«Me Korin kam mësuar shumë gjëra. Kur jam me të, njoh njerëz të rinj, provoj gjëra të reja dhe argëtohem kudo që shkojmë. Miqësia me të më ka ndryshuar jetën në kuptimin e plotë të fjalës.»—Tara. *

A të duket kjo lloj miqësie tepër e bukur për të qenë e vërtetë? Nëse po, mos u shkurajo. Përreth teje ka mjaft miq të mundshëm. Ky artikull do të të ndihmojë të kuptosh se cilët janë ata.

«JAM e rrethuar nga miq, por miq nuk kam.» Kështu e përshkruan Shejna 21-vjeçare situatën kur je i rrethuar nga shumë njerëz, por nuk ndihesh i lidhur ngushtë me asnjë prej tyre. Kjo ndjesi mund të jetë më se e zakonshme sidomos mes miqve në rrjetet shoqërore. «Mund të kesh një listë të gjatë miqsh, mund të kesh popullaritet dhe mund të dukesh tip fantastik,—thotë Serena 22 vjeçe,—por në realitet ajo listë mund të jetë e mbushur me të njohur sa për numër.» *

Çfarë do të preferoje ti: qindra emra e adresa në Internet apo disa miq të vërtetë? Megjithëse të dyja grupet kanë të mirat e tyre, miku i vërtetë të ndihmon në vështirësi e madje të ndihmon të bëhesh njeri më i mirë. (1 Korintasve 16:17, 18) Mendo për karakteristikat e mëposhtme për të kuptuar se cili nga ata që njeh tashmë po shfaq cilësitë e një miku të vërtetë.

MIKU I VËRTETË ËSHTË I BESUESHËM

«Shoqja ime më tregonte sekretet e veta dhe nga kjo mendova që mund t’i besoja edhe të miat. Prandaj, një ditë i thashë se më pëlqente një çun. Çfarë gabimi! Ajo menjëherë e përhapi gjithandej!»—Beverli.

«Mund t’i tregoj çdo gjë shokut tim, Alanit, dhe jam i sigurt se nuk do ta tregojë sa andej-këtej.»—Kalvini.

Cili prej të rinjve më sipër ka një mik të vërtetë? Cilit prej miqve të tu do t’ia besoje gjërat e tua pa problem? * Bibla thotë se «shoku i vërtetë të do në çdo kohë».Proverbat 17:17.

 Më poshtë shkruaj emrat e dy miqve që kanë treguar se janë të besueshëm.

  1. ․․․․․
  2. ․․․․․

MIKU I VËRTETË ËSHTË VETËMOHUES

«Në çdo shoqëri, ka momente kur njëri është mirë dhe tjetri jo aq mirë. Miku i vërtetë e kupton kur ti nuk je mirë dhe vepron menjëherë për të të ndihmuar. Sigurisht, ky mik ka besim se edhe ti do të veprosh po njësoj kur ai të ketë nevojë.»—Keli.

«Kur vdiq mami, sapo kisha njohur një shoqe. Megjithëse në atë kohë nuk ishim shoqe të ngushta, e kishim lënë të shkonim bashkë në një dasmë. Ndodhi që fjalimi i funeralit të mamit do të mbahej në të njëjtën ditë me dasmën. U habita kur pashë se ajo erdhi në fjalimin e funeralit në vend që të shkonte në dasmë. Aty e kuptova që ishte një mike e vërtetë.»—Lina.

Cili nga miqtë e tu tregon një frymë vetëmohuese? Miku i vërtetë ‘vazhdimisht kërkon jo përfitimin e vet, por atë të tjetrit’.1 Korintasve 10:24.

Më poshtë, shkruaj emrat e dy miqve që kanë treguar frymë vetëmohuese.

