Pikëpamja e Biblës

Si të bëjmë paqe me të tjerët?

BIBLA thotë për ne njerëzit: «Të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë.» (Romakëve 3:23) Ngaqë të gjithë njerëzit, më shumë se shtatë miliardë, janë të papërsosur, përplasjet e personalitetit janë të pashmangshme. Duke pasur parasysh këtë, si mund të bëjmë paqe?

Bibla na jep këshilla të dobishme. Ajo e cilëson Krijuesin, i cili quhet Jehova, si «Perëndia i paqes». (Hebrenjve 13:20; Psalmi 83:18) Perëndia do që fëmijët e tij në tokë të gëzojnë marrëdhënie paqësore me njëri-tjetrin. Në këtë aspekt ai vetë lë shembullin. Kur çifti i parë njerëzor mëkatoi ndaj Perëndisë, duke prishur kështu marrëdhënien paqësore me të, Ai menjëherë ndërmori hapa që të pajtohej me krijesat e tij njerëzore. (2 Korintasve 5:19) Le të shohim tri hapa që të ndihmojnë të bësh paqe me të tjerët.

Fal bujarisht

Çfarë thotë Bibla? «Vazhdoni të duroni dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin, edhe nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri. Ashtu si Jehovai ju fali bujarisht, po kështu bëni edhe ju.»—Kolosianëve 3:13.

Pse është e vështirë? Ndoshta me të drejtë ke «shkak për t’u ankuar» dhe ndihesh i justifikuar për të prishur marrëdhëniet me atë që ka gabuar ndaj teje. Ose mund të mendosh se ai duhet të bëjë hapin i pari dhe të të kërkojë falje. Por nëse personi nuk e kupton që ka gabuar ose nëse mendon se e ke ti fajin, konflikti do të mbetet i pazgjidhur.

Çfarë të bësh? Vëri veshin këshillës së Biblës dhe fal bujarisht, sidomos nëse bëhet fjalë për gjëra të vogla. Mos harroni se, nëse Perëndia do t’i mbante llogari gabimet tona, askush nuk do të mbetej në këmbë. (Psalmi 130:3) Bibla thotë se «Jehovai është i mëshirshëm dhe hirmadh, nuk zemërohet shpejt dhe është plot dashamirësi. Sepse ai e di mirë se si jemi formuar, dhe nuk harron që jemi pluhur.»​—Psalmi 103:8, 14.

Shih edhe këtë proverb biblik që thotë: «Gjykimi i thellë me siguri ia ngadalëson zemërimin njeriut, dhe është gjë e bukur nga ana e tij të kapërcejë shkeljen.» (Proverbat 19:11) Gjykimi i thellë na ndihmon të shohim përtej asaj që duket, të dallojmë arsyen që qëndron pas fjalëve dhe veprave të dikujt. Prandaj pyet veten: «Mos vallë ishte i lodhur, i sëmurë ose nën presion?» Kur dallon dhe merr parasysh motivet e vërteta, ndjenjat dhe rrethanat e të tjerëve, do të arrish të mbash nën kontroll zemërimin dhe do të tolerosh.

Fol me të

Çfarë thotë Bibla? «Nëse vëllai yt kryen një mëkat, shko, flitni vetëm për vetëm dhe tregoji hapur ku ka gabuar. Në qoftë se të dëgjon, e fitove vëllanë tënd.»​—Mateu 18:15.

Pse është e vështirë? Ndjenja negative, si frika, inati dhe sikleti mund të të pengojnë të shkosh te personi për të zgjidhur mosmarrëveshjen. Madje mund të tundohesh të kërkosh mbështetjen e të tjerëve duke ua treguar problemin, por kjo mund ta përkeqësojë situatën e t’i hedhë dru zjarrit.

Çfarë të bësh? Kur çështja është serioze dhe nuk e anashkalon dot, shko dhe fol me të. Përpiqu ta zgjidhësh çështjen si më poshtë:

(1Menjëherë: Mos e zvarrit. Në të kundërt, problemi mund të rëndohet. Përpiqu të zbatosh këshillën e Jezuit që thotë: «Nëse ti po sjell flinë tënde në altar, dhe atje kujtohesh  se vëllai yt ka diçka kundër teje, lëre flinë atje, para altarit, dhe ik. Bëj më parë paqe me vëllanë tënd, dhe pastaj, kur të jesh kthyer, paraqit flinë tënde.»​—Mateu 5:23, 24.

(2Vetëm për vetëm me të: Rezistoji prirjes për ta bërë problemin objekt thashethemesh. «Mbroje çështjen që ke me të afërmin tënd, dhe mos e zbulo bisedën që një tjetër e ka bërë me ty në mirëbesim.»​—Proverbat 25:9.

(3Paqësisht: Rezistoji prirjes për të analizuar se kush e ka gabim e kush ka të drejtë. Qëllimi yt është të bësh paqe e jo të dalë e jotja. Përpiqu të përdorësh fjalën «unë» në vend të fjalës «ti». Mund të jetë shumë më dobiprurëse të thuash «U ndjeva keq sepse . . . » dhe jo «Ti më lëndove». Bibla e përmbledh me këto fjalë: ‘Ndiq ato gjëra që i hapin rrugë paqes dhe që ndërtojnë njëri-tjetrin.’​—Romakëve 14:19.

Ji shpirtgjerë

Çfarë thotë Bibla? «Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe. . . . Por ‘nëse armiku yt është i uritur, jepi të hajë, nëse është i etur, jepi diçka për të pirë’.»​—Romakëve 12:17, 20.

Pse është e vështirë? Kur personi i hedh poshtë përpjekjet e tua të para për të bërë paqe, ndoshta të vjen të dorëzohesh.

Çfarë të bësh? Ki durim. Njerëzit kanë temperamente dhe nivele pjekurie të ndryshme. Disave mund t’u duhet më shumë kohë për t’u qetësuar; të tjerë ende po mësojnë të shfaqin cilësi që i pëlqejnë Perëndisë. Vazhdo t’u tregosh mirëdashje dhe dashuri. «Mos e lejo të keqen të të mundë, por vazhdo ta mundësh të keqen me të mirën»,—thotë Bibla.​—Romakëve 12:21.

Që të bëjmë paqe, duhet të përpiqemi të shfaqim përulësi, gjykim të thellë, durim dhe dashuri. Por, për të pasur marrëdhënie paqësore me të tjerët, ia vlen çdo përpjekje.

A DONI TË DINI?

● Çfarë do të të ndihmojë të falësh bujarisht?​—Kolosianëve 3:13.

● Çfarë do të të ndihmojë të shkosh te personi për të folur për problemin?​—Mateu 5:23, 24.

● Çfarë mund të bësh nëse ai i hedh poshtë përpjekjet e tua për të bërë paqe?​—Romakëve 12:17-21.

[Diçitura në faqen 11]

«Gjykimi i thellë me siguri ia ngadalëson zemërimin njeriut, dhe është gjë e bukur nga ana e tij të kapërcejë shkeljen.»​—PROVERBAT 19:11