IMAGJINO sikur ndodhesh në një rajon ku mbizotërojnë malet, i madh pak a shumë sa Spanja. Mbetesh i habitur kur vëren se ke përreth njerëz nga dhjetëra kombe, dhe secili flet në gjuhën e vet. Madje, vende-vende, banorët e fshatrave fqinje nuk e kuptojnë njëri-tjetrin. Gjeografët e mesjetës duhet të kenë ngelur po kaq të habitur, pasi njëri prej tyre e përshkroi rajonin e Kaukazit si «mali i gjuhëve».

Ky rajon malor e ka njërën këmbë në Detin e Zi dhe tjetrën në detin Kaspik, pra gjendet në një udhëkryq kontinentesh e qytetërimesh. Ja pse ka një histori dhe kulturë të pasur. Karakteristika të popullsisë së këtyre viseve janë respekti për të moshuarit, dashuria për kërcimin dhe mikpritja e ngrohtë. Por shpesh, vizitorët i mrekullon më tepër larmia e pafund e grupeve etnike dhe e gjuhëve. Ç’është e vërteta, këtu fliten më shumë gjuhë se në çfarëdo rajoni tjetër evropian me të njëjtën shtrirje.

 Larmi mbresëlënëse

Në shekullin e pestë p.e.s., historiani grek Herodoti tha: «Të shumta e të llojllojta janë kombet që popullojnë Kaukazin.» Aty nga fillimi i shekullit të parë të e.s., një tjetër historian grek, Straboni, shkroi për 70 fiset e këtij rajoni. Çdo fis kishte gjuhën amtare dhe bënte tregti në Dioskuria, qyteti i sotëm i Sukumit, në brigjet e Detit të Zi. Disa dekada më pas, Plini Plaku, një studiues romak, shkroi se romakëve u duheshin 130 përkthyes që të bënin tregti në Dioskuria.

Edhe sot e kësaj dite, mbi 50 fise e quajnë Kaukazin atdheun e tyre. Secili ka traditat e veta, e shpesh edhe kostume, arte dhe arkitekturë karakteristike. Këtu fliten të paktën 37 gjuhë indigjene​—disa nga miliona njerëz, kurse të tjera vetëm në ca fshatra. Pjesa më e larmishme nga ana gjuhësore në këtë rajon është Republika ruse e Dagestanit, e populluar nga rreth 30 grupe etnike indigjene. Deri më sot, lidhjet gjuhësore mes gjithë këtyre gjuhëve dhe lidhja e tyre me grupet e tjera gjuhësore mbeten të mjegullta.

Dëshmitarët e Jehovait u mësojnë Biblën banorëve të Kaukazit

 A të pëlqen të shohësh si duken gjuhët e Kaukazit? Në sitin zyrtar të Dëshmitarëve të Jehovait, www.jw.org/​sq, ka botime në më se 400 gjuhë. Ndër to janë disa gjuhë që fliten në Kaukaz, në këtë rajon mahnitës që është përshkruar me të drejtë si «mali i gjuhëve».