Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Një libër që mund t’i besosh—Pjesa V

Greqia në historinë biblike

Një libër që mund t’i besosh—Pjesa V

Ky është i pesti në serinë prej shtatë artikujsh që do të dalin në numra të njëpasnjëshëm të revistës «Zgjohuni!» Këta artikuj shqyrtojnë shtatë fuqitë botërore në historinë biblike. Qëllimi i tyre është të tregojnë se Bibla është e besueshme dhe e frymëzuar nga Perëndia, dhe mesazhi i saj jep shpresë se vuajtjet e shkaktuara nga sundimi mizor i njeriut do të marrin fund.

NË SHEKULLIN e katërt p.e.s., një djalosh maqedonas që quhej Aleksandër e nxori Greqinë * në skenën botërore. Ai e bëri Greqinë fuqinë e pestë botërore të historisë biblike dhe mori emrin Aleksandri i Madh. Perandoritë pararendëse ishin Egjipti, Asiria, Babilonia dhe Medo-Persia.

Pas vdekjes së Aleksandrit, perandoria e tij u copëzua dhe humbi fuqinë e dikurshme. Prapëseprapë, ndikimi i Greqisë nëpërmjet kulturës, gjuhës, fesë dhe filozofisë zgjati shumë kohë pas perëndimit të fuqisë politike.

Rreth 200 vjet para ngjarjeve historike, profecitë biblike flitnin për Aleksandrin e Madh

Histori e besueshme

Bibla nuk flet për ndonjë profet të Perëndisë që ka shërbyer në epokën e epërsisë së Greqisë, dhe atëherë nuk u shkrua asnjë nga librat e frymëzuar të Biblës. Gjithsesi, Greqia shfaqet në profecitë biblike. Veç kësaj, në Shkrimet e Krishtere Greke, që zakonisht quhen Dhiata e Re, përmendet shpesh ndikimi grek. Në fakt, një grup prej dhjetë qytetesh helene që ndodheshin kryesisht në Izrael, quhej Dekapoli, një fjalë greke që do të thotë «dhjetë qytete». (Mateu 4:25; Marku 5:20; 7:31) Emri i kësaj krahine del disa herë në Bibël dhe historia jobiblike bashkë me rrënojat mbresëlënëse të teatrove, amfiteatrove, tempujve dhe banjave japin prova për ekzistencën e saj.

 Bibla përmend shpesh edhe kulturën e fenë greke, sidomos në librin e Veprave që e shkroi mjeku Lukë. Ja disa shembuj:

Kur flet për ngjarje që ndodhën gjatë vizitës së apostullit Pavël në Athinë, në vitin 50 të e.s., Bibla thotë se qyteti ishte «plot me idhuj». (Veprat 17:16) Edhe dëshmitë historike tregojnë se Athina dhe rrethinat e saj ishin të mbushura me idhuj fetarë e faltore.

Te Veprat 17:21 lexojmë se «të gjithë athinasit dhe të huajt që banonin përkohësisht atje, e kalonin kohën e lirë veç duke treguar a duke dëgjuar ndonjë gjë të re». Veprat e Tukididit dhe të Demostenit dëshmojnë se athinasit jepeshin shumë pas bisedave e debateve.

Bibla thotë shprehimisht se «filozofët epikurianë dhe stoikë haheshin me fjalë me [Pavlin]», e madje e çuan në Areopag që të dëgjonin ç’kishte për të thënë tjetër. (Veprat 17:18, 19) Athina ishte me nam për filozofët e shumtë, ndër të cilët edhe epikurianët dhe stoikët.

Altar kushtuar një perëndie të panjohur

Pavli flet për një altar në Athinë me mbishkrimin «Një Perëndie të Panjohur». (Veprat 17:23) Ndoshta altarët që i kushtoheshin një perëndie të panjohur i ngriti Epimenidi nga Kreta.

Në fjalimin që mbajti para athinasve, Pavli citoi shprehjen «sepse edhe ne jemi pasardhës të tij» dhe ia atribuoi këto fjalë ‘disa poetëve të tyre’, jo një poeti të vetëm. (Veprat 17:28) Ata poetë grekë duhet të kenë qenë Arati dhe Kleanthi.

Jo më kot, një studiues nxori këtë përfundim: «Tregimi për vizitën e Pavlit në Athinë më tingëllon si rrëfimi i një dëshmitari okular.» E njëjta gjë mund të thuhet për tregimet biblike rreth përvojave të Pavlit në Efes të Azisë së Vogël. Në shekullin e parë të e.s., ky qytet ende ishte mjaft i dhënë pas fesë greke pagane, sidomos pas adhurimit të perëndeshës Artemisë.

