Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Hapi 2—Kujdesuni për nevojat e trupit

Hapi 2—Kujdesuni për nevojat e trupit

«Asnjeri nuk e urren kurrë trupin e vet, por e ushqen dhe përkujdeset për të.» (Efesianëve 5:29) Mjaftojnë të bëni disa hapa elementarë për të mirën tuaj, dhe shëndeti mund t’ju ndryshojë si nata me ditën.

Pushoni sa duhet. «Është më mirë të kesh një grusht me pushim, se dy grushte me mund dhe duke u rropatur pas erës.» (Eklisiastiu 4:6) Kërkesat dhe shpërqendrimet e jetës së sotme na i vjedhin gjithnjë e më shumë orët e gjumit. Mirëpo, gjumi është jetësor për një shëndet të mirë. Studimet tregojnë se, kur flemë, trupi dhe truri vetëriparohen, e kjo i bën mirë kujtesës dhe humorit.

Gjumi forcon sistemin imunitar dhe pakëson rrezikun e infeksioneve, diabetit, iktusit, sëmundjeve të zemrës, kancerit, dhjamosjes, depresionit e ndoshta edhe të sëmundjes së Alcajmerit. Mos e shpërfillni ndjesinë e gjumit—«sinjalizuesin» tonë natyror—duke përdorur gjëra artificiale, si ëmbëlsira, kafeinë ose stimulantë të tjerë, por vërjani veshin dhe flini. Shumica e të rriturve kanë nevojë për shtatë deri në tetë orë gjumë çdo natë që të duken e të ndihen në formë dhe të japin maksimumin. Të rinjtë kanë nevojë për më tepër. Adoleshentët që nuk flenë sa duhet, preken më shpesh nga shqetësime psikologjike dhe i zë gjumi më kollaj kur janë në timon.

Gjumi është i rëndësishëm sidomos kur sëmuremi. Trupi mund t’i përballojë vetë disa sëmundje, si për shembull gripin, nëse flemë më tepër dhe pimë shumë lëngje.

Kujdesuni për dhëmbët. Larja e dhëmbëve dhe pastrimi me fill dentar pasi hamë, sidomos para se të biem për të fjetur, parandalojnë prishjen a rënien e dhëmbëve dhe sëmundjet e mishrave. Pa dhëmbët tanë, mund të mos nxjerrim dobi plotësisht nga ushqimi që hamë. Thuhet se elefantët nuk ngordhin nga plakja, por ngordhin urie dalëngadalë pasi u konsumohen dhëmbët dhe s’e bluajnë dot mirë ushqimin. Fëmijët që mësohen t’i lajnë e t’i pastrojnë dhëmbët me fill pasi hanë, do të jenë më të shëndetshëm në rini dhe gjatë gjithë jetës.

Shkoni te mjeku. Disa sëmundje kërkojnë vëmendjen e mjekut. Diagnostikimi i hershëm zakonisht sjell rezultate më të mira dhe pakëson shpenzimet. Prandaj, nëse nuk ndiheni mirë, mos u mundoni thjesht të lehtësoni simptomat, por vizitohuni që të zbuloni dhe të eliminoni shkakun.

Kontrollet e rregullta në klinika a spitale mund të parandalojnë shumë probleme serioze, si në rastin kur bëhen vizita te mjeku gjatë shtatzënisë. * Sidoqoftë, mos harroni se mjekët nuk bëjnë dot mrekulli. Gjithë sëmundjet tona do të shërohen krejtësisht vetëm kur Perëndia të bëjë «çdo gjë të re».Zbulesa 21:4, 5.

^ par. 8 Shih artikullin «Nëna të shëndetshme, foshnja të shëndetshme»,Zgjohuni!, nëntor 2009.