Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Kur moti ktheu rrotën e historisë

Kur moti ktheu rrotën e historisë

 Kur moti ktheu rrotën e historisë

HISTORIA flet për raste të jashtëzakonshme ku moti luajti rol thelbësor në përfundimin e ngjarjeve. Të shohim vetëm dy shembuj.

Ndërsa rrihte stuhia

Në vitin 1588, Filipi, mbreti i Spanjës, dërgoi një flotë anijesh të quajtur Armata Spanjolle, që të pushtonte Anglinë. Mirëpo, gjërat nuk shkuan sipas planit, sepse moti u prishi punë.

Flota spanjolle hyri në ngushticën La Mansh ku e priste një flotë angleze. Anijet angleze, që ishin më të manovrueshme, u përleshën me anijet spanjolle, por nuk u sollën shumë dëme. Atëherë Armata Spanjolle hodhi spirancat në Kalé, pasi ishte urdhëruar të merrte trupa për pushtimin e planifikuar të Anglisë.

Ndërkaq, nën velin e errësirës, anglezët i vunë zjarrin disa anijeve të tyre pa njeri në bord. Me ndihmën e erës dhe të rrymës, ato lundruan drejt e tek anijet e ankoruara spanjolle. Shumë nga këto të fundit këputën spirancat që të mos përplaseshin me anijet zjarrvënëse. Më vonë, ky veprim u solli gjëmën spanjollëve.

Pas incidentit në Kalé, të dyja flotat u drejtuan për në Detin e Veriut, me erën nga pas. Mirëpo, flotës angleze i kishte mbetur pak barut, ndaj u zmbraps drejt bregdetit anglez. Ngaqë erën e kishte kundër dhe anglezët i kishin prerë rrugën për në Spanjë, spanjollët u detyruan të lundronin drejt veriut, përqark Skocisë, pastaj morën për në jug, derisa lanë pas Irlandën dhe në fund u kthyen në Spanjë.

Por tani, flota spanjolle ishte në krizë për ushqime e ujë. Veç kësaj, në anijet e dëmtuara kishte plot marinarë të plagosur dhe shumë të tjerë me skorbut. Për pasojë, gjithë flota merrte racione aq të vogla sa mezi mbante shpirtin gjallë, e kjo i dobësoi më tepër ekuipazhet.

Pasi i ranë përqark Skocisë, një stuhi e tërbuar nga Atlantiku i flaku anijet  drejt brigjeve të Irlandës. Normalisht, mbrojtja do të ishte të hidhnin spirancat e të pritnin erërat e mbara. Mirëpo, ngaqë shumë spiranca i kishin këputur kur u ndeshën me anijet zjarrvënëse, 26 anije spanjolle u bënë copë e çikë në brigjet irlandeze dhe 5.000-6.000 burra humbën jetën.

Kur Armata u kthye më në fund në Spanjë, gati 20.000 veta kishin gjetur vdekjen. Është e qartë se moti ishte faktori vendimtar për këtë humbje të rëndë në njerëz dhe anije. Me sa duket, edhe holandezët, aleatë të anglezëve, mendonin kështu. Më vonë, në një emblemë që përkujtonte disfatën e Armatës Spanjolle, ata i bënë jehonë besimit të përhapur se Perëndia ka gisht në katastrofat natyrore. Në emblemë gdhendën fjalët: «Jehovai fryu dhe ata u shpartalluan.»

Të mposhtur nga shiu

Një tjetër ngjarje që ndryshoi botën dhe ku ndikoi shumë moti, ishte Beteja e Vaterlosë më 1815. Historia tregon se në fushëbetejën e Vaterlosë, afro 21 km në jug të Brukselit, Belgjikë, brenda pak orësh u vranë e u plagosën mbi 70.000 veta. Duka britanik i Uellingtonit zgjodhi fushën e betejës dhe mbajti pikën e lartë strategjike. Edhe pse ushtria franceze e Napoleonit i linte në hije trupat e Uellingtonit, Napoleoni duhej ta mundte armikun para se të errej, sepse Uellingtonit atë natë do t’i vinin përforcime nga ushtria prusiane. Megjithatë, edhe këtë herë moti luajti rol të rëndësishëm.

Ç’rrebesh ra natën para betejës! Pjesa dërrmuese e ushtarëve e kujtonin atë natë si më të zezën e jetës së tyre. Edhe kur disa ushtarë ia dolën të ngrinin tenda të vogla, një prej tyre tha i dëshpëruar se krevatet ishin qull, sikur ndodheshin në fund të një liqeni. Toka, e ngopur nga shiu, u zbut aq sa u kthye në moçalishte. Që ta mundte sa më shpejt Uellingtonin, Napoleoni donte të hidhej në sulm me të shkrepur agimi. Mirëpo, u detyrua të priste disa orë.

Arsyeja kryesore e vonesës ishte që lluca duhej të thahej disi para se të fillonte beteja. Balta uli edhe efektshmërinë e topave të luftës, të preferuar për Napoleonin. Së pari, u zvogëlua rrezja e zjarrit, ngaqë artileria e rëndë mezi lëvizte nëpër llucë. Së dyti, gjylet duhej të binin në tokë e pastaj të bënin rikoshet, që t’i dëmtonin më keq trupat e Uellingtonit. Por nuk ndodhi kështu, sepse dheu i butë e i lagësht thithte shumë energji. Kjo ishte katastrofë për Napoleonin dhe trupat e tij. E pra, moti i tmerrshëm solli shpartallimin e ushtrisë së Napoleonit dhe internimin e atij vetë.

Në të dyja rastet e mësipërme, duket qartë se moti luajti rol vendimtar në ngjarje që tronditën botën. Këto zhvillime historike patën rol të rëndësishëm në ngritjen e Perandorisë Britanike si fuqi botërore.

[Figura në faqen 24]

Armata spanjolle

[Burimi]

© 19th era/​Alamy

[Figura në faqen 25]

Beteja e Vaterlosë

[Burimi]

© Bettmann/​CORBIS