Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Një libër që mund t’i besosh—Pjesa VII

Një libër që mund t’i besosh—Pjesa VII

 Një libër që mund t’i besosh—Pjesa VII

Fuqia e shtatë botërore

Ky është i fundit në serinë prej shtatë artikujsh që doli në numra të njëpasnjëshëm të revistës «Zgjohuni!» Këta artikuj shqyrtojnë shtatë fuqitë botërore në historinë biblike. Qëllimi i tyre është të tregojnë se Bibla është e besueshme dhe e frymëzuar nga Perëndia, dhe mesazhi i saj jep shpresë se vuajtjet e shkaktuara nga sundimi mizor i njeriut do të marrin fund.

JETOJMË në një kohë shumë të veçantë e historike—në periudhën kur do të dilte në skenë fuqia e shtatë botërore në historinë biblike. Për më tepër, kjo është e vetmja fuqi që Bibla e përmend thjesht si profeci, pasi gjashtë të mëparshmet gërshetoheshin me historinë biblike. Për këto shtatë fuqi ose ‘mbretër’, Bibla paratha: «Mbretërit janë shtatë: pesë kanë rënë, njëri është, e tjetri nuk ka mbërritur ende, por kur të mbërrijë, do të mbetet për pak kohë.» *Zbulesa 17:10.

Kanë kaluar pak më shumë se 1.900 vjet që kur u shkruan këto fjalë. Asokohe pesë nga shtatë «mbretërit» ose perandoritë politike ‘kishin rënë’. Ato ishin: Egjipti, Asiria, Babilonia, Medo-Persia dhe Greqia. Shprehja «njëri është» i referohej Romës. Megjithatë, Roma nuk do të mbetej përgjithmonë. Duhej të ngrihej edhe një perandori tjetër, por profecia thoshte: «Nuk ka mbërritur ende.» Profecia e Biblës doli e vërtetë: ‘mbreti’ i shtatë u shfaq në skenën botërore. Cila ishte kjo perandori? A do të qeverisë pambarimisht? Nëse jo, si do të dalë nga skena botërore? Bibla nuk na lë të hamendemi.

Profeci e besueshme

Fuqia e shtatë botërore zuri të merrte formë kur doli në dritë Anglia, dikur një vend i humbur në cepin veriperëndimor të Perandorisë Romake. Në vitet 60 të shekullit të 18-të, ky shtet-ishull ishte shndërruar në të fuqishmen Perandori Britanike. Britania u pasurua e u fuqizua gjithnjë e më shumë, dhe në shekullin e 19-të ishte kombi më i begatë e më i fuqishëm në tokë. Një vepër referimi thotë: «Perandoria Britanike . . . ishte më e madhja që kish parë ndonjëherë bota.» Ajo «kishte 372 milionë banorë dhe zinte një sipërfaqe prej 11 milionë miljesh katrorë [28 milionë km2]».

Gjithsesi, Lufta I Botërore (1914-1918) e shtyu Britaninë të hynte në një lidhje të veçantë me Shtetet e Bashkuara, një ish-koloni e saj. Cili qe rezultati? Perandoria Britanike ia la vendin aleancës anglo-amerikane, në shumë aspekte një fuqi botërore dyshe anglishtfolëse, që ka zgjatur deri më sot.—Shih kutinë  «Një aleancë e spikatur».

 Profecia e Zbulesës 17:10 është plotësim i një profecie tjetër që e gjejmë në librin e Danielit. Ai shkroi për një «shëmbëlltyrë tejet të madhe» të cilën mbreti i Babilonisë, Nabukodonosori, e pa në një vegim nga Perëndia. (Danieli 2:28, 31-43) Danieli i bëri të ditur monarkut se pjesët e trupit të shëmbëlltyrës përfaqësonin perandori politike që do të pasonin njëra-tjetrën, duke nisur me Babiloninë, fuqinë botërore të kohës. (Atëherë Egjipti dhe Asiria kishin lindur e perënduar.) Sot edhe historia vërteton se:

Koka prej ari përfaqësonte Perandorinë Babilonase.

Gjoksi dhe krahët prej argjendi paraqitnin Medo-Persinë.

Barku dhe kofshët prej bakri tregonin Greqinë e lashtë.

Kërcinjtë prej hekuri përfaqësonin Perandorinë Romake.

Këmbët, një përzierje hekuri e argjile, simbolizonin mungesën e kohezionit politik e shoqëror gjatë sundimit të fuqisë botërore anglo-amerikane.

