«Doja vetëm të merrja postën»

«KURRË s’do ta harroj atë të hënë në mëngjes në postë,—kujton Andrea, një i bardhë nga Afrika e Jugut që jeton në Namibi.—Atje njerëzit ishin mizë lisi. Më zunë sytë diku afër një çantë të dyshimtë pa të zotin. Kërkova postën dhe u largova. Pasi kisha ecur me makinë veç dy-tre minuta, dëgjova një buçimë shurdhuese. Më pas mësova se kishte plasur një bombë një a dy metra larg vendit ku kisha qenë.»

Andrea shpjegon: «Doja vetëm të merrja postën. Por sa u trondita kur mora vesh se ishin bërë copë-copë njerëz të pafajshëm, shumë prej të cilëve i njihja. Akoma dridhem kur e mendoj, edhe pse kjo ka ndodhur mbi 25 vite të shkuara. Nganjëherë më vjen ndër mend kasaphana që pashë më vonë dhe e kuptoj se shpëtova për një fije nga vdekja.»

Problem global

Edhe pse mund të mos përjetosh kurrë një sulm si ky, ka shumë mundësi të keni dëgjuar se ngjarje të tilla ndodhin shpesh përqark botës. Gjithnjë e më shumë njerëz mundohen t’i arrijnë synimet e tyre duke përdorur dhunën ose ato që quhen zakonisht akte terroriste.​—Shih kutinë «Cilët janë terroristët?», në faqen tjetër.

Pas hulumtimeve, një gazetar vërejti se në vitin 1997 ekzistonin «vetëm katër vende ku ishin bërë rregullisht sulme kamikaze». Por, më 2008 ky kërkues shkroi se «më shumë se tridhjetë vende që ndodhen në çdo kontinent,  me përjashtim të Australisë dhe Antarktidës, kanë përjetuar pasojat shkretuese të sulmeve kamikaze». Ai nxori përfundimin se sulme të tilla «kryhen nga gjithnjë e më tepër organizata, që lënë më shumë viktima çdo vit».​—The Globalization of Martyrdom.

Të marrim sulmin e përmendur në fillim. Pjesëtarët e grupit që mori përsipër vënien e bombës, e quanin veten luftëtarë të lirisë. Ata po orvateshin të fitonin pavarësinë nga qeveria që sundonte asokohe në vendin e tyre. Por, çfarë i shtyn njerëzit të bëjnë gjëra të tilla për të arritur synimet? Të shohim përvojën e Hafenit.

Hafeni lindi në Zambie dhe u rrit në kampe refugjatësh në vendet fqinje. Ai thotë: «Isha i xhindosur nga mizoritë dhe padrejtësitë që kishin hequr familja ime e të tjerë.» Kështu u fut në grupin militant ku bënin pjesë prindërit e tij.

Ndërsa hedh vështrimin pas, Hafeni shton: «Pjesa më e trishtueshme e historisë ishte dëmi emocional i jetës si refugjat. Fëmijët ndaheshin me dhunë nga nënat, baballarët, motrat e vëllezërit. Më të mëdhenjtë i çonin në luftë dhe shumë nuk ktheheshin kurrë. Tim atë s’e pashë asnjëherë, as në fotografi. Dija vetëm që kishte vdekur duke luftuar. Vragat emocionale i kam ende sot.»

S’diskutohet, çështja është e koklavitur. Duke e parë më thellë, do të kuptoni çfarë duhet që njerëzimi të mos përjetojë kurrë më një dhunë të tillë.

[Kutia dhe figura në faqen 4]

CILËT JANË TERRORISTËT?

Studiuesi Mark Jurgensmajer shpjegon: «Nëse u vihet apo jo etiketa ‘terroriste’ akteve të dhunshme, varet nga mënyra si shihen ato, si të justifikuara apo jo. Në një masë të madhe përdorimi i këtij termi varet nga pikëpamja për botën: nëse bota konceptohet si paqësore, aktet e dhunshme duken si terrorizëm. Nëse mendohet se bota është në luftë, aktet e dhunshme mund të konsiderohen të përligjura.»

Pra, termi «terrorist» përdoret shpesh me nënkuptime politike. Shumë grupe e mbajnë veten për luftëtarë të lirisë, jo për terroristë. Sipas një shkrimtareje, terrorizmi përfshin: (1) akte që vënë në nishan civilët dhe (2) përdorimin e dhunës që të bëjnë bujë, pra që të shtijnë frikën. Prandaj, militantët, pavarësisht nëse janë grup rebelësh a qeveritarë, shpesh mund të përdorin taktika ose metoda terroriste.