Diçka më e vyer se çdo karrierë

Treguar nga Murat Ibatulini

Më 1987, Ministria e Shëndetësisë e Rusisë më dërgoi në Ugandë, Afrikë. Kisha pranuar të shërbeja atje si mjek me një kontratë katërvjeçare. Në fakt, as që doja të kthehesha në Rusi, por shpresoja të fitoja përvojë që do të më ndihmonte të shërbeja në vende si Australia, Kanadaja ose Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mirëpo, kur erdhi viti 1991, planet e mia kishin ndryshuar dhe u ktheva në Rusi. Po ju tregoj përse.

LINDA në vitin 1953 në qytetin e Kazanit, kryeqyteti i Republikës së Tatarstanit në Rusinë Qendrore. Prindërit e mi janë tatarë, një popullsi kryesisht myslimane. Nga fëmijëria më kujtohet se gjyshërit binin në gjunjë dhe i faleshin Allahut. Fëmijët e tyre, përfshirë edhe prindërit e mi, na thoshin të mos i bezdisnim dhe të dilnim nga dhoma. Prindërit na shkelnin syrin dhe u vinte zor, sepse kishin përqafuar komunizmin dhe në atë kohë pohonin se ishin ateistë.

Kur isha katër vjeç, më zuri poliomieliti gjatë epidemisë së fundit që ra në Bashkimin Sovjetik. Kujtimet e vegjëlisë i kam plot me vizita nëpër spitale e sanatoriume për kontrolle mjekësore. Më kujtohet se gjyshi lutej që unë të shërohesha. Doja të isha i shëndetshëm si fëmijët e tjerë prandaj, edhe pse me një këmbë të dëmtuar, luaja futboll e hokej dhe merresha me sporte të tjera.

Ndërsa rritesha, më lindi dëshira të bëhesha mjek. Nuk isha tip fetar, po as ateist. Thjesht nuk mendoja fare për Perëndinë. Në atë kohë, e shihja me sy kritik ideologjinë komuniste e shpesh bëja fjalë me tim atë dhe me burrin e tezes. Ky i fundit ishte pedagog filozofie, kurse babai punonte për Komitetin e Sigurimit të Shtetit, KGB-në. Si mbarova fakultetin e mjekësisë, vura synim të bëhesha neurokirurg i zoti dhe të emigroja jashtë shtetit.

 Në kërkim të një jete të mirë

Më 1984, mbrojta doktoratën për diagnostikimin e tumoreve të trurit. Më pas, në vitin 1987, më dërguan në Ugandë, në spitalin e Mulagos. U transferova në atë vend të bukur bashkë me time shoqe, Dilbarën, e me fëmijët tanë, Rustemin dhe Alisën, që atëherë ishin katër dhe shtatë vjeç. Puna në klinikë ishte e mundimshme dhe bënim operacione edhe te pacientë të infektuar me virusin HIV. Udhëtoja shpesh për në klinika të tjera anembanë vendit, pasi në ato vite në Ugandë ishim vetëm dy neurokirurgë.

Një ditë, te një kioskë librash, Dilbara dhe unë pamë për herë të parë Bibël në rusisht. Blemë disa që t’ua dërgonim miqve në Bashkimin Sovjetik, pasi atëherë ishte thuajse e pamundur të blije Bibla atje. Lexuam ca kapituj, por na u duk aq e zorshme ta kuptonim, sa hoqëm dorë.

Sidoqoftë, për tre vjet shkuam në kisha të ndryshme në Ugandë dhe u munduam të kuptonim çfarë besonin vendësit dhe çfarë i motivonte në jetë. Madje unë vendosa të studioja Kuranin në gjuhën origjinale. Në fakt, bashkë me Rustemin u regjistruam në një kurs të gjuhës arabe. Pas pak muajsh, mund të bënim biseda të zakonshme në arabisht.

Në atë periudhë, takuam misionarët ose mësuesit e Biblës Hajnc dhe Marjana Vertolc, me origjinë nga Gjermania e Austria. Në bisedën e parë nuk folëm fare për fenë. Ishim si gjithë evropianët që takoheshin në Afrikë. I pyetëm pse ndodheshin në Ugandë dhe morëm vesh se ishin misionarë Dëshmitarë të Jehovait dhe se kishin ardhur t’i ndihmonin njerëzit të studionin Biblën.

