Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Një botë pa terrorizëm: A është e mundur?

Një botë pa terrorizëm: A është e mundur?

 Një botë pa terrorizëm: A është e mundur?

«DUHET të bëjmë çmos . . . që të depërtojmë në zemra dhe mendje.» Ky përfundim u arrit pasi u studiuan për 20 vjet veçoritë e personalitetit të të ashtuquajturve terroristë.

Por, çfarë mund t’i ndryshojë zemrat dhe mendjet e njerëzve që janë zhytur thellë në aktivitete të dhunshme e hakmarrëse?

Një libër që ndryshon zemrën

Gjatë viteve 90, Hafeni nisi të shqyrtonte bindjet e veta fetare dhe vendosi të gjente një Bibël. Ai thotë: «E fillova nga Ungjijtë [librat biblikë të Mateut, Markut, Lukës e Gjonit], që përmbajnë historinë e jetës së Jezuit. Ndërsa lexoja, më bëri shpejt për vete personaliteti i Jezuit dhe dashamirësia e paanshmëria që tregonte ndaj njerëzve. Kjo ma ngrohu zemrën.»

Hafeni thotë se, ndërsa lexonte më tej, një fragment biblik, pra Veprat 10:34 e 35, i hapi sytë. Në të thuhet: «Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet  atij dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai.»

Hafeni shprehet: «Arrita në përfundimin se vetë njerëzit janë përgjegjës për krenarinë fisnore, nacionalizmin e paragjykimet raciale. E kuptova se mesazhi i Biblës mund të na e ndryshojë mënyrën si mendojmë dhe se gjëja më e rëndësishme në jetë është të kesh një emër të mirë para Perëndisë. Kjo ka më tepër vlerë sesa të luftosh për një fis, racë a ngjyrë të caktuar.»

Hoseba, i cituar në artikullin e mëparshëm, ishte kreu i një grupi të vogël komando që planifikoi të hidhte në erë një rajon policie. «Por, para se ta realizonim sulmin,—shpjegon Hoseba,—më arrestuan dhe kalova dy vjet në burg.» Më vonë, e shoqja, Lusi, nisi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Me kohë edhe Hoseba u përfshi në ato biseda.

Ai kujton: «Ndërsa e njihja më mirë Jezuin, ai u bë shembulli që doja të ndiqja. Më preku kjo deklaratë e tij: ‘Të gjithë ata që marrin shpatën, nga shpata do të vdesin.’ E dija sa e vërtetë ishte.» (Mateu 26:52) Hoseba thotë: «Kur vret dikë, vetëm sa ngjall urrejtje dhe dëshirën për hakmarrje te familjarët e tij. Dhuna sjell veç dhembje, jo një botë më të mirë.» Hoseba filloi të ndryshonte mënyrën e të menduarit.

Si Hafeni, edhe Hoseba e provuan vetë se mësimet e Biblës mund të kenë ndikim të fuqishëm në jetë. Bibla thotë se «fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi» dhe se mund të dallojë «qëllimet e zemrës». (Hebrenjve 4:12) Falë fuqisë së Fjalës së Perëndisë, shumë njerëz kanë ndryshuar mendimet dhe veprimet e tyre. Por, a ka prova se ata që i zbatojnë vërtet mësimet e Biblës gëzojnë unitet anembanë botës?

 Një vëllazëri e ngritur mbi dashurinë

Hafeni filloi të ndiqte mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait dhe u prek thellë kur pa harmoninë mes racave. Ai thotë: «Për mua ishte tepër emocionuese të ulesha bashkë me të bardhët. Kurrë s’mendoja se gjatë jetës sime do të kisha mundësi ta quaja vëlla një të bardhë. Kjo ma përforcoi bindjen se Dëshmitarët duhej të kishin fenë e vërtetë, sepse gëzonin mes tyre atë unitet që e dëshiroja me zjarr dhe e donin njëri-tjetrin, pavarësisht nga ndryshimet raciale.»

