NGA mesi i shekullit të 20-të, dukej se njerëzit po e fitonin luftën kundër çimkave ose tartabiqeve. Por, në vitet 70, shumë shtete vendosën ta kufizonin përdorimin e DDT-së, një armë kryesore kundër tyre, sepse ishte helmuese dhe e dëmshme për mjedisin.

Çimkat sa vinin e bëheshin më rezistente ndaj lëndëve të tjera kimike. Veç kësaj, njerëzit zunë të udhëtonin gjithnjë e më shpesh dhe, pa e kuptuar, i merrnin me vete. Cila ishte pasoja? Në një raport të vitit 2012 për mbajtjen nën kontroll të çimkave, thuhet: «Gjatë 12 viteve të fundit, është vërejtur një rigjallërim i çimkave në SHBA, në Kanada, në Lindjen e Mesme, në disa vende të Evropës, në Australi dhe në pjesë të Afrikës.»

Kohët e fundit, në Moskë, Rusi, ankesat për çimka u dhjetëfishuan brenda një viti. Ndërkaq, në anën tjetër të globit, në Australi, përhapja e tyre që nga viti 1999 është shtuar rreth 5.000 për qind!

Disa i marrin padashur çimkat nga dyqanet, teatrot ose hotelet. Një menaxher hoteli në SHBA thotë: «S’ke ç’bën, çimka do të ketë. Ky lloj biznesi, këtë kosto ka.» Pse është kaq e vështirë të eliminohen çimkat? Si mund të mbrohesh? Nëse çimkat të pushtojnë shtëpinë, ç’hapa praktikë mund të bësh që t’i shfarosësh dhe të mos i lësh të kthehen?

Të mbijetuar të veckël

Një çimkë e rritur është vetëm gjysmë centimetri e gjatë

Çimkat s’janë më të mëdha se një farë molle dhe kanë trup petashuq, prandaj mund të fshihen thuajse kudo. Mund të strehohen te dysheku, tek orenditë, te prizat ose edhe te telefoni. Zakonisht çimkat nuk rrinë më shumë se 3-6 metra larg krevateve, kolltukëve ose karrigeve. Përse? Që të jenë afër burimit të ushqimit​—afër teje. *

Ato shpesh i pickojnë viktimat ndërsa flenë. Gjithsesi, shumica as që e ndiejnë fare pickimin, pasi tartabiqet u injektojnë një anestetik falë të cilit mund të ushqehen edhe për dhjetë minuta pa ndërprerje. E ndonëse mund të ushqehen javë për javë, është vërejtur se tartabiqet mbijetojnë pa ngrënë për muaj të tërë.

Me sa dihet, çimkat nuk përhapin sëmundje ngjitëse, ndryshe nga mushkonjat e disa insekte të tjera. Prapëseprapë, vendet ku pickojnë mund të kruhen e të ënjten, dhe shumë njerëz e përjetojnë keq këtë. Viktimat mund të vuajnë nga pagjumësia, nga ndjenja e turpit, e madje edhe nga «pickimet imagjinare» shumë kohë pasi çimkat nuk janë më. Një raport nga Sierra-Leone i quan çimkat «burim acarimi të madh e netësh pa gjumë» dhe tregon  se kush ka «çimka, mban një njollë turpi».

Mbaji larg çimkat

Kontrollo valixhet

Çimkat mund t’i bien për pjesë kujtdo. Është më kollaj t’i mbash nën kontroll nëse i dikton herët. Prandaj, mëso t’i dallosh shenjat e çimkave në shtëpi ose kur udhëton. Kontrolloji mirë orenditë, bordurat rrëzë mureve dhe bagazhet se mos kanë vezë të vockla sa një farë lulëkuqeje ose njolla gjaku. Përdor një elektrik dore që t’i pikasësh më lehtë.

Mbyll plasat dhe të çarat

Lëru sa më pak vende ku të fshihen. Mbylli plasat dhe të çarat në mure e në kornizat e dyerve. Ndonëse papastërtia nuk është shkaktare e çimkave, e ke më të lehtë t’i dallosh dhe t’i mbash nën kontroll nëse pastron rregullisht me fshesë korrenti dhe nuk i lë gjërat rrëmujë. Kur rri në një dhomë hoteli, çimkat do të kenë më pak shans të udhëtojnë me ty nëse e mban valixhen larg dyshemesë ose krevatit.

Kur çimkat të pushtojnë shtëpinë

Pastro rregullisht me fshesë korrenti

Nëse gjen tartabiqe në shtëpi a në dhomën e hotelit, mund të të zërë ankthi ose edhe të të vijë turp. Kur ishin me pushime, Dejvin dhe të shoqen i hëngrën tartabiqet. «S’dinim ku të futeshim nga turpi,—thotë Dejvi.—Ç’do t’u thoshim miqve dhe familjarëve kur të ktheheshim në shtëpi? Sikur ata të kishin kruarje ose ndonjë acarim lëkure, a do të mendonin se shkaku ishte vizita në shtëpinë tonë?» Edhe pse këto reagime janë normale, mos lejo që sikleti të të pengojë të kërkosh ndihmë. Departamenti i Shëndetit dhe i Higjienës Mendore i qytetit të Nju-Jorkut jep këtë siguri: «Është e vështirë t’i heqësh qafe çimkat, por jo e pamundur.»

Kontrollo për çimka dhe merr masa që të mos i lësh të fshihen në shtëpinë tënde

Megjithatë, mos i nënvlerëso sfidat që ka kjo punë. Nëse gjen çimka në shtëpi, mund të të vijnë në ndihmë ata që janë të specializuar për të luftuar insektet e dëmshme. Ndonëse lëndët kimike të përmendura më sipër nuk përdoren më, këta specialistë ndërthurin një sërë metodash të tjera të efektshme që të luftojnë çimkat. Veç kësaj, entomologia Dini M. Miler thotë: «Puna për eliminimin e çimkave kërkon shumë bashkëpunim, si nga ana e banorëve, edhe nga ana e administratorëve [të ndërtesës] dhe e kompanisë së specializuar.» Po të ndjekësh udhëzimet e specialistit dhe të marrësh masa të arsyeshme, mund t’i shpëtosh pickimit të çimkave.

^ par. 7 Entomologët thonë se çimkat ushqehen me gjakun e njerëzve dhe të gjitarëve të tjerë, përfshirë kafshët shtëpiake.