Atëherë m’u kujtua se, kur ndiqja universitetin në Rusi, në lëndën e filozofisë na kishin thënë se Dëshmitarët ishin një sekt dhe se bënin kurban fëmijët e u pinin gjakun. Ia tregova këtë Hajncit dhe Marjanës, se më dukej e pabesueshme që ata të miratonin diçka të tillë. Dilbara dhe unë pranuam nga një libër Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë dhe që të dy e lexuam me etje gati të gjithin brenda pak orësh. Kur mbarova leximin, e pyeta Dilbarën si ndihej. Më tha se ishte aq e emocionuar nga ajo që po lexonte, sa ishte rrëqethur e tëra. I thashë se edhe unë ndihesha njësoj.

Mezi pritnim të bisedonim prapë me Hajncin e Marjanën. Kur u takuam, diskutuam për mjaft tema. Ato që mësuam nga Bibla, na prekën edhe më thellë. Nuk rrinim dot pa ua treguar shokëve e kolegëve. Ndër këta ishin ambasadori rus, konsuj të Rusisë e të shteteve të tjera, si edhe një përfaqësues i Vatikanit. Ky na çuditi me pohimin se Dhiata e Vjetër ishte «krejtësisht një mit».

Kthehemi në atdhe

Një muaj para se të ktheheshim në Rusi më 1991, Dilbara dhe unë vendosëm të bëheshim Dëshmitarë të Jehovait. Menduam se me t’u kthyer në qytetin e Kazanit, do të vazhdonim të ndiqnim mbledhjet. Por sa u mërzitëm që për tre muaj jo vetëm nuk gjetëm ndonjë Sallë Mbretërie, por as pamë ndonjë gjurmë të bashkëbesimtarëve. Kështu vendosëm të shkonim shtëpi më shtëpi, siç bëjnë Dëshmitarët e Jehovait anembanë botës, edhe pse ishim krejt vetëm. Si rrjedhojë, filluam disa studime biblike, mes të cilëve edhe një grua që më vonë u bë Dëshmitare.

 Pas kësaj, erdhi të na takonte një Dëshmitar i moshuar që e kishte marrë adresën tonë nga Dëshmitarët në Ugandë. Kështu filluam të mblidheshim me një grup prej 15 vetash që i mbanin mbledhjet në një apartament të vogël me një dhomë. Hajnci dhe Marjana i mbajtën lidhjet me ne, e madje na erdhën për vizitë në Kazan. Më vonë, ne shkuam t’i takonim në Bullgari, vendi tjetër ku u caktuan dhe ku shërbejnë ende si misionarë.

Fryte të mira në vendlindje

Sa herë kam rast, flas për të vërtetat biblike me kolegët në spitalet ku punoj, në Rusi. Në rrjedhën e viteve, shumë e kanë mirëpritur të vërtetën dhe janë bërë Dëshmitarë të Jehovait, përfshirë edhe disa shokë të mi mjekë. Më 1992, një vit pasi u kthyem, grupi i Dëshmitarëve në qytetin e Kazanit u rrit në 45 veta, kurse vitin tjetër në mbi 100. Sot në Kazan janë shtatë kongregacione Dëshmitarësh​—pesë të gjuhës ruse, një i gjuhës tatare dhe tjetri i gjuhës së shenjave. Ka edhe grupe të gjuhëve armene e angleze.

Më 1993, ndoqa një konferencë mjekësore në qytetin e Nju-Jorkut, ku pata rastin të vizitoja selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin. U takova me Llojd Berrin, që ndihmonte në organizimin e aktiviteteve të predikimit të Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë botën. Me gjithë programin e ngjeshur, gjeti kohë të fliste me mua.

Diskutuam sa nevojë kishte për literaturë biblike në gjuhën tatare. Pas disa vjetësh, në Rusi u formua një skuadër përkthimi e gjuhës tatare dhe nisi të dilte literaturë në atë gjuhë. Ç’kënaqësi ndiem kur filluam të merrnim rregullisht revistën Kulla e Rojës, e bërë enkas për të studiuar Biblën. Fill pas kësaj u krijua kongregacioni i parë i gjuhës tatare.

Përdoren metoda për të pakësuar humbjen e gjakut

U bindem të gjitha ligjeve morale të Perëndisë, përfshirë edhe atë te Veprat 15:20 që i urdhëron shërbëtorët e Perëndisë «të rrinë larg . . . nga gjaku». Edhe në vargun 29 thuhet se shërbëtorët e Perëndisë duhet ‘të vazhdojnë të rrinë larg nga gjërat e flijuara idhujve, nga gjaku, nga kafshët e mbytura dhe nga kurvëria’.

