Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Ç’mund të bëjnë prindërit?

Ç’mund të bëjnë prindërit?

«Klasat ishin të stërmbushura me nxënës. Nuk kishte freskuese dhe vapa të merrte frymën.»​—Luisi, Bolivi.

«Në shkollën tonë nuk kishte aq mësues, sa t’u rrinin në kokë nxënësve të panumërt. Nuk kishim as harta, as pajisje laboratorike e as bibliotekë.»​—Dorka, Mjanmar.

«Shumë mësues e kishin të vështirë të mbanin qetësi në klasë. Ndonjëherë, nxënësit ishin shumë të padisiplinuar, dhe kjo e bënte mësimin edhe më të vështirë.»​—Nina, Afrika e Jugut.

SIÇ e tregojnë komentet e mësipërme, disa shkolla nuk janë vendi ideal për të mësuar. Si prind, si mund ta ndihmosh fëmijën të përfitojë sa më shumë nga arsimimi me gjithë vështirësitë? Më poshtë renditen disa sugjerime.

Merr iniciativën.

Mos u përqendro te problemet, se shumë prej tyre nuk i ke në dorë, por përqendrohu tek ajo që mund të bësh. Nëse fëmija ka vështirësi në një lëndë të caktuar ose nuk i përballon dot detyrat e shumta, përpiquni së bashku të gjeni disa zgjidhje. Për shembull, mos ka nevojë për një vend studimi më të mirë në shtëpi? Mos i duhet ndihmë që të përpilojë një program për të bërë gjërat më të rëndësishme? Mos do të përfitonte më shumë po ta ndihmonte një mësues privat? Për më shumë sugjerime, ndoshta mund të flasësh me mësuesin kujdestar dhe me mësues të tjerë. Shihi mësuesit si aleatë, jo si armiq.

Ndihmoje fëmijën të përqendrohet te qëllimi i arsimimit.

Arsimimi duhet ta ndihmojë fëmijën të bëhet njeri i formuar dhe i përgjegjshëm. Nuk duhet të mësojë vetëm me synimin për të bërë pasuri. Megjithatë, studimet tregojnë se shumë të rinj arsimohen pikërisht për këtë arsye, për t’u pasuruar. Bibla na nxit të kemi pikëpamje të ekuilibruar për gjërat materiale. Vërtet pranon se ‘paraja është mbrojtje’, por edhe paralajmëron se «ata që janë të vendosur të pasurohen» nuk do të jenë vërtet të lumtur.​—Eklisiastiu 7:12; 1 Timoteut 6:9.

Arsimimi duhet ta ndihmojë fëmijën të bëhet njeri i formuar dhe i përgjegjshëm

Lëre fëmijën të mësojë nga vështirësitë.

Shumë mësues thonë se e kanë të vështirë të merren vesh me nxënësit, por me prindërit e kanë edhe më të vështirë. Disa prindër ndërhyjnë dhe protestojnë menjëherë sapo fëmija futet në telashe ose merr notë të keqe në provim. Për shembull, revista Time fliste për një profesoreshë universiteti, studentët e së cilës «merrnin në telefon prindërit për t’u ankuar  për notën e ulët që kishin marrë dhe pastaj ia kalonin celularin asaj, në mes të mësimit, sepse prindi donte të ndërhynte. Madje disa prindër i kanë thënë se paguajnë qimet e kokës për arsimimin e fëmijës dhe tërthorazi pretendojnë notën më të mirë si shpërblim për investimin e tyre».

Shumë mësues thonë se e kanë të vështirë të merren vesh me nxënësit, por me prindërit e kanë edhe më të vështirë

Këta prindër nuk e ndihmojnë fare fëmijën. Në fakt, siç shprehet Poli Jang-Ajzëndrathi në librin e saj Kurthi i vetëvlerësimit (anglisht), ata mendojnë se kështu po «i shpëtojnë», por ama nuk po i lënë «të fitojnë përvojë duke i marrë vetë vendimet, duke dështuar dhe duke i përballuar vetë pasojat». Ajo shton: «Nëse prindërit ndërhyjnë tepër për të zgjidhur problemet e fëmijëve ndërsa ata bëjnë sehir duarkryq, prindi do të bëhet më i fortë, kurse fëmijët do të bëhen më të dobët dhe do të rrëzohen kur të dalin në jetë.»

Ji i arsyeshëm sa arsimim do t’i japësh fëmijës.

Siç thamë në këtë artikull, arsimimi mund ta ndihmojë fëmijën të bëhet i përgjegjshëm kur të dalë në jetë. (Zanafilla 2:24) Por, sa vite arsimim i nevojiten që ta fitojë këtë cilësi?

Mos mendo se ka nevojë për universitet që të gjejë një punë të mirë. Ka edhe alternativa të tjera, më pak të kushtueshme. Në fakt, në disa raste ata që kanë zanat mund të bëjnë një jetë po aq të mirë sa një i diplomuar në universitet.

Përfundimi: Shkollat nuk janë të përsosura dhe fëmijët sot hasin vështirësi që nuk t’i zinte veshi vetëm pak dekada më parë. Por me ndihmën tënde, fëmija mund të nxjerrë dobi nga shkolla. Pse të mos i shqyrtoni si familje sugjerimet në faqet 3-7 të kësaj reviste?