Vendi i kullave​—Svaneti Malor

TË KAPUR fort pas trarëve të çatisë, u përkulëm para dhe nxorëm kokën nga maja e kullës së gurtë 800-vjeçare në Gjeorgji. Nga ajo pikë vrojtimi rreth 25 metra lart, pamë gjithandej në fshatin e Mestjas, qendra rajonale e Svanetit, plot kulla të tjera të lashta.

Lugina që zbriste butë, e shtruar me qilim të gjelbër, spikaste në sfondin e paanë të çukave krenare me borë  që shponin qiellin përqark nesh. Na bëri për vete ai vend i moçëm e na u duk sikur ishim kthyer pas në epokën e mesjetës. Ç’është e vërteta, një synim i udhëtimit tonë kishte qenë të shihnim kullat e famshme të Svanetit.

Një shëtitje në ato vise

Udhëtimi ynë për në bjeshkët e larta të Svanetit nisi nga qyteti i Zugdidit, Gjeorgji, afër Detit të Zi. Mëngjesi ishte i kthjellët dhe mund t’i shihje prej aty majat e bardha madhështore. Mbërritëm në lumin Inguri dhe dalëngadalë përshkuam grykën e tij gjarpërushe. Në atë zonë pyjore harlisen fiere, azale, dafina të egra dhe grumbuj rododendrash të Kaukazit me lule ngjyrë kremi.

Kur ra mbrëmja, grupi ynë kishte mbërritur në fshatin piktoresk të Beçës. Ai shtrihet rrëzë malit të Ushbas me bukuri magjepsëse, me dy maja graniti që kapin retë. Ashtu si fluturat e natës që grishen nga drita e qiriut, alpinistët tërhiqen nga lartësitë e thikta e të akullta të malit të Ushbas. Ky mal me lartësi 4.710 m shpesh quhet «Materhorni i Kaukazit».

Të kapitur e të uritur nga udhëtimi, ndalëm një bari, i blemë një dele dhe përgatitëm darkën. Pas pak, të mbledhur rreth zjarrit dhe me mikpritjen e ngrohtë të miqve tanë svanë, shijuam msvadi ose shishqebap për të lëpirë gishtat. U shërbye me lavash taze​—një pite gjeorgjiane që piqet në furrë druri. Për ta mbyllur, shijuam një gotë Saperavi, një verë e kuqe e thatë dhe e fortë që bëhet në Gjeorgji.

Të nesërmen në mëngjes, udha na çoi në Mestja. Atje, tek soditnim nga kulla e përmendur në fillim të artikullit, arritëm në përfundimin se Svaneti është një nga rajonet malore më të bukura në botë. Afro 45 km nga Mestja, strukur akoma më thellë mes maleve, ndodhet fshati i Ushgulit. Fshatarët e atyre anëve jetojnë në lartësi deri në 2.200 m. Ushgulin e kanë quajtur «fshati më i lartë i Evropës i banuar gjithë vitit».

Për të vajtur atje, morëm një shteg të vetmuar që ngjitet përpjetë malit dhe kalon buzë greminash të thepisura me një lumë përfund. Më në fund, kur mbërritëm në Ushguli, u shpërblyem me një panoramë të paharrueshme​—shtëpi grumbuj-grumbuj përqark kullave mesjetare. Në sfond dukej mali vigan i Shkarës. Manteli i tij i bardhë vezullues spikaste bukur në të kaltrën e feksur të qiellit alpin.

Mali i Shkarës me lartësi 5.201 m, më i larti në Gjeorgji, bën pjesë në Murin e Bezengit, një varg majash thuajse me të njëjtën lartësi që shtrihen për 12 km. Ato janë pjesë e vargmalit Kaukazi i Madh me gjatësi 1.207 km. Ngado që hidhnim sytë, shihnim lugina të bleruara me pamje spektakolare. Veçse ato janë të paarritshme dhe atje mund të shkojnë vetëm sypatremburit ose ata që e quajnë Svanetin shtëpinë e tyre.

Banorët e vendit

Svanët e Svanetit të Sipërm janë një popull i moçëm që kanë gjuhën e vet amtare. Që në lashtësi, njiheshin si popull që nuk pranonte padron mbi krye. Në shekullin e 18-të, një eksplorues komentoi se svanët kishin «kuptuar idealin e ri të një shoqërie ku vullneti i lirë i individit qëndron mbi gjithçka tjetër».

Svaneti e gëzonte këtë liri të veçantë falë dy faktorëve. Së pari, vargmalet tejet të larta shërbenin si pengesë që e izolonte popullsinë nga bota e jashtme dhe e mbronte nga  pushtuesit. Së dyti, kullat ruanin pavarësinë e çdo familjeje. Ishin një mbrojtje nga armiqtë e nga fshatrat fqinje, që herë-herë bëheshin armiqësore, si edhe nga ortekët që varrosnin nën borë ndërtesat më të vogla.

Jeta në kullë

Na ftuan të vizitonim kullën e një familjeje svane që daton nga shekulli i 12-të. Fortesa përbëhej nga dy pjesë kryesore​—kulla, e quajtur murkvam, dhe shtëpia me të cilën lidhej, e quajtur kor. Në katin e parë të korit ishte një oxhak i madh, burimi i ngrohtësisë dhe i dritës. Binte në sy edhe një fron i madh druri për patriarkun, që kryesonte familjen e madhe, ku përfshihej gruaja e tij, djemtë dhe nuset e djemve. Çdo gruaje i caktoheshin punët e shtëpisë sipas një radhe. Atyre u duhej të bluanin miellin, të gatuanin bukën, të pastronin shtëpinë, të ushqenin kafshët dhe të mbanin ndezur zjarrin në vatër.

Kulla gjigante ishte ndërtuar me gurë dhe mbulohej nga një suva e trashë e zbërdhulët. Kishte katër kate që ngriheshin mbi shtëpinë dykatëshe. Kur kaluam nga shtëpia në kullë, na u deshën pak çaste që të na mësoheshin sytë me dritën e mekur. Katet e poshtme të kullës përdoreshin si qilar për të mbajtur ujë, miell, fruta, djathë, verë dhe mish.

Në rast rreziku, familja flinte në tri katet e para të kullës. Kati i sipërm, mbuluar me çati me rrasa guri, shërbente kryesisht si shesh luftimesh me frëngji në murin e ulët. Një vizitor i shekullit të 19-të tha se, meqë nuk kishte «asnjë lloj autoriteti vendor që të vinte në zbatim vendimet, punët zgjidheshin rëndom me armë». Kështu, çdo familje ishte e përgatitur të luftonte për t’u mbrojtur.

Rrugës së kthimit na gufonte zemra nga mirënjohja për Jehovain tek sillnim ndër mend bukuritë e krijimit të tij madhështor në Svaneti. Ata që jetuan qëmoti në ato kulla, kanë shpresën të jetojnë në botën e re të Perëndisë. Atëherë askujt nuk do t’i duhet të ngrejë një kullë a fortesë që të mbrohet. Pse? Sepse, siç premton Bibla, atëherë njerëzit «kanë për t’u ulur secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet, dhe askush nuk do t’i trembë».​—Mikea 4:4; Romakëve 8:21, 22.

[Burimi i figurës në faqen 16]

Lart: Paata Vardanashvili