Ky është i gjashti në serinë prej shtatë artikujsh që del në numra të njëpasnjëshëm të revistës «Zgjohuni!» Këta artikuj shqyrtojnë shtatë fuqitë botërore në historinë biblike. Qëllimi i tyre është të tregojnë se Bibla është e besueshme dhe e frymëzuar nga Perëndia, dhe mesazhi i saj jep shpresë se vuajtjet e shkaktuara nga sundimi mizor i njeriut do të marrin fund.

Pavli udhëtoi në rrugën Apia

NË EPOKËN e Perandorisë Romake, Jezui themeloi krishterimin dhe besimtarët e përhapën anekënd. Edhe sot e kësaj dite mund të shihni rrugë, ujësjellës dhe përmendore romake në vende si Britania, Egjipti ose Shqipëria. Këto rrënoja romake janë reale e na kujtojnë se edhe Jezui dhe apostujt e tij ishin realë, e po ashtu edhe gjërat që thanë e bënë. Për shembull, ndërsa ecni në rrugën e lashtë Apia, ndoshta po shkelni po aty ku kaloi apostulli i krishterë Pavël për të shkuar në Romë.Veprat 28:15, 16.

Histori e besueshme

Ndërsa flet për Jezuin dhe dishepujt e tij, Bibla përmend shumë ngjarje historike të shekullit të parë. Vëreni sa i përpiktë ishte shkrimtari biblik Lukë kur tregoi në ç’vit ndodhën dy ngjarje tejet të rëndësishme: fillimi  i shërbimit të Gjon Pagëzorit dhe pagëzimi i Jezuit, pra momenti kur ai u bë Krishti ose Mesia. Luka shkroi se këto ngjarje ndodhën «vitin e pesëmbëdhjetë të mbretërimit të Tiberit Cezar [29 i e.s.], kur Ponc Pilati ishte guvernator i Judesë dhe Herodi ishte qeveritar i krahinës së Galilesë». (Luka 3:1-3, 21) Ai përmendi edhe katër funksionarë të tjerë të rëndësishëm: Filipi (vëllai i Herodit), Lisania, Hanai dhe Kajafa. Historianët kanë vërtetuar se të shtatë këta emra ishin emra të personave që kanë jetuar vërtet. Por këtu do të ndalemi te Tiberi, Pilati dhe Herodi.

Cezar Tiberi, një nga funksionarët e shumtë romakë që përmenden në Ungjillin e Lukës

Cezar Tiberi është shumë i njohur dhe paraqitet në vepra arti. Senati i Romës e emëroi perandor më 15 shtator të vitit 14 të e.s., kur Jezui ishte rreth 15 vjeç.

Mbishkrim me emrin e Ponc Pilatit

Ponc Pilati përmendet bashkë me Tiberin në një tregim të historianit romak Tacit pak pasi përfundoi së shkruari Bibla. Ja çfarë shkroi Taciti për termin «i krishterë»: «Kristusin, prej nga vjen ky emër, e dënoi me vdekje një prej guvernatorëve tanë, Ponc Pilati, gjatë mbretërimit të Tiberit.»

Herod Antipa njihet si njeriu që ngriti qytetin e Tiberiadës buzë detit të Galilesë, ku edhe banoi. Ka të ngjarë që Herodi t’ia ketë prerë kokën Gjon Pagëzorit në Tiberiadë.

Në tregimet biblike flitet edhe për ngjarje të spikatshme të epokës romake. Për kohën e lindjes së Jezuit, Bibla thotë: «Ato ditë, Cezar Augusti nxori një dekret që të regjistrohej popullsia në gjithë tokën e banuar, (regjistrimi i parë u bë kur Kuirini ishte guvernator i Sirisë) prandaj të gjithë shkonin të regjistroheshin, secili në qytetin e vet.»Luka 2:1-3.

