Ain-Jaluti—Një pikë kthese në historinë botërore

KALORËS të egër vërshuan nga Mongolia duke shkretuar çdo qytet që nuk pranonte të dorëzohej. Në shkurt të vitit 1258, u lëshuan gjithë furi kundër Bagdadit dhe hapën të çara në muret e tij. Vranë e plaçkitën për një javë rresht. E gjithë bota islamike dridhej nga frika e mongolëve. *

Në janar të 1260-ës, ndërsa mongolët shkonin drejt perëndimit, Halebi i Sirisë pësoi të njëjtin fat si Bagdadi. Në mars, Damasku hapi portat dhe u dorëzua. Pak më pas, mongolët shtinë në dorë qytetet palestineze të Nablusit (afër qytetit të lashtë të Sikemit) dhe të Gazës.

Hulagu, gjenerali mongol, kërkoi që edhe sulltan Al Muzafar-Saif al Din-Kutuzi, sundimtari mysliman i Egjiptit, të dorëzohej. Nëse nuk dorëzohej, Hulagu e kërcënoi se Egjipti do të vuante të njëjtat pasoja të hidhura. Ushtria e Hulagut ishte 15 herë më e madhe në numër se ushtria egjiptiane prej 20.000 luftëtarësh. «Bota myslimane u gjend përballë zhdukjes»,—thotë profesori Nazir Ahmed, një historian i islamizmit. Çfarë duhej të bënte sulltan Kutuzi?

Kutuzi dhe mamlukët

Kutuzi ishte mamluk, një skllav me origjinë turke. Mamlukët kishin shërbyer si skllevër-ushtarë për sulltanët ajubidë të Kajros, Egjipt. Por në vitin 1250, këta skllevër rrëzuan  pronarët e tyre dhe morën në dorë sundimin e Egjiptit. Kutuzi, më parë një skllav-ushtar, mori pushtetin dhe u bë sulltan më 1259. Ishte një luftëtar i zoti që nuk kishte ndër mend të dorëzohej pa luftuar. Shpresat e tij për të mundur mongolët ishin të pakta. Por më pas ndodhën një sërë ngjarjesh që do të ndryshonin rrjedhën e historisë.

Hulagut i vajti fjala se Mangu, hani i madh në Mongolinë e largët, kishte vdekur. Duke parashikuar një luftë për pushtet në vendin e tij, Hulagu u tërhoq me pjesën më të madhe të ushtrisë. La pas një numër prej 10.000 deri 20.000 trupash, që sipas tij do të mjaftonin për të pushtuar Egjiptin. Kutuzi në këtë pikë kuptoi se situata ishte kthyer në favor të tij. Nëse donte t’i mposhtte pushtuesit, kjo ishte mundësia e tij.

Por midis Egjiptit dhe Mongolisë, gjendej një armik tjetër i myslimanëve, ushtritë e kryqëzatave që kishin hyrë në Palestinë për të marrë «Tokën e Shenjtë» për krishterimin. Kutuzi u kërkoi që ta linin të kalonte dhe të blinte furnizime për të luftuar mongolët në Palestinë. Kryqëzatësit pranuan. Në fund të fundit, Kutuzi ishte e vetmja shpresë që kryqëzatësit kishin për të hequr qafe mongolët, të cilët përbënin një shqetësim po aq të madh për ta, sa edhe për myslimanët.

Kështu, u poqën kushtet për një përleshje vendimtare midis mamlukëve dhe mongolëve.

Ain-Jaluti në Palestinë

Ushtritë e mamlukëve dhe të mongolëve u ndeshën në shtator të vitit 1260 në Ain-Jalut, në rrafshinën e Esdraelonit. Besohet se Ain-Jaluti shtrihej afër qytetit të lashtë të Megidos. *

 Historiani Rashid al Din thotë se mamlukët i çuan mongolët drejt pritës që u kishin ngritur në Megido. Kutuzi fshehu pjesën dërrmuese të kalorësisë në kodrat përreth rrafshinës dhe çoi përpara një numër të vogël ushtarësh që t’i provokonin mongolët të hidheshin në sulm. Mongolët menduan se ajo ishte e gjithë ushtria mamluke, kështu që u vërsulën drejt tyre. Pastaj Kutuzi i zuri në befasi. Urdhëroi formacionet rezervë të dilnin me galop nga vendi ku fshiheshin dhe ta sulmonin nga krahët ushtrinë mongole. Pushtuesit u mundën.

