Problemi me zemërimin

Një burrë që porositi një sanduiç në një fast-food, u tërbua kur iu duk se iu vonua porosia. Hyri brenda, kërcënoi një punonjës, e përplasi pas banakut dhe e gjuajti me shpullë. Pastaj rrëmbeu me inat sanduiçin dhe doli jashtë.

TË GJITHË zemërohemi herë pas here. Në fund të fundit, zemërimi është pjesë e formimit tonë emocional ashtu si dashuria, shpresa, ankthi, trishtimi dhe frika. Zemërimi që mbahet nën kontroll, mund të shprehet në mënyrën e duhur dhe mund të shërbejë për një qëllim të mirë. Për shembull, zemërimi mund të jetë i dobishëm nëse të bën më të vendosur për të kapërcyer disa pengesa ose probleme.

Por siç e ilustron edhe episodi i mësipërm, zemërimi ka edhe një anë negative. Disa njerëz zemërohen më kollaj, më shpesh dhe më fort sesa disa të tjerë. Kur i provokojnë, mund të kundërsulmojnë gojarisht ose fizikisht. Në të vërtetë, zemërimi i ka nën kontroll, ndonëse duhet të jetë e kundërta. Ky zemërim i pafre është i rrezikshëm dhe i krijon vështirësi të mëdha dikujt në jetë, si në mendime, ndjenja, sjellje dhe në marrëdhënie me të tjerët.

Ata që kanë probleme me zemërimin i shkaktojnë vuajtje jo vetëm vetes, por edhe atyre që kanë përreth. Për ta, edhe gjërat e vogla mund të ndezin një shpërthim të dhunshëm me pasoja tragjike. Ja dy raste të tilla:

Një burrë qëlloi me plumb në qafë dikë që po ecte me një grup shokësh në një rrugë plot njerëz, vetëm ngaqë çanta sportive e një prej shokëve të tij e preku paksa.

Një 19-vjeçar rrahu djalin 11-muajsh të të fejuarës së tij derisa vdiq. Ishte duke luajtur një videolojë të dhunshme dhe i iku truri kur fëmija i preku pultin e komandimit dhe e bëri të humbiste lojën.

Lajme të ngjashme nga e gjithë bota, tregojnë se po rritet gjithnjë e më shumë numri i njerëzve që kanë probleme me zemërimin. Pse po shtohen kaq shumë shpërthimet e zemërimit?

[Kutia në faqen 3]

Zemërimi është pjesë e formimit tonë emocional. Pra, ka raste kur mund të jetë e përshtatshme ta shprehësh zemërimin në mënyrë të kontrolluar. Por, këta artikuj trajtojnë shfrimin e gabuar të zemërimit, që mund të na dëmtojë emocionalisht e fizikisht ne dhe të tjerët, si dhe mund të na prishë marrëdhënien me Perëndinë.