Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Bibla​—Një libër me profeci të sakta—Pjesa 6

«Ditët e fundit»

Bibla​—Një libër me profeci të sakta—Pjesa 6

Në këtë seri me tetë pjesë, «Zgjohuni!» po shqyrton një veçori mbresëlënëse të Biblës​—profecitë e saj, ose parashikimet. Artikujt do t’ju ndihmojnë t’u përgjigjeni këtyre pyetjeve: a erdhën thjesht nga disa njerëz të zgjuar profecitë e Biblës? A mbajnë këto parashikime vulën e qartë se janë të frymëzuara nga Perëndia? Ju ftojmë të peshoni dëshmitë.

JETOJMË në kohë të vështira. Në të gjithë botën nuk kanë të sosur lajmet për katastrofa e trazira. A kanë ndonjë domethënie të veçantë për situatën e tanishme botërore?

Rreth 2.000 vjet më parë, Bibla paratha se problemet në botë do të arrinin kulmin në ‘përfundim të sistemit’. (Mateu 24:3) Këtu nuk bëhet fjalë për «fundin e botës» siç e mendojnë njerëzit. Përkundrazi, Bibla përshkruan një model ngjarjesh e qëndrimesh ose një shenjë që do të ishte karakteristikë e një periudhe të quajtur «ditët e fundit». (2 Timoteut 3:1) Jezui u tha dishepujve se, kur të shihnin ‘të ndodhnin këto gjëra’, çlirimi do të ishte afër. (Luka 21:31) Shqyrtoni disa nga profecitë që tregojnë se po jetojmë në kohë unike.

Profecia 1:

«Do të ngrihet komb kundër kombi.»​—Mateu 24:7.

Plotësimi: Në fillim të shekullit të 20-të, shumë njerëz pritnin që paqja të vazhdonte. Shpërthimi i Luftës I Botërore tronditi botën mbarë dhe filloi një epokë luftërash të papara. Siç paratha libri biblik i Zbulesës, paqja u hoq «nga toka, që njerëzit të thereshin me njëri-tjetrin».​—Zbulesa 6:4.

Çfarë tregon historia:

  • «Akoma sot, shpërthimi i Luftës I Botërore në 1914-n duket se shënoi fundin e një epoke dhe fillimin e një epoke tjetër të re.»​—Origjina e Luftës së Parë Botërore (anglisht), botuar në vitin 1992.
  • Edhe pse nuk mund të përcaktohet saktësisht numri katastrofik i të vdekurve gjatë Luftës I Botërore, sipas një enciklopedie, vetëm numri i ushtarëve të vdekur arriti gjithsej në 8.500.000.
  • Lufta II Botërore ishte edhe më e përgjakshme, me shifra që shkonin nga rreth  35 milionë deri në 60 milionë ushtarë dhe civilë të vrarë.
  • Nga fundi i Luftës II Botërore deri në vitin 2010, ka pasur 246 konflikte të armatosura në 151 vende.

Profecia 2:

«Do të ketë mungesë ushqimi.»​—Mateu 24:7.

Plotësimi: Zia e bukës shkaktoi vdekjen e mbi 70 milionë vetave në shekullin e 20-të dhe vazhdon të jetë problem global.

Çfarë tregon historia:

  • Sipas Kombeve të Bashkuara, uria është rreziku më i madh shëndetësor në mbarë botën dhe sot 1 në 7 veta nuk ka ushqim të mjaftueshëm.
  • «Mungesa e sotme e ushqimit nuk është pasojë e prishjes së prodhimeve bujqësore ngaqë për njëfarë kohe moti ishte i papërshtatshëm, por pasojë e katër problemeve të rënda që ekzistojnë prej kohësh: rritja e shpejtë e popullsisë, humbja e shtresës së punueshme të tokës, mungesa e ujit në gjithnjë e më shumë vende dhe rritja e temperaturave.»​Revista Scientific American.

Profecia 3:

«Do të ketë tërmete të mëdha.»​—Luka 21:11.

Plotësimi: Numri i njerëzve që kanë vdekur dhe që u është shkatërruar jeta nga tërmetet, është rritur ndjeshëm.

Çfarë tregon historia:

  • Raporti botëror i katastrofave natyrore i vitit 2010 thotë: «Vitet e fundit, lëkundjet sizmike kanë vrarë më shumë se ç’do katastrofë tjetër.»
  • Çdo vit, që nga 1970-a deri më 2001-shin, janë raportuar mesatarisht 19 tërmete të mëdha, * me mesatarisht 19.547 të vdekur. Në dhjetëvjeçarin para 2012-s, mesatarja e tërmeteve të mëdha u rrit deri në 28 në vit, me mesatarisht 67.954 të vdekur.

Profecia 4:

«Murtaja . . . nga njëri vend në tjetrin.»​—Luka 21:11.

Plotësimi: Me gjithë përparimet në fushën e mjekësisë, ende vdesin miliona veta çdo vit nga sëmundjet infektive. Udhëtimet ndërkombëtare dhe shtimi i popullsisë urbane në botë kanë rritur mundësinë që sëmundjet të përhapen shpejt.

