«Babi më vdiq kur isha tre vjeç. Nganjëherë i kam zili çunat që janë rritur me baba. Duken shumë më të sigurt se unë.»​—Aleksi. *

«Lidhja ime me tim atë është sa për të thënë. M’u desh ta mësoja vetë se ç’do të thotë të jesh burrë i vërtetë.»​—Xhonatani.

A JE ndier ndonjëherë si këta të rinj? A ke frikë se mos, për një arsye a një tjetër, s’do ta mësosh kurrë ç’do të thotë të jesh burrë i vërtetë? Nëse po, mos i humb shpresat!

Shiko se si mund t’i kapërcesh dy vështirësi të zakonshme.

VËSHTIRËSIA 1: Idetë e gabuara të përhapura për burrërinë

Ç’thonë disa:

  • Burrat e vërtetë janë të fortë, nuk qajnë.
  • Burrat e vërtetë nuk lënë njeri t’u thotë çfarë duhet të bëjnë.
  • Burrat janë më të mirë se gratë.

Një këndvështrim tjetër: Të bëhesh burrë do të thotë të mos jesh çunak​—jo të mos jesh grua. Burrë i vërtetë bëhesh kur i lë pas tiparet e një kalamani. Apostulli i krishterë Pavël shkroi: «Kur isha fëmijë, flisja si fëmijë, mendoja si fëmijë dhe arsyetoja si fëmijë. Por tani që jam bërë burrë, i kam flakur tiparet e një fëmije.» (1 Korintasve 13:11) Me fjalë të tjera, sa më shumë mëson të mendosh, të flasësh  e të sillesh me pjekuri, dhe nuk mendon, flet e sillesh më si fëmijë, aq më shumë tregon se je burrë i vërtetë. *

Provo këtë: Shkruaj në një fletë përgjigjet e pyetjeve të mëposhtme:

  1. Në cilat pika kam përparuar dhe i kam hequr «tiparet e një fëmije»?
  2. Në cilat pika mund të përmirësohem?

Mund të lexosh: Luka 7:36-50. Shiko si tregoi Jezui se ishte burrë i vërtetë (1) duke mbrojtur atë që ishte e drejtë dhe (2) duke i trajtuar me respekt të tjerët​—përfshirë edhe gratë.

«E admiroj shokun tim, Kenin. Është burrë i fortë​—fizikisht, emocionalisht dhe në besim—​por edhe njeri i mirë. Shembulli i tij më ka mësuar se një burrë i vërtetë nuk i ul të tjerët vetëm që të dalë vetë si më i mirë.»​—Xhonatani.

VËSHTIRËSIA 2: Mungesa e një figure atërore pozitive

Ç’thonë disa:

  • Nëse babai nuk është pjesë e familjes, kurrë s’do ta mësosh vërtet çfarë do të thotë të jesh burrë.
  • Nëse babai ka qenë shembull i keq, do s’do, je i destinuar të përsëritësh gabimet e tij.

Një këndvështrim tjetër: Edhe nëse fëmijëria jote s’ka qenë aspak ideale, nuk je i destinuar të dështosh! S’ka pse të ta diktojnë jetën rrethanat e këqija. (2 Korintasve 10:4) E ke vetë në dorë të ndjekësh këshillën që i dha mbreti David të birit, Solomonit: «Bëhu i fortë dhe tregohu burrë.»​—1 Mbretërve 2:2.

Natyrisht, mund të jetë e vështirë të rritesh me një baba që të lë pas dore​—ose pa baba  fare. «Të mos njohësh babanë është një minus i madh në jetë,—thotë Aleksi, i cituar në fillim.—Jam 25 vjeç, por ndihem sikur vetëm tani po i mësoj gjërat që duhej t’i kisha mësuar në fillim të adoleshencës.» Nëse edhe ti ndihesh si Aleksi, ç’mund të bësh?

Provo këtë: Gjej një këshilltar​—një burrë që është shembull i mirë. * Pyete çfarë cilësish janë veçanërisht të rëndësishme te një burrë i vërtetë. Pastaj, pyete si mund t’i zhvillosh ti këto cilësi.​—Proverbat 1:5.

Mund të lexosh: Proverbat, kapitujt 1-9. Vër re këshillat atërore që mund ta ndihmojnë një djalë të bëhet burrë i mençur e me besim të fortë.

«Ndihem i kënaqur kur shoh çfarë burri po bëhem. Do të doja që im atë të kishte luajtur rol në përparimin tim, por prapëseprapë jam optimist për të ardhmen. Jam i bindur se nuk jam i destinuar të dështoj.»​—Xhonatani.

^ par. 3 Në këtë artikull, disa emra janë ndryshuar.

^ par. 24 Pleqtë e kongregacionit të krishterë mund të jenë këshilltarë të mirë.

PSE TË MOS PYESËSH PRINDËRIT?

Sipas teje, si është një burrë i vërtetë? Si po eci unë, a po tregohem i pjekur?