  1. ․․․․․
  2. ․․․․․

MIKU I VËRTETË TË NDIHMON TË BËHESH NJERI MË I MIRË

«Disa pretendojnë që t’u qëndroj besnike ose t’i përkrah edhe nëse kjo do të thotë të thyej parimet e mia ose të veproj kundër asaj që më thotë ndërgjegjja. Këta nuk janë miq të vërtetë.»—Nadina.

«Motra është shoqja ime më e mirë. Ajo më nxit të mos shoh rehatinë time dhe më ndihmon të jem më e shoqërueshme. Më thotë të vërtetën edhe pse nuk është ajo çfarë dua të dëgjoj.»—Emi.

«Kur kalova një periudhë të vështirë, miqtë ishin ata që nuk më fërkonin kokën, por më jepnin këshilla të sinqerta. Kurse të tjerët prisnin t’i kapërceja vetë problemet ose përpiqeshin të më hiqnin mendjen. Nuk e kuptuan që kishte diçka që nuk shkonte.»—Miki.

«Shoqja ime sheh potencialin tim si askush tjetër dhe më nxit të arrij synimet. Më flet troç kur duhet—dhe kjo më pëlqen shumë.»—Elejna.

A të ndihmojnë miqtë të arrish maksimumin tënd apo të duhet të ulësh standardet e tua vetëm e vetëm që të të pranojnë? Te Proverbat 13:20 thuhet: «Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur, por atij që shoqërohet me budallenjtë, do t’i shkojë keq.»

Më poshtë, shkruaj emrat e dy miqve që të kanë ndihmuar të bëhesh njeri më i mirë.

  1. ․․․․․
  2. ․․․․․

Hidhu një sy emrave që shkrove në tri pjesët më lart. Nëse njëri nga emrat shfaqet në të trija, ai është mik i vërtetë. Por, nëse e pate të vështirë të gjeje dikë që i ka këto karakteristika, të mos të lëshojë zemra. Ka shumë të ngjarë që përreth ke njerëz që në të ardhmen  mund të bëhen miqtë e tu. Thjesht mund të duhet më tepër kohë për t’i gjetur. * Ndërkohë, bëj më të mirën tënde që ti vetë të jesh një shok i mirë. «Gjithmonë përpiqem t’u gjendem afër miqve të mi,—thotë Elena 20-vjeçare.—Kur kanë nevojë për diçka, u ofroj ndihmën time. Kur kanë nevojë për të folur, jam gati për t’i dëgjuar. Kur u vjen për të qarë, u ofroj mbështetjen time.»

Në të vërtetë, mund të kesh shumë të njohur, dhe kjo është më mirë se t’i kufizosh miqësitë vetëm brenda një grupi. (2 Korintasve 6:13) Por, a nuk do të doje të kishe edhe disa miq të vërtetë që ‘të bëhen vëllezër në ditë të vështira’? (Proverbat 17:17) «Është mirë të njohësh shumë njerëz—thotë Xhini 20-vjeçare,—por kjo është si të kesh një dollap plot me rroba që duken të bukura në varëse, por që jo të gjitha të bëjnë. Gjithmonë vesh po ato pak rroba që e di se janë të përshtatshme për ty. E njëjta gjë është edhe me miqtë.»

^ par. 3 Disa emra në këtë artikull janë ndryshuar.

^ par. 5 Për më shumë informacion për rrjetet shoqërore, shih rubrikën «Të rinjtë pyesin» te revista Zgjohuni! e korrikut dhe e gushtit 2011.

^ par. 10 Ndonjëherë nuk është e mençur ta mbash diçka konfidenciale—për shembull në rastet kur një shok ka bërë një gabim serioz, ka menduar të vrasë veten ose është përfshirë në ndonjë lloj sjelljeje vetëshkatërruese. Për më tepër informacion, shih revistën Zgjohuni! të dhjetorit 2008, faqet 19-21 dhe të majit 2008, faqet 26-29.

^ par. 30 Për më shumë informacion, shih artikullin «Të rinjtë pyesin . . . A kam nevojë për shokë më të mirë?» te Zgjohuni! i marsit 2009.