç’MUND TË BËSH

Kur është e mundur, bëj biseda spontane. Shfrytëzo momentet kur jeni të shpenguar. Për shembull, disa prindër kanë vërejtur se adoleshentët janë më të prirur të hapen teksa bëjnë ndonjë punë a teksa janë në makinë me prindin, pra kur e kanë përkrah, jo përballë.—Parimi biblik: Ligji i përtërirë 6:6, 7.

Bjeri shkurt. Nuk ka nevojë t’i shkosh gjer në fund çdo debati pa lëshuar pe. Thuaje me pak fjalë atë që ke ndër mend . . . dhe lëre me aq. Pjesën më të madhe të mesazhit tënd adoleshenti do ta «dëgjojë» më vonë, kur të jetë vetëm dhe mund t’i bluajë në mend ato që the. Jepi mundësi ta bëjë këtë.—Parimi biblik: Proverbat 1:1-4.

Dëgjo dhe ji elastik. Dëgjoje me kujdes—pa e ndërprerë—që ta kuptosh plotësisht problemin. Kur përgjigjesh, ji i arsyeshëm. Po të kapesh me ngurtësi pas rregullave, adoleshenti do të tundohet të gjejë mënyra si t’u bëjë bisht. Libri Staying Connected to Your Teenager paralajmëron: «Ky është momenti kur fëmijët fillojnë të bëjnë jetë të dyfishtë. Njëra ku thonë atë që duan të dëgjojnë prindërit, tjetra ku bëjnë siç kanë qejf kur prindërit nuk i shohin.»—Parimi biblik: Filipianëve 4:5.

Ruaj qetësinë. Një adoleshente që quhet Keri, thotë: «Kur s’jemi në një mendje, mami fyhet për çdo gjë që them. Kjo më acaron, dhe biseda kthehet shpejt në zënkë.» Në vend që të reagosh në mënyrë të ekzagjeruar, thuaj diçka që «pasqyron» ndjenjat e adoleshentit. Për shembull, në vend që të thuash «kjo s’është ndonjë gjë për t’u shqetësuar», thuaj «e shoh që kjo të ka mërzitur shumë».—Parimi biblik: Proverbat 10:19.

Sa të jetë e mundur, drejto, mos dikto. Aftësitë e adoleshentit për të menduar në mënyrë abstrakte janë si muskuj që duhen zhvilluar. Prandaj, kur të gjendet në udhëkryq, mos i bëj ti «ushtrimet» në vend të tij. Ndërkohë që e diskutoni çështjen, jepi mundësi të gjejë vetë disa zgjidhje. Pastaj, si të keni rrahur mendimet dhe të keni gjetur disa variante, mund t’i thuash: «Këto janë disa mundësi. Mendoji njëherë për nja dy ditë, e pastaj mund të bisedojmë prapë bashkë cilën zgjidhje preferon dhe pse.»—Parimi biblik: Hebrenjve 5:14.

^ par. 5 Ndonëse në këtë artikull përdoret gjinia mashkullore kur flitet për adoleshentët, parimet e shqyrtuara vlejnë për të dyja gjinitë.

^ par. 7 Në këtë artikull, disa emra janë ndryshuar.