Kjo ishte disfata e parë mongole që kur kishin nisur mësymjen drejt perëndimit 43 vjet më parë. Megjithëse numri i trupave ushtarake ishte disi i vogël, beteja e Ain-Jalutit konsiderohet si një nga betejat më domethënëse të historisë. Ajo nuk lejoi që myslimanët të zhdukeshin, hodhi poshtë idenë që mongolët ishin të pamposhtshëm dhe e lejoi ushtrinë mamluke të rimerrte tokat e pushtuara.

Pas betejës së Ain-Jalutit

Mongolët u kthyen në zonën e Sirisë dhe të Palestinës shumë herë, por nuk përbënë më kurrë kërcënim për Egjiptin. Pasardhësit e Hulagut u vendosën në Persi, u kthyen në myslimanë dhe me kalimin e kohës u bënë përkrahës të kulturës islamike. Territori i tyre u njoh si ilhanati pers. Ilhanat do të thotë «hanat vartës».

Kutuzi nuk e gëzoi gjatë fitoren. U vra nga rivalët pak kohë më pas. Ndër këta rivalë ishte edhe Bajbarsi I, sulltani i parë i mbretërisë së ribashkuar të Egjiptit dhe Sirisë. Shumë e konsideronin këtë sundimtar si themeluesin e vërtetë të regjimit mamluk. Shteti i tij i sapoformuar, i mirëqeverisur dhe i pasur zgjati dy shekuj e gjysmë, deri në vitin 1517.

Gjatë asaj periudhe prej gati 250 vjetësh, mamlukët dëbuan kryqëzatësit nga Toka e Shenjtë, çuan përpara tregtinë e industrinë, lëvruan artet dhe ndërtuan spitale, xhami e shkolla. Nën sundimin e tyre, Egjipti u bë qendra e pashoqe e botës myslimane.

Beteja e Ain-Jalutit nuk ndikoi vetëm në Lindjen e Mesme. Ajo përcaktoi edhe udhën e civilizimit në Perëndim. «Nëse mongolët do të kishin pushtuar Egjiptin, pas kthimit të Hulagut ata do të mund të çanin përmes Afrikës së Veriut deri në ngushticën e Gjibraltarit»,—thuhet në revistën Saudi Aramco World. Ngaqë ndërkohë kishin arritur deri në Poloni, mongolët do ta kishin mbajtur Evropën nën një darë gjigante.

«A do të kishte ndodhur Rilindja evropiane nën këto rrethana?—pyet e njëjta revistë.—Bota sot do të kishte qenë shumë ndryshe.»

[Shënimet]

^ par. 2 Për më shumë informacion mbi mongolët dhe pushtimet e tyre, shih revistën Zgjohuni! majit 2008.

^ par. 11 Ngaqë shumë beteja vendimtare janë bërë në këtë zonë, nga fjala «Megido» merr emrin beteja e njohur e Harmagedonit, që në hebraisht është Harmagedon. Bibla e lidh Harmagedonin me «betejën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm».—Zbulesa 16:14, 16, Authorized Version.

[Harta në faqen 12]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Damask

SIRI

M. Tabor

Rrafshina e Esdraelonit

Ain-Jalut (afër Megidos)

Nablus (Sikem)

Jerusalem

Gazë

EGJIPT

[Figura në faqen 12]

Vendi ku ndodhej qyteti i lashtë i Megidos

[Figura në faqen 13]

Ushtritë e mamlukëve dhe të mongolëve u ndeshën në shtator të vitit 1260 në Ain-Jalut, në rrafshinën e Esdraelonit

[Burimi]

Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.

[Figura në faqen 14]

Gërmadhat e qytetit të lashtë të Sikemit, me një pjesë të qytetit të sotëm të Nablusit në sfond