Sipas Zbulesës 17:10, fuqia e shtatë botërore «do të mbetet për pak kohë». Sa e gjatë do të jetë kjo kohë? Si do të zhduket nga skena botërore? Ç’do të ndodhë pas kësaj? Danieli hedh dritë mbi këto pyetje.

Një shpresë e besueshme

Pasi përshkroi shëmbëlltyrën e mësipërme, Danieli shkroi: «Një gur u shkëput [nga një mal], pa e prekur kush me dorë, dhe e goditi shëmbëlltyrën në pjesën e këmbëve nga kyçet e poshtë, që ishin prej hekuri e argjile të pjekur, dhe i thërrmoi.» (Danieli 2:34) Çfarë paralajmëronte ky spektakël madhështor?

Danieli vazhdoi: «Në ditët e atyre mbretërve [të fundit], Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri që nuk do të shkatërrohet kurrë. Kjo mbretëri nuk do t’i kalojë asnjë populli tjetër. Ajo do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive [tokësore], dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë.» * (Danieli 2:44, 45) Vëreni këto pika të rëndësishme:

1. Mbretërinë fitimtare, të përfaqësuar nga guri i madh, e ‘vendos’ vetë Perëndia, jo ndonjë «dorë» njerëzore. Kështu, me të drejtë quhet Mbretëria e Perëndisë.

2. Mbretëria e Perëndisë «do të thërrmojë» të gjitha qeveritë njerëzore, përfshirë edhe fuqinë e shtatë botërore. Pse? Të gjitha ato nuk do të pranojnë të heqin dorë nga pushteti dhe do t’i kundërvihen Perëndisë në një luftë të madhe përfundimtare që do të zhvillohet në një vend të figurshëm të quajtur  Harmagedon. Bibla e bën të qartë se në këtë luftë do të marrin pjesë «mbretërit e mbarë tokës së banuar».Zbulesa 16:13, 14, 16.

3. Ndryshe nga qeveritë njerëzore që shkojnë e vijnë, përfshirë edhe shtatë fuqitë botërore, Mbretëria e Perëndisë «nuk do të shkatërrohet kurrë». Veç kësaj, do të sundojë mbi mbarë tokën.Danieli 2:35, 44.

Shkatërrimi përfundimtar i kundërshtarëve të Perëndisë do të jetë një plotësim spektakolar i profecisë së Zanafillës 3:15, e përmendur në artikullin e parë të kësaj serie. Fara e gruas, Jezu Krishti, do të asgjësonte gjarprin simbolik, Satanain, dhe farën e tij. (Galatasve 3:16) Fara e Satanait përfshin gjithë njerëzit që ndjekin rrugët e tij të liga dhe që përkrahin vetëqeverisjen e njerëzve, jo sundimin e Perëndisë e të Krishtit.Psalmi 2:7-12.

Kjo ngre një pyetje tepër të rëndësishme: kur do të ndodhë shkatërrimi përfundimtar? Vërtet, kur do të fshijë çdo gjurmë të sundimit njerëzor ‘guri’, pra Mbretëria e Perëndisë? Bibla jep përgjigje me anë të një ‘shenje’ që do të identifikonte ditët e fundit.Mateu 24:3.

Dallojeni ‘shenjën’!

Shenja e ditëve të fundit përfshin luftëra në shkallë botërore, «tërmete të mëdha», «murtaja» dhe «mungesë ushqimi» të theksuar. (Luka 21:10, 11; Mateu 24:7, 8; Marku 13:8) Tipike për «ditët e fundit» do të ishte edhe se morali e besimi te Perëndia do të katandiseshin si mos më keq. (2 Timoteut 3:1-5) A kanë ndodhur «të gjitha këto»? (Mateu 24:8) Po, madje deri në atë pikë sa shumë njerëz i tremben së ardhmes. Në gazetën The Globe and Mail thuhej: «Disa nga mendimtarët më të respektuar në fushën shkencore dhe sociale po bëjnë parashikime alarmuese për fundin e njerëzimit.»

Sidoqoftë, këta parashikues gabojnë në një pikë shumë të rëndësishme—njerëzimi vetë nuk do të marrë fund. Në fakt, ndërhyrja e Perëndisë jep garanci për këtë. Kur dha shenjën e ditëve të fundit, Jezu Krishti tha: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mateu 24:14) Si është plotësuar kjo profeci?