Jezui tha se dishepujt e tij të vërtetë do të dalloheshin nga ‘dashuria për njëri-tjetrin’. (Gjoni 13:34, 35) Veç kësaj, ai nuk pranoi të përzihej në konfliktet politike dhe u tha dishepujve: «Nuk jeni pjesë e botës.» (Gjoni 6:15; 15:19; Mateu 22:15-22) Dashuria dhe asnjanësia karakterizonin krishterimin e vërtetë në ato kohë, ashtu si edhe sot.

Zbatimi i mësimeve të Jezuit

Mirëpo, si mund të mbijetojë dashuria me gjithë ndikimet e fuqishme përçarëse që pjellin terrorizmin? Kur problemet politike ngjallin armiqësi, besnikëria ndaj racës, kombit a rrënjëve etnike shpesh i ndërsen njerëzit ose kombet kundër njëri-tjetrit.

Për shembull, në vitin 1914, krenaria etnike e shtyu Gavrilo Principin të vriste arkidukën Franc Ferdinand, trashëgimtarin e fronit të Austro-Hungarisë. Principi bënte pjesë në një organizatë të quajtur Dora e Zezë. Sipas manifestit të saj, ajo preferonte t’i arrinte synimet me «luftë revolucionare, jo me . . . përpjekje kulturore». Vrasja ishte shkëndija e luftës mes kombeve të ashtuquajtura të krishtere, që përfundoi si Lufta I Botërore dhe çoi në vdekjen e miliona ushtarëve që pretendonin se ndiqnin Jezuin, ‘Princin e Paqes’.​—Isaia 9:6.

Si mbaroi lufta, një klerik i njohur, Herri Emerson Fosdiku, bëri me faj krerët që e mbanin veten për të krishterë, pasi nuk i kishin mësuar besimtarët e tyre të ndiqnin shembullin e Jezuit. «I kemi mëkuar njerëzit për luftë,​—shkroi ai.—​I kemi shndërruar luftëtarët në heronjtë tanë, e deri edhe në kishat tona i kemi vënë flamujt e luftës.» Fosdiku përfundoi: «Me gjysmë goje i kemi dhënë lavdi Princit të Paqes, me gjysmën tjetër i kemi dhënë lavdi luftës.»

Në kontrast me këtë, një studim sociologjik i botuar më 1975, thoshte: «Gjatë dy luftërave të mëdha botërore dhe konflikteve të mëvonshme ushtarake të ‘Luftës së Ftohtë’, Dëshmitarët e Jehovait kanë mbajtur përherë qëndrimin e ‘asnjanësisë së krishtere’ jo të dhunshme.» Paçka se u keqtrajtuan dhe u  burgosën, Dëshmitarët «kurrë nuk u kundërpërgjigjën me dhunë». Studimi nxirrte përfundimin: «Mësimet e Dëshmitarëve të Jehovait burojnë nga bindja e tyre se Bibla është fjala e frymëzuar e Perëndisë.»

Vlera e zbatimit të mësimeve të Biblës

Një ish-kryeministër i Belgjikës mori nga një fqinj një libër për jetën e Jezuit me titull Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë dhe i la mbresa të thella ajo që lexoi. Ai i shkroi fqinjit: «Duket qartë që, nëse njerëzit do të ishin më të interesuar për mesazhin e Ungjillit dhe do të vinin në jetë parimet e Jezu Krishtit, bota sot do të ishte krejt ndryshe.»

Pastaj shtoi: «Nuk do të kishim nevojë për Këshillin e Sigurimit; as do të kishte sulme terroriste dhe dhuna do të merrte fund.» Sidoqoftë, arriti në përfundimin: «E gjithë kjo është thjesht një ëndërr.» Por, a është vërtet kështu? Qysh sot, mes një bote të zhytur në dhunë, Fjala e Perëndisë ka ndihmuar sa e sa njerëz të çdo lloji t’i kthejnë krahët dhunës dhe ta lënë pas mllefin e mbledhur nga dekada të tëra me gjakderdhje të shfrenuara.