Prandaj, kur u drejtohen mjekëve për ndihmë, Dëshmitarët e Jehovait u kërkojnë të respektojnë pikëpamjet e tyre për trajtimet mjekësore pa gjak. Për njëfarë kohe, punova në një Komitet të Lidhjes me Spitalet të Dëshmitarëve në Kazan. * Në vitin 1997, Pavli njëvjeçar nga qyteti i Novosibirskut duhej të operohej urgjentisht, ndaj mamaja e tij komunikoi me ne që ta ndihmonim. Në atë kohë, në Rusi kishte pak mjekë me përvojë që ishin të gatshëm të bënin operacione pa gjak. Ramë dakord ta ndihmonim të gjente një mjek që do të përdorte trajtime alternative.

Shpejt gjetëm një klinikë kardiokirurgjike në Kazan, mjekët e së cilës pranuan të operonin Pavlin e vogël. Më 31 mars 1997, ata bënë një operacion shumë të suksesshëm pa gjak për të ndrequr një anomali të rëndë në zemër të quajtur tetralogjia e Falotit. Më 3 prill, gazeta Vechernyaya Kazan njoftonte: «I vogli ndihet fare mirë dhe s’ka më nevojë për ilaçe të zemrës . . . Mamaja e Pavlikut [formë zvogëluese e emrit Pavël] mori frymë lirisht për herë të parë pas 11 muajsh.»  Në një kohë të shkurtër, Pavli e mori veten nga operacioni dhe hodhi hapat e parë në korridorin e spitalit.

Sot, Pavli është shëndoshë si molla dhe bën një jetë normale. I pëlqen të notojë, të bëjë patinazh dhe të luajë futboll. Shkon në klasën e tetë dhe, bashkë me mamanë, adhuron Perëndinë në kongregacionin e Dëshmitarëve të Jehovait në qytetin e Novosibirskut. Pas kësaj përvoje, mjekët e klinikës u bënë operacione të suksesshme në zemër pa përdorur gjak disa pacientëve Dëshmitarë të Jehovait. Mjekësia në Tatarstan po ecën para dhe operacionet pa gjak janë bërë praktikë pune.

Puna ime sot

Unë dhe ime shoqe, bashkë me Dëshmitarë të tjerë, punojmë në një klinikë që u ofron zgjidhje mjekësore të teknologjisë së fundit pacientëve me probleme neurologjike dhe kardiologjike. Marrim pjesë në lloj-lloj operacionesh, sidomos tek ato që përdoren metoda për të pakësuar humbjen e gjakut. Punoj si neuroradiolog dhe jam përqendruar në neurokirurgjinë që bëhet pa çarje e pa përdorur gjak. Si profesor në Departamentin e Neurologjisë dhe Neurokirurgjisë në Universitetin Shtetëror Mjekësor të Kazanit, mbaj leksione para studentëve të mjekësisë dhe mjekëve e përpiqem t’i ndihmoj të kuptojnë përparësitë e mjekësisë pa gjak. *

Ime shoqe punon bashkë me mua në klinikë si specialiste e ekografisë. Na pëlqen puna jonë, sepse kemi mundësi të ndihmojmë njerëzit. Por kënaqësinë më të madhe e ndiejmë kur shohim se si të vërtetat biblike i shërojnë shpirtërisht. Na hov zemra nga gëzimi ndërsa u tregojmë premtimin e Perëndisë se së shpejti në tokë «asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’»​—Isaia 33:24.

[Shënimet]

^ par. 23 Komitetet e Lidhjes me Spitalet janë grupe të Dëshmitarëve të Jehovait që ndihmojnë spitalet dhe pacientët të bashkëpunojnë kur lind problemi i transfuzioneve të gjakut.

^ par. 27 Metodat e trajtimit pa gjak janë alternativa të transfuzioneve të gjakut. Meqë transfuzionet e gjakut mbartin plot rreziqe, mjekësia pa gjak dhe kirurgjia pa gjak po përhapen gjithnjë e më shumë anembanë botës. Transfuzionet e gjakut mbartin rrezikun e HIV-it dhe të infeksioneve të tjera, si edhe të reaksioneve alergjike.

[Figura në faqen 12]

Kur shërbeja si mjek në Afrikë

[Figura në faqen 13]

Bashkë me gruan kur nisëm të studionim Biblën me Dëshmitarët e Jehovait më 1990

[Figura në faqen 14]

Kur takova Llojd Berrin gjatë një udhëtimi në Bruklin, Nju-Jork, 1993

[Figura në faqen 15]

Pavli me të ëmën sot

[Figura në faqen 15]

Në predikim me gruan time, Dilbarën