Rustami

RUSTAMI, që jeton në Rusi, bën një jetë të ngarkuar. Në të kaluarën, kishte disa zakone të dëmshme, por e kuptoi që i kushtonin shtrenjtë. La duhanin dhe nuk e tepronte më në të pirë. Prapëseprapë, nga qëndrimi me orë të tëra para kompjuterit, ndihej i plogët.

Edhe pse dita e punës fillonte në tetë të mëngjesit, zakonisht ishte përgjumësh gjer në orën dhjetë dhe sëmurej shpesh. Kështu ndryshoi disi programin. Cili ishte rezultati? «Shtatë vitet e fundit nuk kam marrë raport më shumë se dy ditë në vit,—tregon ai.—Ndihem për bukuri, i gjallë, i kthjellët dhe e shijoj jetën.»

Rami, e shoqja dhe dy fëmijët jetojnë në Nepal. Në lagjen e tyre mungojnë kushtet higjienike dhe gëlojnë mushkonjat e mizat. Dikur, Rami dhe familja e tij vuanin shpesh nga probleme të rrugëve të frymëmarrjes dhe nga infeksionet në sy. Edhe ata bënë ndryshime që ua përmirësuan goxha shëndetin.

Merrni në dorë shëndetin tuaj!

Mjaft njerëz, qoftë të pasur, qoftë të varfër nuk e dallojnë lidhjen mes zakoneve të tyre dhe shëndetit. U duket sikur shëndeti i mirë është punë fati a diçka që s’e ke në dorë. Nga kjo pikëpamje fataliste, shumë stepen dhe nuk përpiqen ta përmirësojnë shëndetin e të bëjnë një jetë më të frytshme.

Në të vërtetë, cilado qoftë gjendja juaj financiare, mund të bëni disa hapa elementarë për ta mbrojtur e përmirësuar goxha shëndetin tuaj dhe të familjes. Por, a ia vlen barra qiranë? Patjetër. Kështu do ta shijoni më tepër jetën dhe nuk do ta shkurtoni më kot.

Rami dhe familja e tij sigurojnë ujë të pijshëm

Me fjalët dhe shembullin e tyre, prindërit mund t’i mësojnë fëmijët të fitojnë zakone të dobishme, që do t’u sjellin shëndet më të mirë. Do t’ia shohin të mirën kohës dhe parave të harxhuara për këtë, pasi do të kenë më pak dhembje, do të humbin më pak kohë me sëmundjet dhe do të shpenzojnë më pak para për ilaçe. Siç thotë një shprehje, më mirë të parandalosh sesa të kurosh.

Artikujt vijues do të flasin për pesë hapa kryesorë që i kanë ndihmuar Rustamin, Ramin e shumë të tjerë ta përmirësojnë shëndetin. Këta hapa mund t’ju ndihmojnë edhe juve.