Siç u tregua në artikullin e parë, Andrea desh u vra nga një bombë që i mori jetën disa miqve të tij. Atë e kishte vënë një grup militant. Më pas, mësoi dhe zbatoi këshillën e Biblës që ‘të falim bujarisht’. (Kolosianëve 3:13) Kohë më vonë, Hafeni, që vite pas shpërthimit të asaj bombe u bë pjesëtar i grupit militant, mësoi të jetonte sipas parimeve biblike dhe hoqi dorë nga dhuna. (Psalmi 11:5) Tani, që të dy janë Dëshmitarë të Jehovait dhe punojnë bashkë në një zyrë përkthimi të Dëshmitarëve në një shtet afrikan.

Besim i plotë te një e ardhme e sigurt

Falë studimit të Biblës, miliona njerëzve në mbarë botën po u forcohet besimi te një e ardhme e sigurt. Për shembull, një ditë Andrea po i tregonte një fqinji premtimin e Biblës për një botë të re të drejtë. (Isaia 2:4; 11:6-9; 65:17, 21-25; 2 Pjetrit 3:13) Papandehur, disa ushtarë me automatikë rrethuan shtëpinë dhe e urdhëruan Andrean të dilte që ta merrnin në pyetje. Pasi morën vesh se ishte mësues i Biblës dhe se fqinji e vlerësonte shumë, ushtarët u larguan.

Andrea sapo i kishte shpjeguar se Perëndia do të ndërhyjë në çështjet e njerëzimit, siç kishte bërë në ditët e Noesë kur ‘toka ishte mbushur me dhunë’. (Zanafilla 6:11) Perëndia i dha fund botës së atëhershme me anë të një përmbytjeje globale dhe ruajti gjallë Noenë paqedashës tok me familjen e tij. Për këtë, Jezui tha: «Ashtu siç ishin ditët e Noesë, ashtu do të jetë edhe prania e Birit të njeriut.»​—Mateu 24:37-39.

Jezui, ‘Biri i njeriut’, është zgjedhur nga Perëndia si Sundimtari i një qeverie qiellore të quajtur Mbretëria e Perëndisë dhe së shpejti do t’u prijë forcave qiellore të Perëndisë për të fshirë dhunën nga toka. (Luka 4:43) Kur Jezui të sundojë si Mbret qiellor, «i drejti do të lulëzojë, dhe paqja do të jetë pa fund». Ai do t’i mbrojë nënshtetasit e vet «nga shtypja dhe dhuna».​—Psalmi 72:7, 14.

Kështu, të gjithë ata që e duan drejtësinë dhe bëhen nënshtetas të këtij Mbreti qiellor, do të shohin shndërrimin e tokës në një parajsë ku mbretëron paqja. (Luka 23:42, 43) Bibla premton se ‘paqja e drejtësia’ do të shtrihen në mbarë «malet dhe kodrat».​—Psalmi 72:1-3.

A nuk do t’ju pëlqente të jetonit në një botë të sunduar nga ky mbret? Pa dyshim që në të nuk do të ketë gjurmë terrorizmi.

[Diçitura në faqen 7]

Si Hafeni, edhe Hoseba e provuan vetë se mësimet e Biblës mund të kenë ndikim të fuqishëm në jetë

[Diçitura në faqen 9]

‘Nëse njerëzit do të vinin në jetë parimet e Jezu Krishtit, bota sot do të ishte krejt ndryshe. Nuk do të kishim nevojë për Këshillin e Sigurimit; as do të kishte sulme terroriste dhe dhuna do të merrte fund.’​—Një ish-kryeministër i Belgjikës

[Figura në faqen 8]

Zbatimi i parimeve biblike i ka ndihmuar Hafenin dhe Andrean ta duan nga zemra njëri-tjetrin