Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 Pikëpamja e Biblës

A ia vlen të shesësh mend?

A ia vlen të shesësh mend?

«Një palë xhinse ose çfarëdo gjë firmato e bën të pasigurtin që ndihet hiçgjë, të fantazojë: ‘Jam dikushi, nëse s’të besohet, hidhi një sy etiketës.’»​—Psikologu Çejtër D. Mejsën.

DISA njerëz kapardisen me rrobat firmato ose me gjërat e shtrenjta, që të admirohen nga të tjerët. Për shembull, një artikull i gazetës The Washington Post thoshte se, në një vend të Azisë, «ata që janë pasuruar së fundmi, vdesin për gjërat luksoze​—çantat franceze, makinat sportive italiane—​dhe, për më tepër, vdesin të shesin mend [me pasurinë që kanë]».

Kuptohet, s’ka asgjë të keqe të gëzojmë mundin e punës sonë. Bibla thotë: «Çdo njeri të hajë e të pijë e të shohë të mira për gjithë mundin e tij. Është dhuratë nga Perëndia.» (Eklisiastiu 3:13) Por, a është e mençur të kapardisemi ose të krekosemi me zotërimet tona? Çfarë thotë Bibla?

«Të shumtë janë miqtë e të pasurit»

Kur të pasurit ose ata që pretendojnë se janë të pasur, krekosen me gjërat që kanë, ç’lloj miqsh bëjnë për vete? Bibla na vjen në ndihmë me këtë thënie të mençur për natyrën njerëzore: «Të vobektin e urren edhe i afërmi i tij, por të shumtë janë miqtë e të pasurit.»​—Proverbat 14:20.

Kuptimi është ky: ‘miqtë e shumtë’ të të pasurit janë më shumë miq të pasurisë, sesa të vetë njeriut. E ashtuquajtura miqësi që kanë, bazohet tek interesi personal, ashtu si i foluri i tyre lajkatues. Bibla e quan këtë të folur ‘shtirje nga lakmia’.​—1 Selanikasve 2:5.

Prandaj pyet veten: «Çfarë miqsh dëshiroj? Miq që më duan për atë që kam apo miq të vërtetë që më duan për atë që jam?» Bibla tregon se sjellja jonë mund të ndikojë te lloji i miqve që bëjmë për vete.

«Mençuria është me modestët»

Një tjetër arsye pse është e gabuar të shesim mend, ilustrohet mirë te tregimi biblik për mbretin Hezekia, i cili jetoi në Jerusalemin e lashtë. Njëherë, Hezekia u tregoi disa funksionarëve nga Babilonia «gjithçka kishte në thesar». Me sa duket pasuria e tij e madhe i la gojëhapur mysafirët. Përveç kësaj mund t’u ketë ngacmuar edhe lakminë. Pasi u larguan, Isaia, profeti i Perëndisë, me guxim i tha Hezekisë se një ditë gjithë thesari i tij ‘do të çohej në Babiloni’. S’do të mbetej asgjë. Ato fjalë dolën të vërteta. Vite më vonë, babilonasit u kthyen dhe morën të gjithë pasurinë që i përkiste familjes së Hezekisë.​—2 Mbretërve 20:12-17; 24:12, 13.

Edhe sot, njerëzit që fryhen për pasurinë që kanë, rrezikojnë ta humbin atë ose të paktën një pjesë të saj. Një raport për krimin dhe sigurinë në Meksikë thoshte: «Kapardisja pompoze me të mirat materiale është si magnet për hajdutët në qytetin e Meksikos. Bizhuteritë e orët e shtrenjta dhe ekspozimi i shumave të mëdha të parave, tërheqin vëmendjen e personave të padëshirueshëm.» Sa me vend  është të ndjekim këshillën e Biblës që ‘të mos mbahemi me të madh’ për pasurinë tonë. (Jeremia 9:23) «Mençuria është me modestët»,—thuhet te Proverbat 11:2.

Shih cilësitë e mira te të tjerët

Një njeri modest e i përulur gjen kënaqësi në cilësitë dhe pikat e forta të të tjerëve, në vend që të ketë qëndrimin egoist ‘shikomëni mua’. Për këtë, Filipianëve 2:3 thotë: ‘Mos bëni asgjë nga fryma e grindjes ose nga uni, por me përulësi mendjeje, shihini të tjerët si më të lartë se veten.’ Te Galatasve 5:26 lexojmë: «Të mos kemi frymën e unit dhe të mos ngjallim konkurrencë me njëri-tjetrin, duke e pasur zili njëri-tjetrin.»

Dëshiron miq që të duan për atë që ke apo miq që të duan për atë që je?

Po ashtu, njerëzit që fitojnë mençuri nga Fjala e Perëndisë e dinë se altruizmi dhe respekti reciprok janë shtyllat e miqësisë së vërtetë dhe kjo miqësi forcohet me kalimin e kohës. Ajo nuk prishet kur pasuria ikën. Proverbat 17:17 thotë: «Shoku i vërtetë të do në çdo kohë.» Por, kryesorja për njeriun e mençur është t’i pëlqejë Perëndisë. E di se Perëndia nuk ndikohet nga pamja e jashtme, pasi sheh ‘njeriun e fshehtë të zemrës’​—atë çka jemi brenda. (1 Pjetrit 3:4) Ja pse punon fort që të zhvillojë ato cilësi tërheqëse që, sipas Biblës, karakterizojnë «personalitetin e ri». (Efesianëve 4:24) Disa nga këto cilësi përmenden te Mikea 6:8: «Çfarë kërkon në këmbim Jehovai nga ti, veçse të tregosh drejtësi, të duash mirëdashjen dhe të jesh modest ndërsa ecën me Perëndinë tënd?»

Është e vërtetë, në botën e sotme modestia nuk çmohet gjëkundi, dhe kjo s’i habit ata që studiojnë Biblën. Pse? Kur flet për «ditët e fundit», Bibla parathotë se njerëzit në përgjithësi do të jenë «lakmitarë, mburravecë, . . . fodullë . . . dhe të fryrë nga krenaria». (2 Timoteut 3:1-5, Good News Translation) Në një shoqëri me këto tipare, njerëzit që kapardisen me të mirat materiale gjejnë vetveten. Megjithatë, Perëndia na inkurajon ‘t’u rrimë larg këtyre njerëzve’, se mos bëhemi edhe ne si ata.