Ky është artikulli i fundit i një serie me tetë pjesë në revistën «Zgjohuni!» që shqyrton një veçori mbresëlënëse të Biblës—profecitë e saj, ose parashikimet. Artikujt ju ndihmojnë t’u përgjigjeni këtyre pyetjeve: a erdhën thjesht nga disa njerëz të zgjuar profecitë e Biblës? A mbajnë këto parashikime vulën e qartë se janë të frymëzuara nga Perëndia? Ju ftojmë të peshoni dëshmitë.

PREJ afro dy mijë vjetësh, ata që thonë se janë të krishterë luten të vijë Mbretëria e Perëndisë. Kjo praktikë bazohet te vetë fjalët e Jezuit. Ai i mësoi dishepujt e tij të luten: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.»​—Mateu 6:10.

Çfarë është Mbretëria për të cilën luten kaq shumë veta? Është qeveria qiellore e Perëndisë, e cila do të zëvendësojë gjithë qeveritë e tjera. Jezu Krishti, si Mbreti i emëruar nga Perëndia, bën vullnetin e Atit në qiell e në tokë. (Danieli 2:44; 7:13, 14) Në kohën e caktuar, Perëndia do t’i përgjigjet kësaj lutjeje duke i dhënë fund ligësisë e vuajtjeve dhe duke i sjellë shpëtimin ‘një shumice të madhe’ të panumërt adhuruesish besnikë. (Zbulesa 7:9, 10, 13-17) Pas kësaj, «të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të».​—Psalmi 37:29.

A ka ndonjë mënyrë për të ditur çfarë kushtesh specifike mund të presim kur të sundojë Krishti? Patjetër! Kur ishte në tokë, Jezui dha prova se ka edhe dëshirën, edhe aftësinë të zgjidhë problemet e njerëzimit. Le të ndalemi te katër profeci biblike dhe të shohim se si Jezui tregoi në një shkallë të vogël ç’do të bëjë në mbarë tokën si Mbret i Mbretërisë qiellore të Perëndisë.

 Profecia 1:

«[Jehovai] i pushon luftërat deri në skaj të dheut; thyen harkun dhe e bën copë-copë heshtën; karrocat i djeg në zjarr.»​—Psalmi 46:8, 9.

Plotësimi: Jezu Krishti, ‘Princi i Paqes’ ose «paqeprurës», do të sjellë prehje e qetësi të përhershme në planetin tonë. Me anë të një programi paqësor arsimimi dhe çarmatimi global, Mbretëria e Perëndisë do ta bashkojë mbarë njerëzimin në një vëllazëri të vërtetë ndërkombëtare.​—Isaia 2:2-4; 9:6, 7, ECM; 11:9.

Çfarë tregon historia:

Jezui i mësoi ithtarët e tij të mos ngjeshnin armët, por të jetonin në paqe me njëri-tjetrin. Kur një nga dishepujt u hodh ta mbronte me armë në dorë, Jezui i tha: «Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që marrin shpatën, nga shpata do të vdesin.» (Mateu 26:51, 52) Jezui bëri të qartë se të krishterët e vërtetë do të dalloheshin nga dashuria që tregojnë për njëri-tjetrin.​—Gjoni 13:34, 35.

Profecia 2:

«Në tokë do të ketë drithë me bollëk, edhe në majat e maleve drithi do të vërshojë.»​—Psalmi 72:16.

Plotësimi: Mbretëria e Perëndisë do të çrrënjosë probleme si kequshqyerja, mungesa e ushqimit dhe uria. Do të ketë ushqim të mirë me bollëk për të gjithë.

Çfarë tregon historia:

Dhembshuria e sinqertë e Jezuit për të uriturit dukej qartë, dhe aftësia e tij për të ushqyer turma të mëdha me anë të mrekullive të mahniste. Një dëshmitar okular shkroi: «[Jezui] e urdhëroi turmën të shtrohej në bar, mori pesë bukët e dy peshqit dhe i bekoi, duke ngritur sytë nga qielli. Pastaj theu bukët, ua shpërndau dishepujve, dhe ata ia shpërndanë turmës. Kështu, të gjithë hëngrën dhe u ngopën. Pastaj mblodhën copat që kishin tepruar: dymbëdhjetë shporta plot. E megjithatë, ata që hëngrën ishin rreth pesë mijë burra, përveç grave dhe fëmijëve.»​—Mateu 14:14, 19-21.

Profecia 3:

«Asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’» (Isaia 33:24) «Do të hapen sytë e të verbërve dhe veshët e të shurdhërve. I çali do t’i ngjitë të përpjetat si një dre dhe gjuha e memecit do të lëshojë britma hareje.»​—Isaia 35:5, 6.

Plotësimi: Mbretëria e Perëndisë do të zhdukë njëherë e mirë çfarëdo sëmundjeje e  lëngate. Të verbrit do të shohin, dhe të shurdhrit do të dëgjojnë e do të flasin. Askush nuk do të ketë më nevojë për ilaçe, spitale ose mjekë.

Çfarë tregon historia:

Kur i mësoi njerëzit për Mbretërinë e Perëndisë, Jezui i shëroi me kënaqësi nga të gjitha sëmundjet e kufizimet fizike. Kështu, në një shkallë të vogël, Jezui tregoi çfarë do të bëjë anembanë tokës si Mbret i Mbretërisë qiellore të Perëndisë.​—Luka 7:22; 9:11.

Profecia 4:

Perëndia «do ta përpijë vdekjen përgjithmonë».​—Isaia 25:8.

Plotësimi: Gjatë sundimit të Krishtit si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë, «ata që janë në varre» do të kthehen në jetë në një tokë parajsore. (Gjoni 5:28, 29) Jezui do të ngadhënjejë mbi vdekjen, armikun tonë më të pamëshirshëm, e kështu do të na japë mundësi të gëzojmë jetë të përhershme.​—Psalmi 37:29.

Çfarë tregon historia:

Të paktën në tri raste, Jezui e tregoi fuqinë e tij duke kthyer në jetë të vdekur. (Luka 7:11-15; 8:41-55; Gjoni 11:38-44) Pasi vetë Jezui vdiq, rreth 500 dëshmitarë okularë mund të dëshmonin se ai ishte ringjallur.​—1 Korintasve 15:3-8.

Në këtë seri me tetë pjesë janë shqyrtuar profeci të shumta biblike që kanë dalë të vërteta. Të gjitha këto profeci, bashkë me shumë të tjera, tregojnë se Bibla nuk erdhi thjesht nga disa njerëz të zgjuar. Përkundrazi, ajo mban vulën e qartë se është e frymëzuar nga Perëndia. Nuk ka pikë dyshimi se «çdo gjë në Shkrime është Fjala e Perëndisë».​—2 Timoteut 3:16, Contemporary English Version.

Përderisa Bibla është një libër me profeci të pagabueshme, ke arsye të forta për të besuar se «edhe pak dhe i ligu nuk do të jetë më. Do ta këqyrësh me kujdes vendin e tij, por ai nuk do të jetë më. Kurse zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund».​—Psalmi 37:10, 11.