Edhe Taciti, edhe historiani jude Jozef e përmendin Kuirinin. Dekreti i një guvernatori romak që ruhet në Bibliotekën Britanike, vërteton se bëheshin regjistrime të tilla. Në të lexojmë: «Meqë ka ardhur koha për regjistrimin e popullsisë shtëpi më shtëpi, është e nevojshme të detyrohen të kthehen në vendlindje të gjithë ata që, për çfarëdolloj arsyeje, banojnë jashtë krahinave të tyre.»

Bibla flet edhe për ‘një zi buke të madhe . . . në kohën e Klaudit, [perandorit romak]’. (Veprat 11:28) Historiani i shekullit të parë Jozef dëshmoi për këtë ngjarje. Ai shkroi: «Asokohe mbi ta rëndoi vërtet një zi buke dhe shumë vdiqën.»

 Gjithashtu, te Veprat 18:2, Bibla thotë se «Klaudi kishte dhënë urdhër që të gjithë judenjtë të iknin nga Roma». Këtë e mbështet edhe një biografi e Klaudit, që e shkroi historiani romak Suetoni rreth vitit 121 të e.s. Ai thotë se Klaudi «i dëboi nga Roma të gjithë judenjtë» dhe shton se ata «ngjallnin pareshtur trazira» nga armiqësia ndaj të krishterëve.

Bibla tregon se në periudhën e asaj zie buke, Herod Agripa, i veshur «me rrobat mbretërore», mbajti fjalim para një publiku që e adhuronte. Njerëzit thirrën: «Zë perëndie, e jo njeriu!» Fill pas kësaj, siç lexojmë në Bibël, Agripën ‘e brejtën krimbat e dha frymë’. (Veprat 12:21-23) Edhe Jozefi e dokumentoi këtë ngjarje, duke shtuar disa hollësi. Ai shkroi se Agripa e mbajti fjalimin i veshur me «një rrobë krejt prej argjendi». Më tej tha se ‘Agripa pati një dhembje barku të fortë që e mbërtheu befas me të therura të tmerrshme’. Vdiq pas pesë ditësh, siç rrëfente Jozefi.

Profeci e besueshme

Në fletët e Biblës gjejmë edhe profeci të jashtëzakonshme që u shkruan dhe u plotësuan gjatë epokës romake. Për shembull, kur po hynte në Jerusalem hipur mbi një kërriç, Jezui qau dhe paratha se si do ta rrënonte qytetin ushtria romake: «Për ty do të vijnë ditët kur armiqtë do të ngrenë përreth teje një fortifikatë me hunj të mprehtë . . . Nuk do të lënë te ti gur mbi gur, sepse nuk e dallove kohën kur u hetove.»Luka 19:41-44.

Megjithatë, dishepujt e Jezuit do të kishin mundësi të shpëtonin. Si? Jezui u dha udhëzime specifike që më parë. Ai paralajmëroi: «Kur ta shikoni Jerusalemin të rrethuar nga ushtritë e fushuara, atëherë dijeni se shkretimi i tij është afruar. Atëherë ata në Jude le të fillojnë të ikin në male, ata që janë brenda qytetit, të largohen.» (Luka 21:20, 21) Dishepujt e Jezuit mbase vritnin mendjen: «Po si do të ikim nga një qytet i rrethuar?!»

Historiani Jozef shkroi çfarë ndodhi. Në vitin 66 të e.s., kur një guvernator romak konfiskoi nga thesari i tempullit gjithë taksat e papaguara, rebelët judenj të tërbuar masakruan forcat romake dhe shpallën pavarësinë. Më vonë, po atë vit, guvernatori romak i Sirisë, Cest Gali, marshoi drejt jugut me 30.000 trupa dhe mbërriti në Jerusalem gjatë një feste fetare. Gali depërtoi në rrethinat e qytetit, e madje nisi të gërmonte themelet e murit të tempullit, ku ishin strehuar rebelët. Pastaj, pa u kuptuar pse, Gali u tërhoq. Tërë entuziazëm, judenjtë sulmuan ushtrinë që po zmbrapsej.