Dëshmitarët e Jehovait po shpallin Mbretërinë e Perëndisë në më shumë se 230 vende. Në fakt, titulli i revistës së tyre kryesore është Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait. (Jehova është emri i Perëndisë.) (Psalmi 83:18) Programi i arsimimit biblik që zhvillojnë Dëshmitarët, po ndihmon sa e sa individë dhe familje t’i zëvendësojnë stilet e dëmshme të jetesës me një sjellje të dëlirë e paqësore që përputhet me normat e Perëndisë. (1 Korintasve 6:9-11) Si rrjedhojë, me miliona veta anekënd botës nuk kanë pikë dyshimi se Perëndia do t’i mbrojë kur Mbretëria e tij të ndërhyjë në çështjet e njerëzimit.

Ata do të shohin me sytë e tyre përmbushjen e lutjes model të Krishtit, e quajtur edhe lutja «Ati ynë», që ndër të tjera thotë:  «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.» (Mateu 6:10) A e merrni me mend si do të jetë jeta në tokë kur të gjithë njerëzit ta duan Perëndinë dhe t’i binden? Shkrimet e mëposhtme nga Bibla mund t’ju ndihmojnë të kuptoni pse shprehja «lajm i mirë» është e goditur.

Kur të bëhet vullneti i Perëndisë në tokë . . .

Do të ketë paqe të vërtetë, jo thjesht ndërprerje të luftërave. «Jehovai . . . i pushon luftërat deri në skaj të dheut; thyen harkun dhe e bën copë-copë heshtën; karrocat i djeg në zjarr.» (Psalmi 46:8, 9) «Zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund.»Psalmi 37:11.

Do të ketë ushqim të bollshëm për çdokënd. «Në tokë do të ketë drithë me bollëk, edhe në majat e maleve drithi do të vërshojë.»Psalmi 72:16.

Të gjithë do të gëzojnë shëndet të përsosur. «Asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’»Isaia 33:24.

Gjithkush do të ketë shtëpi të rehatshme. «Ata do të ndërtojnë shtëpi e do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta e do të hanë frytin e tyre. Nuk do të ndërtojnë që të banojë një tjetër dhe nuk do të mbjellin që të hajë një tjetër.»Isaia 65:21, 22.

Do të marrë fund çdo lloj vuajtjeje. «Tenda e Perëndisë është me njerëzit. . . . Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.»Zbulesa 21:3, 4.

A ju tërheqin këto premtime? Nëse po, Dëshmitarët e Jehovait ju inkurajojnë të shkoni më thellë në Bibël. Kështu do të shihni akoma më shumë dëshmi se sundimit mizor të njeriut mbi njeriun po i vjen fundi. Gjithashtu, do të kuptoni se Bibla është e denjë t’i besoni plotësisht dhe se është vërtet e frymëzuar nga Perëndia.2 Timoteut 3:16. *

[Shënimet]

^ par. 4 Perandoritë e përmendura në Bibël zakonisht kishin në krye një mbret, prandaj shpesh ajo u referohet perandorive si «mbretër», «mbretëri» ose me të dyja këto fjalë.Danieli 8:20-22.

^ par. 18 Për më shumë informacione rreth Mbretërisë qiellore të Perëndisë, shih kapitujt 8 dhe 9 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 35 Për të mësuar më tepër rreth Biblës, mos ngurroni të kontaktoni me Dëshmitarët e Jehovait në zonën tuaj, të shkruani në një nga adresat e faqes 5 ose të hyni në faqen tonë në Internet www.watchtower.org.

[Kutia dhe figura në faqen 17]

 NJË ALEANCË E SPIKATUR

Në korrik 2010, në një konferencë shtypi të përbashkët me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Dejvid Kameron, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, pohoi: «Nuk është kurrë e tepërt ta theksojmë këtë: Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar kanë një marrëdhënie vërtet të veçantë. Respektojmë një trashëgimi të përbashkët. Çmojmë të njëjtat vlera. . . . Mbi të gjitha, kjo aleancë lulëzon pasi çon përpara interesat tona të përbashkëta. . . . Kur Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar i bëhen krah njëra-tjetrës, popujt tanë—dhe popujt përqark botës—kanë më shumë siguri e mirëqenie. Shkurt, Shtetet e Bashkuara nuk kanë aleat më të ngushtë dhe partner më të fortë se Britania e Madhe.»

[Diagrami në faqen 16]

(Për tekstin e faqosur shih botimin)

Babilonia

Medo-Persia

Greqia

Roma

Britania dhe Shtetet e Bashkuara

[Figura në faqen 18]

Bibla premton se nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë do të mbizotërojë paqja e vërtetë

[Burimet e figurave në faqen 15]

Tabela kronologjike: relievi egjiptian në mur dhe busti i Neronit: fotografi me mirësjellje nga Muzeu Britanik; relievi pers në mur: Musée du Louvre, Paris