Nga vjen gjithë ky zemërim?

SHKAQET e zemërimit janë të ndërlikuara. Edhe shkencëtarët e pranojnë se nuk kuptojnë shumë rreth zemërimit. Megjithatë, specialistët e shëndetit mendor në përgjithësi e pranojnë se të gjithë ne reagojmë ndaj disa «shkëndijave të zemërimit».

Një shkëndijë ose një shkak zemërimi, është diçka që acaron ose zemëron dikë. Shpesh ato që na zemërojnë janë padrejtësitë. Zemërohemi kur ndihemi të nëpërkëmbur, si për shembull kur na fyejnë ose kur nuk na respektojnë. Edhe kur mendojmë se po na cenohet autoriteti ose reputacioni, mund të na ndizen ndjenja zemërimi.

Sigurisht, shkaqet e zemërimit mund të ndryshojnë nga njëri person te tjetri. Ato ndryshojnë në varësi të moshës, të gjinisë e madje edhe të kulturës. Për më tepër, edhe mënyra si reagojmë ndaj këtyre shkaqeve ndryshon. Disa njerëz rrallëherë zemërohen dhe e kapërcejnë shpejt një fyerje, kurse të tjerë provokohen kollaj dhe mund ta mbajnë inatin për ditë, javë, muaj ose më gjatë.

Në mjedisin ku jetojmë, ka plot gjëra që mund të na zemërojnë. E sikur të mos mjaftonte, bëhemi gjithnjë e më të ndjeshëm ndaj tyre. Përse? Një arsye është fryma moskokëçarëse dhe egoiste që është bërë pjesë e jetës së përditshme. Bibla shpjegon: «Në ditët e fundit . . . njerëzit do të jenë të dashuruar me veten, të dashuruar pas parave, mendjemëdhenj, fodullë, . . . kokëkrisur, të krekosur.» (2 Timoteut 3:1-5) A nuk e përshkruan më së miri ky shkrim qëndrimin e shumë njerëzve sot?

Vërtet, kur nuk u del e tyrja, ata që janë të përqendruar te vetja shpesh zemërohen. Ka edhe një sërë arsyesh të tjera pse zemërimi po bëhet problem gjithnjë e më i madh. Le të shohim disa prej tyre.

Shembulli prindëror

Prindërit kanë ndikim të thellë në zhvillimin e personalitetit të fëmijës gjatë gjithë fëmijërisë dhe adoleshencës. Psikologu Heri L. Mills shpjegon: «Që në moshë të vogël, njerëzit mësojnë ta shprehin zemërimin duke kopjuar mënyrën si e shfaqin zemërimin ata që kanë përreth.»

Nëse fëmija rritet në një mjedis armiqësor, një vend ku gjakrat ndizen edhe për gjëra të vogla, fëmija në fakt po stërvitet për të reaguar me zemërim ndaj problemeve të jetës. Mund ta krahasojmë situatën e një fëmije me një bimë që i hidhet ujë i ndotur. Bima mund të rritet, por jo ashtu si duhet dhe ndoshta mund të pësojë dëmtim të përhershëm. Po kështu, zemërimi është si uji i ndotur dhe fëmijët që shohin shpesh shpërthime zemërimi, priren më shumë të kenë probleme me zemërimin kur të rriten

Qytetet e mbipopulluara

Në vitin 1800, rreth 3 për qind e popullsisë botërore jetonte në qytet. Në vitin 2008, kjo shifër arriti në 50 për qind dhe aty nga viti 2050, pritet të shkojë në 70 për qind. Ndërsa njerëzit dynden gjithnjë e më tepër nëpër qytete të mbipopulluara, ka të ngjarë që zemërimi dhe acarimi të arrijnë në nivele më të mëdha.  Për shembull, qyteti i Meksikos është një nga qytetet më të mëdha e më të populluara në botë. Bllokimi i trafikut është një burim i madh ankthi. Me rreth 18 milionë banorë dhe 6 milionë makina, qyteti i Meksikos «mund të jetë fare mirë kryeqyteti më i stresuar në botë», siç thotë një gazetar. «Trafiku është mjaft i rënduar dhe i bën njerëzit të marrin flakë kollaj.»

Në këto qytete ka edhe burime të tjera stresi, përfshirë ndotjen e ajrit, ndotjen akustike, mungesën e strehimit, përplasjet kulturore dhe shifrat e larta të krimeve. Ndërsa shkaktarët e stresit shtohen, njerëzit kanë prirjen të acarohen, të zemërohen dhe të humbasin durimin më lehtë.

Rënia ekonomike

Rënia ekonomike ka përhapur në mbarë botën stres dhe ankth. Në një raport të përbashkët të vitit 2010 nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës e Kombeve të Bashkuara (ILO), thuhet: «Sipas llogaritjeve, mbi 210 milionë njerëz  anembanë globit janë të papunë.» Mjerisht, shumica e atyre që janë pushuar nga puna, kanë ngelur në mes të katër rrugëve.

Edhe ata që janë në punë nuk është se janë pa ankthe. Sipas ILO-s, stresi që vjen nga puna, është një «epidemi globale». «Njerëzit kanë frikë se mos e humbasin punën dhe menjëherë mendojnë më të keqen»,—thotë Lorna Kërtisi, një këshilluese ndërmarrjesh në Ontario, Kanada, dhe shton se si rezultat «janë në pozita mbrojtjeje dhe kanë prirjen të zihen me shefin ose me kolegët».

