«Në fillim të vitit 2011, në mbarë botën kishte 5,4 miliardë abonime në telefoninë celulare.»​—UN CHRONICLE, SHBA.

Gjatë dekadës së kaluar, «katastrofat shkaktuan më shumë se 780.000 vdekje, e gati 60 për qind të këtyre vdekjeve u shkaktuan nga tërmetet».​—THE LANCET, BRITANI.

«Në 20 vitet e fundit, afërsisht 800.000 rusë kanë kryer vetëvrasje.»​—ROSSIISKAYA GAZETA, RUSI.

Në Filipine, një vend ku divorci nuk lejohet, numri i grave të moshës 15-49 vjeç që janë të martuara pa kurorë ose që «bashkëjetojnë, është shtuar më shumë se dyfish nga viti 1993 deri në vitin 2008».​—THE PHILIPPINE STAR, FILIPINE.

Në Republikën e Gjeorgjisë, «79,2 për qind e popullsisë . . . dëmtohet ngaqë thith tymin e duhanit të të tjerëve». Në kryeqytet, Tbilis, «dëmtohen nga kjo 87,7 për qind e fëmijëve».​—TABULA, GJEORGJI.

Turizmi mjekësor në Azi

Gjithmonë e më shumë pacientë nga pjesë të ndryshme të botës po udhëtojnë jashtë vendit për një kujdes mjekësor cilësor, shpesh me një pjesëz të çmimit që do paguanin në vendin e tyre. Në gazetën Business World thuhet se deri më 2015, në Filipine priten një milion «turistë mjekësorë» në vit, e po e njëjta shifër pritet në Korenë e Jugut deri më 2020. Edhe India, Malajzia, Singapori dhe Tajlanda janë vende të lakmuara. Nuk bëhet fjalë vetëm për perëndimorë që kërkojnë shërbimin e ortopedit, kardiologut a të mjekëve tjerëve. Siç thuhet në artikull, edhe shumë kinezë të pasuruar kohët e fundit, shkojnë te kirurgu plastik me fotografitë e «njerëzve të famshëm që duan t’u ngjajnë».

Shumë e për lumë

Teknologjia shpesh i detyron punonjësit të bëjnë njëkohësisht dy a më shumë detyra të ndërlikuara dhe t’u përgjigjen pyetjeve në çast. Mirëpo, «punëtorët që bëjnë shumë gjëra njëherazi, i bëjnë shkel e shko», siç thotë Kliford Nasi, drejtues i Laboratorit të Komunikimit mes Njerëzve dhe Medias Ndërvepruese në Universitetin e Stenfordit, SHBA. Sipas të dhënave, ata që bëjnë disa gjëra njëherësh janë shpesh të stresuar, shpërqendrohen më kollaj nga gjëra të kota, nuk mendojnë thellë, e kështu u shpëtojnë hollësi të rëndësishme. Nasi rekomandon: «Kur nis një punë, për 20 minuta mos bëj asgjë tjetër veç saj. Kjo të stërvit të përqendrohesh, të mendosh thellë.»