Të krishterët besnikë nuk u gënjyen nga kjo kthesë që morën ngjarjet. E kuptuan se kishin parë plotësimin e profecisë së jashtëzakonshme të Jezuit: qytetin e kishin rrethuar ushtritë e fushuara. Tani, meqë ushtria ishte tërhequr, të krishterët besnikë përfituan nga kjo mundësi që të iknin. Shumë prej tyre shkuan në Pelé, një qytet johebre politikisht asnjanës që ndodhej në malet matanë Jordanit.

Ç’ndodhi me Jerusalemin? Ushtria romake u kthye, me në krye Vespasianin dhe të birin, Titin, kësaj here me 60.000 ushtarë. Përparuan drejt qytetit para Pashkës së vitit 70 të e.s. dhe zunë në kurth banorët bashkë me pelegrinët që ishin dyndur atje për festën. Trupat romake rrafshuan pemët e mbarë krahinës dhe ngritën një mur me hunj të mprehtë, tamam siç kishte parathënë Jezui. Pas afro pesë muajsh, qyteti ra.

Harku i Titit në Romë përkujton shkatërrimin e Jerusalemit në vitin 70 të e.s.

Titi urdhëroi që tempulli të mos prekej, mirëpo një ushtar i vuri flakën dhe atje s’mbeti gur mbi gur, pikërisht siç kishte parathënë Jezui. Sipas Jozefit, vdiqën rreth 1.100.000 judenj e prozelitë, pjesa dërrmuese nga uria e murtaja, kurse 97.000 të tjerë i morën rob. Shumë prej tyre i çuan si skllevër në Romë. Po të shkoni në Romë,  mund të vizitoni Koloseun e famshëm, që e përfundoi Titi pas fushatës ushtarake në Jude. Atje mund të shihni edhe Harkun e Titit, që përkujton pushtimin e Jerusalemit. Vërtet, profecitë biblike janë të besueshme deri më një. Sa e rëndësishme është, pra, ta marrim seriozisht atë që thotë Bibla për të ardhmen!

Një shpresë e besueshme

Kur doli para guvernatorit romak Ponc Pilatit, Jezui foli për një Mbretëri ose qeveri që «nuk është pjesë e kësaj bote». (Gjoni 18:36) Ai i mësoi dishepujt të luteshin për këtë qeveri mbretërore kur tha: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.» (Mateu 6:9, 10) Vëreni se, me anë të Mbretërisë së Perëndisë, në tokë do të bëhet vullneti i Perëndisë, jo ai i njerëzve krenarë e ambiciozë.

Jezui sundon si Mbret në këtë Mbretëri qiellore. Në përputhje me qëllimin fillestar të Perëndisë, ai do ta shndërrojë mbarë tokën në parajsë.Luka 23:43.

Kur do të ndërhyjë Mbretëria e Perëndisë në çështjet e njerëzimit? Jezui i ringjallur dha një çelës për të kuptuar përgjigjen kur foli me apostullin e tij Gjon, që ishte i burgosur në ishullin e Patmosit gjatë sundimit të perandorit romak Domician, vëllait të Titit. Jezui bëri të ditur: «Mbretërit janë shtatë: pesë kanë rënë, njëri është, e tjetri nuk ka mbërritur ende, por kur të mbërrijë, do të mbetet për pak kohë.»Zbulesa 17:10.

Kur Gjoni shkroi këto fjalë, pesë ‘mbretër’ ose perandori kishin rënë: Egjipti, Asiria, Babilonia, Medo-Persia dhe Greqia. Ai për të cilin u tha «është», pra që ekzistonte në kohën e apostullit Gjon, ishte Roma. Kështu, mbetej vetëm njëfuqia e fundit botërore në historinë biblike. Cila do të ishte? Për sa kohë do të sundonte? Këto pyetje do të marrin përgjigje në numrin tjetër të revistës Zgjohuni!