Çfarë tregon historia:

  • Sipas llogaritjeve, lia vrau 300 milionë deri në 500 milionë njerëz në shekullin e 20-të.
  • Instituti Worldwatch raporton se, gjatë tri dekadave të kaluara, «janë shfaqur më shumë se tridhjetë sëmundje të panjohura e kërcënuese për jetën, si: virusi Ebola, HIV-i, Hantavirusi dhe SARS-i».
  • Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar për shfaqjen e mikrobeve rezistente ndaj ilaçeve, duke thënë: «Bota po shkon drejt epokës post-antibiotike, ku shumë infeksione të zakonshme nuk do të kurohen më dhe do të vrasin përsëri pareshtur.»

Profecia 5:

Njerëzit «do të tradhtojnë dhe do të urrejnë njëri-tjetrin. . . . Dashuria e shumicës do të ftohet».​—Mateu 24:10, 12.

Plotësimi: Gjenocidi i ndezur nga urrejtja ka marrë miliona jetë. Në shumë vende, konfliktet e armatosura dhe krimi kanë sjellë gjithnjë e më shumë frikë e dhunë.

Çfarë tregon historia:

  • Regjimi nazist vrau gjashtë milionë judenj dhe miliona të tjerë. Duke folur për reagimin e qytetarëve të thjeshtë, autori Zigmund Bauman vëren: «Shkatërrimi në masë nuk i trazoi aspak njerëzit, por mbizotëroi një heshtje varri dhe indiferencë.»
  • Sipas BBC News, rreth 800.000 tutsi dhe hutu jo ekstremistë u vranë brenda pak muajsh.  Një studiues llogariti se rreth 200.000 veta morën pjesë në këtë kasaphanë.
  • Çdo vit, mbi 740.000 njerëz vdesin si pasojë e krimit dhe e konflikteve të armatosura.

Profecia 6:

«Njerëzit do të jenë të dashuruar me veten, të dashuruar pas parave, . . . pa përzemërsi të natyrshme.»​—2 Timoteut 3:2, 3.

Plotësimi: Në epokën tonë mbizotëron lakmia dhe shthurja morale. Këto qëndrime kanë sjellë probleme të panumërta në shoqëri.

Çfarë tregon historia:

  • Një raport i UNICEF-it në Mbretërinë e Bashkuar që fliste për mirëqenien e fëmijëve, tregon se prindërit dhe fëmijët në këtë vend «duket sikur janë të fiksuar pas blerjeve». Familjet blejnë «që të kompensojnë marrëdhëniet problematike dhe pasigurinë në shoqëri».
  • Rreth 275 milionë fëmijë në mbarë botën janë prekur nga dhuna në familje.
  • «Vetëm në Shtetet e Bashkuara, mendohet se keqtrajtohen ose lihen pas dore mbi 500.000 të moshuar çdo vit.»—Qendrat për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Profecia 7:

«Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar.»​—Mateu 24:14.

Plotësimi: Bibla mëson se Mbretëria e Perëndisë është një qeveri reale që sundon nga qielli me mbret Jezuin. Kjo Mbretëri qiellore «do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha [qeverive njerëzore], dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë».​—Danieli 2:44.

Mbretëria e Perëndisë​—çfarë është dhe çfarë do të bëjë—​është mesazhi kryesor për të cilin flasin Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën.

Në përmbushje të Mateut 24:14, Dëshmitarët e Jehovait predikojnë lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë

Çfarë tregon historia:

  • Mbi shtatë milionë Dëshmitarë të Jehovait në më shumë se 230 vende të botës mësojnë të tjerët për Mbretërinë e Perëndisë.
  • Dëshmitarët e Jehovait botojnë informacione të bazuara në Bibël në mbi 500 gjuhë, në formë të shtypur dhe në Internet.

Shenja e ditëve të fundit dhe e ardhmja jote

Pasi kanë shqyrtuar provat, miliona veta kanë arritur në përfundimin se shenja e ditëve të fundit që jep Bibla, po përmbushet tani. Siç kanë treguar edhe gjashtë artikujt e mëparshëm të kësaj serie, historia vërteton se Bibla është vërtet një libër me profeci të pagabueshme.

Mund të jeni të sigurt se edhe ajo që parathotë për të ardhmen do të plotësohet. Nga këto profeci varet edhe e ardhmja jote, sepse Perëndia premton t’u japë fund këtyre ditëve të fundit tronditëse. Dy artikujt e ardhshëm do të shpjegojnë si do të përfundojnë «ditët e fundit», si dhe do të tregojnë për të ardhmen e mrekullueshme që e pret tokën dhe njerëzimin.

^ par. 22 Qendra për Kërkimet rreth Përhapjes së Katastrofave e përkufizon një tërmet të madh si një lëkundje sizmike që shkakton të paktën një nga këto: 10 ose më shumë të vrarë, 100 ose më shumë të prekur, shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe thirrjen për ndihmë ndërkombëtare.