SIPAS Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Shërbimeve Publike në SHBA, nga viti 1980 deri në 2002-shin, numri i adoleshentëve mbipeshë është trefishuar, dhe te fëmijët e moshave para adoleshencës ky numër është rritur më shumë se dyfish. Ndër rreziqet afatgjata që shtohen si pasojë e dhjamosjes te fëmijët, janë tensioni i lartë, diabeti, sëmundjet kardiovaskulare dhe disa lloje kanceri. *

Dhjamosja te fëmijët mund të lidhet me një sërë faktorësh, si jeta sedentare, bombardimi me reklama që kanë shënjestër fëmijët dhe adoleshentët, si edhe përhapja e madhe e çmimet e arsyeshme të ushqimeve jo të shëndetshme. Qendra Amerikane për Kontrollimin e Sëmundjeve thotë: «Dhjamosja te fëmijët është pasojë e marrjes së kalorive të tepërta dhe e aktivitetit fizik të paktë.»

Fëmijët, adoleshentët dhe të rriturit bëjnë mirë të shqyrtojnë zakonet në të ngrënë. Pa shkuar në ekstrem, mund të mjaftojnë pak hapa që situata të përmirësohet. Për shembull, shiko rastin e një të riu të quajtur Mark, i cili pa se ndryshimi i zakoneve në të ngrënë i bëri jashtëzakonisht mirë për shëndetin dhe mirëqenien. «Dikur isha i fiksuar pas ushqimeve të çastit pa vlera»,—pranon Marku. Zgjohuni! bisedoi me Markun për të kuptuar si ndryshoi.

Kur nise të kesh probleme me ushqimin?

Pasi mbarova gjimnazin. Atëherë fillova të haja shpesh jashtë. Afër vendit ku punoja ishin dy lokale fast-food, kështu që thuajse përditë haja drekë o te njëri, o te tjetri. Më dukej shumë më kollaj të shkoja në fast-food sesa të përgatitja vetë diçka për të ngrënë.

Ç’ndodhi kur fillove të jetoje më vete?

Zakonet e të ngrënit u keqësuan edhe më. S’dija të gatuaja dhe isha hollë nga paratë, ama lokalin tim të preferuar fast-food e kisha vetëm dy minuta larg. Rruga më e thjeshtë dhe më e lirë më dukej të haja atje. Jo vetëm haja llojin e gabuar të ushqimeve, por edhe haja jashtë mase. Nuk më dilte një racion normal fast-food. Porositja ç’të më  mbante xhepi dhe sasinë më të madhe që kishin​—më shumë patate të skuqura, pije të gazuar më të madhe dhe hamburger ekstra.

Cila ishte pika e kthesës?

Nga fillimi i të 20-ave, zura të mendoja më seriozisht për shëndetin. Isha mbipeshë, ndihesha i plogësht gjithë kohës dhe s’kisha besim te vetja. E dija se duhej të bëja ndryshime.

Si arrite ta mbash nën kontroll ushqimin?

I bëra hapat gradualisht. Së pari, pakësova sasinë e ushqimit. I kujtoja vetes: «Ky s’është vakti i fundit në jetën time, mund të ha prapë më vonë.» Nganjëherë më duhej të largohesha nga tavolina e bukës. Por, pastaj ndihesha mirë, sikur kisha korrur një fitore.

A t’u desh të bëje ndonjë ndryshim drastik?

Nga ca gjëra hoqa dorë fare. Për shembull, hoqa pijet e gazuara dhe pija vetëm ujë. Kjo ishte e vështirë. I kisha shumë qejf pijet e gazuara, kurse uji s’më pëlqente hiç. Pasi pija një gotë ujë, ktheja nja dy gllënjka lëng frutash, sa për të pasur një shije në gojë. Avash-avash fillova t’ia ndieja lezetin edhe ujit.

Përveçse hoqe dorë nga ushqimet jo të shëndetshme, çfarë bëre tjetër?

I zëvendësova me variante më të mira. Ia nisa me frutat​—mollë, banane, luleshtrydhe, boronica, mjedra dhe pjepër. Gjithashtu, shtova proteinat pa shumë yndyrë, si mishin e pulës dhe tonin. Me kohë, këto u bënë ndër ushqimet e mia të preferuara. Gjatë drekës, mundohem të ha më shumë perime dhe më pak nga gjërat e tjera. Kam vënë re se po të ha diçka të shëndetshme mes vakteve, ka më pak të ngjarë ta teproj kur jam në tavolinë. Tani s’kam edhe aq neps për ushqimet e çastit.

Nuk ha më asnjëherë jashtë?

Jo, edhe ha ndonjëherë jashtë. Por, në këto raste bëj kujdes të ha me karar. Nëse racioni që serviret është tepër i madh, kërkoj të ma paketojnë gjysmën para se të ha. Kështu nuk e teproj në të ngrënë vetëm ngaqë ndihem fajtor ta lë ushqimin në pjatë.

Ç’dobi të kanë sjellë ndryshimet që ke bërë?

Kam rënë në peshë, jam më energjik dhe ndihem më mirë me veten. Dobia më e madhe është kënaqësia se e di që duke u kujdesur për shëndetin po nderoj Perëndinë që më dhuroi jetën. (Psalmi 36:9) Dikur mendoja se duhej të ishte mërzi e madhe të bëje një jetë të shëndetshme. Por, tani që kam filluar të ha siç duhet, s’do ta këmbeja me asgjë në botë! *

^ par. 2 Ekspertët thonë se ata që janë mbipeshë në moshë të re, ka 70 për qind më shumë mundësi të jenë mbipeshë edhe kur të rriten.

^ par. 20 Zgjohuni! nuk përkrah ndonjë dietë të veçantë. Secili duhet të peshojë me kujdes mundësitë dhe të këshillohet me një mjek para se të marrë vendime për ushqimin. Shmang dietat që janë në modë, por që vënë në rrezik shëndetin.