Paragjykimet dhe padrejtësitë

Imagjino si do të ndiheshe sikur të merrje pjesë në një garë dhe të zbuloje se vetëm ty të kanë kërkuar t’i mbash këmbët të lidhura me zinxhir. Miliona njerëz ndihen njësoj kur përballen me paragjykimin racor ose me forma të tjera paragjykimi. Njerëzit irritohen kur hasin pengesa që nuk i lejojnë të sigurojnë punë, arsimim, strehim ose nevoja të tjera bazë.

Po kështu, edhe padrejtësi të tjera mund ta dërrmojnë shpirtërisht dikë dhe t’i shkaktojnë shumë dhembje emocionale. Mjerisht, shumë prej nesh në një moment a në një tjetër e kemi hequr mbi kurriz dhembjen që shkaktojnë padrejtësitë. Mbi tre mijë vjet më parë,  mbreti i mençur Solomon pohoi: «Pashë lotët e të shtypurve, por që s’kishin asnjë ngushëllues.» (Eklisiastiu 4:1) Kur padrejtësitë mbizotërojnë dhe mungon ngushëllimi, kushdo mund të mbushet kollaj me zemërim.

Industria e zbavitjes

Janë bërë mbi një mijë studime për të përcaktuar ndikimin që ka te fëmijët dhuna në televizor dhe në mjetet e tjera të informacionit. Xhejms P. Stejëri, themeluesi i Common Sense Media, thotë: «Brezi që ekspozohet vazhdimisht ndaj dhunës ekstreme e reale, rritet duke e pranuar gjithnjë e më tepër agresivitetin, duke e luftuar më pak brutalitetin dhe duke mos i lënë shumë vend dhembshurisë.»

Është e vërtetë se shumica e të rinjve që ekspozohen vazhdimisht ndaj akteve të dhunës në televizor, jo medoemos bëhen kriminelë mizorë. Por, media e zbavitjes shpesh e paraqet zemërimin e dhunshëm si një mënyrë të pranueshme për t’u përballur me vështirësitë, dhe ka dalë një brez i ri që është i pandjeshëm ndaj dhunës.

Ndikimi i frymërave të liga

Bibla tregon se në shumicën e rasteve, pas zemërimit të dhunshëm në tokë sot, fshihet një forcë e padukshme. Si është e mundur? Në fillimet e njerëzimit, një krijesë frymore u rebelua kundër Perëndisë së Plotfuqishëm. Kjo krijesë frymore e ligë quhet Satana, që në hebraisht do të thotë «Kundërshtar» ose «Armik». (Zanafilla 3:1-13) Më vonë, Satanai tërhoqi pas vetes engjëj të tjerë në rebelim.

Këta engjëj të pabindur, që njihen si demonë ose frymëra të liga, janë kufizuar në afërsi të tokës. (Zbulesa 12:9, 10, 12) Për më tepër, ata kanë «zemërim të madh», duke ditur se u ka mbetur shumë pak kohë. Prandaj, edhe pse nuk mund t’i shohim këto frymëra të liga, ndiejmë ndikimin e veprimtarisë së tyre. Si?

Satanai dhe hordhitë e demonëve shfrytëzojnë prirjet tona mëkatare duke na joshur që të përfshihemi në ‘armiqësi, konflikt, xhelozi, shpërthime zemërimi, grindje, përçarje dhe gjëra si këto’.—Galatasve 5:19-21.

T’i rezistojmë prirjes

Vërtet, kur mendojmë për gjithë këto probleme, presione dhe ankthe, e kuptojmë se përse njerëzit acarohen ndërsa përpiqen të përmbushin përgjegjësitë e përditshme.

Prirja e brendshme për t’u zemëruar dhe për ta shfryrë zemërimin, mund të na vërë poshtë. Artikulli tjetër do të na tregojë se si mund ta mbajmë zemërimin nën kontroll.

[Kutia në faqen 5]

MUND TË KESH PROBLEME SERIOZE ME ZEMËRIMIN NËSE . . .

▶ nxehesh duke pritur në radhë në dyqan.

▶ grindesh shpesh me kolegët e punës.

▶ herë pas here nuk të zë gjumi ngaqë bluan gjërat që të kanë mërzitur gjatë ditës.

▶ e ke të vështirë t’i falësh ata që të kanë fyer.

▶ të ndodh shpesh të mos i kesh nën kontroll emocionet.

▶ pasi e ke shfryrë zemërimin shpesh të vjen turp ose pendohesh. *

[Shënimi]

^ par. 36 Informacione të bazuara te MentalHelp.net.

[Kutia në faqen 6]

STATISTIKA MBI ZEMËRIMIN

Fondacioni për Shëndetin Mendor në Londër, Angli, botoi një raport me titull Pika e vlimit—Zemërimi problematik dhe si ta mbajmë nën kontroll (anglisht). Ndër përfundimet e rëndësishme të këtij raporti ishin edhe këto statistika:

84% e punonjësve ndihen më të stresuar në punë se pesë vjet më parë.

65% e punonjësve në zyra ose kanë kaluar vetë krizë nervash ose kanë parë kolegët në krizë nervash.

45% e personelit shpesh nxehen në punë.

Deri 60% e mungesave në punë vijnë nga stresi.

33% e britanikëve janë kaq të zemëruar me fqinjët, sa nuk u flasin me gojë.

64% e njerëzve mendojnë ose janë të sigurt se prirja për t’u zemëruar është në rritje.

32% thonë se kanë një mik të ngushtë ose dikë në familje që ka probleme me kontrollimin e zemërimit.

[Figura në faqen 5]

Ç’ndikim mund të kenë shpërthimet e tua të zemërimit te fëmijët?

[Figura në faqen 6]

A e modelon industria e zbavitjes pikëpamjen tënde për zemërimin dhe agresivitetin?