Në këtë seri me tetë pjesë, «Zgjohuni!» po shqyrton një veçori mbresëlënëse të Biblës​—profecitë e saj, ose parashikimet. Artikujt do t’ju ndihmojnë t’u përgjigjeni këtyre pyetjeve: a erdhën thjesht nga disa njerëz të zgjuar profecitë e Biblës? A mbajnë këto parashikime vulën e qartë se janë të frymëzuara nga Perëndia? Ju ftojmë të peshoni dëshmitë.

A JU ndizet zemërimi kur qeveritë e korruptuara i shtypin ose i shfrytëzojnë nënshtetasit? A fyhet ndjenja juaj e drejtësisë kur biznesmenët e mëdhenj majmen në kurriz të të varfërve? A ju ngrihen nervat kur udhëheqësit fetarë i rrjepin besimtarët ose u mësojnë kryekëput gënjeshtra? Nëse po, mund të kënaqeni po të mësoni se edhe Bibla i dënon këto ligësi. Në këtë artikull do të shqyrtohen (1) profeci biblike që parashikojnë fundin e gjithë ligësisë e të njerëzve të ligj dhe (2) arsyeja pse këto profeci meritojnë besimin tonë të plotë.

Fundi i ligësisë

Në artikullin e mëparshëm të kësaj serie, u shqyrtua shenja e përbërë që dha Jezui, e cila tregon se po afron fundi i kësaj bote. Një nga aspektet e kësaj shenje ishte edhe predikimi global i lajmit të mirë për Mbretërinë e Perëndisë, qeverinë e Perëndisë që së shpejti do të sundojë mbi të gjithë tokën. (Danieli 2:44; Mateu 24:3, 14) Jezui tha se kur kjo vepër predikimi të mbarojë, «do të vijë fundi». Mund të habiteni, por gjëja e parë që Perëndia do të zhdukë është feja e rreme, që e keqparaqet Perëndinë. Në Bibël, feja e rreme simbolizohet nga një prostitutë e quajtur «Babilonia e Madhe».​—Zbulesa 17:1, 5; shihni kutinë  «Çfarë është Babilonia e Madhe?» në faqen 13.

Profecia 1:

«Do të vijnë plagët e [Babilonisë së Madhe]: vdekje, vajtim dhe zi buke. Ajo do të  digjet plotësisht me zjarr, sepse Perëndia Jehova, ai që e gjykoi, është i fortë.»​—Zbulesa 18:2, 8.

Plotësimi: Bibla zbulon se në kohën që ka caktuar, Perëndia do t’i kthejë fuqitë politike botërore kundër Babilonisë së Madhe dhe do ta shkatërrojë. Ata «do ta shkretojnë e do ta lënë lakuriq» dhe «do të hanë mishrat e saj». (Zbulesa 17:16) Me fjalë të tjera, ata do të nxjerrin në shesh karakterin e saj të turpshëm dhe do t’ia plaçkitin pasuritë e mëdha. Shkatërrimi i saj do të jetë i shpejtë dhe kaq i plotë, sa nuk do t’i mbetet as nam, as nishan.​—Zbulesa 18:21.

Sundimtarët politikë mund të mendojnë se shkatërrimi i saj ishte ide e tyrja. Por, plotësimi i kësaj profecie mahnitëse do të vërtetojë se fundi i Babilonisë ishte vepër e Perëndisë, sepse ai ‘do t’ua ketë shtënë në zemër, që ata të përmbushnin mendimin e tij’.​—Zbulesa 17:17.

Profecia 2:

«Në ditët e atyre mbretërve, Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri. . . . Ajo do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive [njerëzore], dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë.»​—Danieli 2:44.

Plotësimi: Pasi të ketë zhdukur fenë e rreme, Perëndia do ta kthejë vëmendjen nga organizatat e tjera​—politike e tregtare—​si edhe nga njerëzit e ligj. (Proverbat 2:22; Zbulesa 19:17, 18) Ashtu si një pronar që përzë qiraxhinjtë shkatërrimtarë, Perëndia ‘do të rrënojë ata që rrënojnë tokën’. Ai do të shkatërrojë ata që e mbushin me dhunë e praktika seksuale degraduese.​—Zbulesa 11:18; Romakëve 1:18, 26-29.

Cilët do të mbijetojnë? Bibla përgjigjet: «Zemërbutët do të trashëgojnë  tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund.»​—Psalmi 37:11; 72:7.

A mund të kemi besim te profecitë biblike? A mund të jemi të sigurt se Perëndia do t’i japë fund ligësisë e vuajtjeve dhe do të ruajë të drejtët? Po!

Profecitë biblike janë të besueshme

Mbretëria e Perëndisë do t’i japë fund fesë së rreme, qeverive të korruptuara dhe tregtisë lakmitare

Dëshmitarët e Jehovait besojnë se Perëndia Jehova është autori i Biblës dhe se do të mbajë çdo premtim që ka bërë. (2 Timoteut 3:16) A është e arsyeshme të besohet një gjë e tillë?

Po të kishe një mik të vjetër që të do vërtet dhe nuk të ka gënjyer kurrë, a do ta besoje po të të premtonte diçka të mirë që ka mundësi ta bëjë? Pa dyshim që po. Perëndia është edhe më i mirë se çdo mik që kemi. «Perëndia nuk gënjen kurrë.»​—Titit 1:2, Contemporary English Version.

Ai nuk e miraton besimin e verbër. Ja pse i frymëzoi shkrimtarët e Biblës të shkruanin shumë profeci që vetëm ai, i Plotfuqishmi, mund t’i përmbushë. Shumë prej këtyre profecive dhe plotësimi i tyre mahnitës, janë trajtuar në gjashtë pjesët e para të kësaj serie artikujsh. Prandaj, mund të kemi besim se Perëndia do të përmbushë parashikimet që lidhen me të ardhmen tonë, përfshirë ato që përmenden në këtë artikull.

Po, Krijuesi pa dyshim do t’i japë fund fesë së rreme, sundimit shtypës dhe botës lakmitare të tregtisë. A doni të dini më shumë çfarë do të ndodhë pas këtyre ngjarjeve? Për këtë do t’ju ndihmojë numri tjetër i revistës Zgjohuni! Aty do të gjeni artikullin e fundit të kësaj serie.