Sa i stresuar je?

  • Më ka mbytur stresi
  • Ka shkuar ku s’mban më
  • Arrij ta përballoj
  • Stresi? S’e di çfarë është

TË PËRBALLOSH stresin është si të transportosh një kontenier të rëndë. Një kamion i madh mund ta tërheqë pa problem për kilometra të tërë, por një makinë nuk mundet. Nëse makina do ta tërhiqte ngarkesën sikur edhe për pak metra, mund t’i shkatërrohej motori. Po të jesh nën stres të madh, e njëjta gjë mund t’i ndodhë edhe «motorit» tënd.

A është pa zgjidhje situata? Aspak! Që të mos sfilitesh, ke nevojë ta lehtësosh ngarkesën ose ta bësh «motorin» më të fuqishëm. Në të vërtetë mund t’i bësh të dyja. Le të shohim si.

Lehtëso ngarkesën

VËSHTIRËSIA: Programi i ngjeshur.

«Kur kam shumë për të bërë, ndodh që dikush më kërkon ndihmë për ndonjë gjë ose që të shkojmë diku. Nuk dua t’i them jo askujt.»​—Katerina. *

ZGJIDHJA: Mëso të thuash jo.

«Mençuria është me modestët»,—thotë Bibla. (Proverbat 11:2) Modestia ose pranimi i kufizimeve, të jep kurajë të thuash jo kur ngarkesa po të bëhet tepër e rëndë.

Natyrisht, të thuash jo nuk është gjithmonë çështje zgjedhjeje, si për shembull, kur prindërit të kujtojnë punët e shtëpisë. Por, nëse lejon këdo të ta shtojë ngarkesën, në fund nuk do t’ia dalësh. Edhe kamioni më i madh e ka një kufi se sa mund të mbajë.

Këshillë: Nëse e ke të vështirë t’i thuash menjëherë jo dikujt, provo t’i përgjigjesh: «A flasim pak më vonë?» Pastaj, para se t’i  përgjigjesh, pyet veten: «A kam vërtet kohë dhe energji për këtë aktivitet?»

VËSHTIRËSIA: Zvarritja e gjërave.

«Nëse diçka më duket e vështirë, e lë për më vonë. Por, pastaj nuk ndihem rehat, ngaqë më ka mbetur pa bërë. Kur më në fund e nis, më duhet të nxitoj, e kjo më streson.»​—Serena.

ZGJIDHJA: Filloje, edhe nëse s’do ta mbarosh menjëherë.

«Jini të papërtuar në punët tuaja»,—këshillon Bibla. (Romakëve 12:11) Boll e vështirë është kur të pret një punë e rëndë, prandaj, pse ta rëndosh më shumë veten duke e zvarritur? Kjo veçse të shton stresin.

Për t’u motivuar, bëj një listë të gjërave që duhet të bësh. Ndaji detyrat e mëdha në pjesë më të vogla që t’i përballosh. Një e re me emrin Karola thotë: «Më pëlqejnë shumë listat. Zakonisht vë të parat gjërat që s’i kam qejf  dhe, pasi i shënoj si të përfunduara, e kam më të lehtë. Pa e kuptuar, u vjen radha gjërave që më pëlqejnë më shumë.»

Këshillë: Nëse e ke të vështirë të nisësh një punë, vër alarmin për 10 ose 15 minuta dhe filloje punën në moment. Kur të bjerë alarmi, do të kesh 10 ose 15 minuta punë më pak. Tani që e nise, do të çuditesh se do ta kesh më të lehtë ta çosh para atë punë.

Mbaje dhomën në rregull, pasi, kur të duhet të gërmosh në mes të rrëmujës për të gjetur detyrat e shtëpisë ose rroba të pastra, të shtohet stresi. Që të mos vraposh në mëngjes, lër pesë minuta për të rregulluar dhomën para se të flesh

Bëje «motorin» më të fuqishëm

Sigurohu që «motori» yt e mban ngarkesën

Kujdesu për trupin.

Specialistët mendojnë se një dietë e shëndetshme, ushtrimet e rregullta dhe gjumi i mjaftueshëm të ndihmojnë të kesh më tepër rendiment. * Mos u shqetëso: të kujdesesh për trupin nuk është aq e vështirë. Disa hapa të thjeshtë të ndihmojnë të fillosh. Të marrim, për shembull, gjumi. Provo sugjerimet vijuese.

  1. Fli mjaftueshëm. Vendos një orar fiks për të shkuar në shtrat e për t’u ngritur, të paktën për ditët që shkon në shkollë ose në punë.
  2. Mundohu të bësh gjëra që të qetësojnë para se të flesh. Mos bëj fizkulturë tri orë para gjumit dhe mos konsumo ushqim të rëndë ose kafeinë ndërsa afron koha për të fjetur.
  3. Kur vjen koha për të shkuar në shtrat, fik dritat, bëje ambientin të qetë e të rehatshëm.

Fol me të tjerët.

Mos ngurro t’u kërkosh ndihmë prindërve ose miqve. Kjo ndihmon, pasi studimet tregojnë se mbështetja emocionale pakëson dëmin që mund t’i sjellë stresi zemrës, enëve të gjakut dhe sistemit imunitar.

Këto zbulime janë në harmoni me atë që thotë Bibla: «Nga ankthi i zemrës njeriu kërruset, kurse fjalët e mira e gëzojnë.» (Proverbat 12:25) Kur të rëndon «ankthi», miqtë e vërtetë mund të të thonë një ‘fjalë të mirë’ inkurajuese. Kjo mund të jetë pikërisht ajo që të duhet për t’ia dalë mbanë.

A ke ende nevojë për ndihmë që të përballosh stresin? Shih kapitujt e mëposhtëm në librin Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, vëllimi 1 dhe 2, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

VËLLIMI 1

  • Kapitulli 18: Si ta përballoj stresin në shkollë?
  • Kapitulli 21: Si ta organizoj kohën?

VËLLIMI 2

  • Kapitulli 26: Si t’i mbaj nën kontroll ndjenjat?
  • Kapitulli 27: Pse kërkoj përsosmëri nga vetja?

^ par. 12 Në këtë artikull, disa emra janë ndryshuar.

^ par. 24 Për këshilla rreth dietës e ushtrimeve, shih kapitullin 10 të librit Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike vëllimi 1, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

PSE TË MOS PYESËSH PRINDËRIT?

Çfarë të streson ty? Cilat mënyra ke parë se janë më të efektshme për të përballuar stresin?