Statujë e Artemisës, perëndeshës së Efesit

Tempulli i Artemisës, një nga shtatë mrekullitë e botës së lashtë, përmendet disa  herë në librin e Veprave. Për shembull, tregohet se shërbimi i Pavlit në Efes acaroi një argjendar që quhej Dhimitër, i cili bënte faltore të Artemisës dhe vilte goxha fitime nga ky biznes. Tërë inat, Dhimitri tha: «Ky Pavli ia mbushi mendjen një turme mjaft të madhe njerëzish, . . . dhe ua ktheu mendjen, duke thënë se nuk janë perëndi ato që bëhen me dorë.» (Veprat 19:23-28) Pastaj Dhimitri ngriti në këmbë një turmë të tërbuar, që nisi të bërtiste: «E madhe është Artemisa e efesianëve!»

Sot mund të vizitoni rrënojat e Efesit dhe vendin ku ndodhej tempulli i Artemisës. Veç kësaj, mbishkrimet e lashta të gjetura në Efes vërtetojnë se bëheshin idhuj për nder të asaj perëndeshe dhe se në qytet ishte ngritur një esnaf argjendarësh.

Profeci e besueshme

Rreth 200 vjet para kohës së Aleksandrit të Madh, Danieli, një profet i Perëndisë Jehova, shkroi për sundimin e botës: «Pashë një cjap që po vinte nga perëndimi i diellit mbi sipërfaqen e tërë tokës, dhe nuk e prekte tokën. Cjapi kishte midis syve një bri që spikaste. Ai erdhi deri te dashi me dy brirë . . . Erdhi duke vrapuar drejt tij, plot tërbim e fuqi. . . . Nisi ta godiste e t’ia thyente dy brirët, dhe dashi s’pati fuqi të qëndronte para tij. Kështu, ai e hodhi përtokë, e shtypi me këmbë . . . Cjapi u mbajt tej mase me të madh, por sapo u bë i fuqishëm, briri i madh u thye dhe në vend të tij nisën të dilnin në mënyrë të spikatshme katër të tjerë, në drejtim të katër anëve të qiellit.»Danieli 8:5-8.

Bibla paratha me saktësi pushtimet e Aleksandrit të Madh dhe copëtimin e perandorisë së tij

Për kë ishin këto fjalë? Vetë Danieli u përgjigj: «Dashi me dy brirë përfaqëson mbretin e Medisë e të Persisë. Cjapi leshtor përfaqëson mbretin e Greqisë, kurse briri i madh midis syve të tij përfaqëson mbretin e parë.»Danieli 8:20-22.

Vetëm të mendojmë pak. Në kohën kur sundonte Babilonia si fuqi botërore, Bibla paratha se fuqitë pasuese do të ishin Medo-Persia dhe Greqia. Për më tepër, siç u përmend sipër, Bibla thoshte qartë se ‘sapo të bëhej i fuqishëm, briri i madh’, pra Aleksandri, ‘do të thyhej’ e do të zëvendësohej nga katër të tjerë dhe shtonte se asnjëri prej tyre nuk do të ishte pasardhës i Aleksandrit.Danieli 11:4.

Kjo profeci u përmbush pikë për pikë. Në vitin 336 p.e.s. Aleksandri u bë mbret dhe brenda shtatë vjetësh mposhti mbretin e fuqishëm të Persisë, Darin III. Pas kësaj, Aleksandri e zgjeroi pareshtur perandorinë deri kur vdiq para kohe më 323 p.e.s., në moshën 32-vjeçare. Nuk doli askush që ta pasonte Aleksandrin si sundimtar absolut dhe asnjë pasardhës i tij nuk hipi në fron. Në fakt, sipas librit The Hellenistic Age, katër gjeneralë të tij kryesorë—Lisimaku, Kasandri, Seleuku dhe Ptolemeu—«u vetëshpallën mbretër» dhe shtinë në dorë perandorinë.

Gjatë fushatave të tij ushtarake, Aleksandri plotësoi edhe profeci të tjera biblike.  Për shembull, profetët Ezekiel dhe Zakaria, që jetuan në shekujt e shtatë dhe të gjashtë p.e.s., parathanë shkatërrimin e qytetit të Tirit. (Ezekieli 26:3-5, 12; 27:32-36; Zakaria 9:3, 4) Ezekieli madje shkroi se gurët dhe rrënojat e tij do t’i hidhnin «në mes të ujit». A u përmbushën këto fjalë?

Kur ngriti një rrugë për në pjesën ishullore të qytetit të Tirit me rrënojat e pjesës së vjetër kontinentale, Aleksandri plotësoi profecitë e Biblës

Të shohim çfarë bënë trupat e Aleksandrit gjatë rrethimit të Tirit në vitin 332 p.e.s. Ata hoqën rrënojat e pjesës kontinentale të Tirit dhe i hodhën në det që të ngrinin një rrugë për në pjesën ishullore të Tirit. Kjo strategji pati sukses dhe Tiri ra. Një eksplorues i shekullit të 19-të që studioi atë vend, tha: «Profecitë kundër Tirit janë plotësuar, madje gjer në hollësitë më të vogla.» *

Një shpresë e besueshme

Pushtimet e Aleksandrit nuk sollën një botë me paqe e siguri. Pasi shqyrtoi epokën e sundimit të Greqisë së lashtë, një studiues vërejti: «Në thelb, gjendja e njerëzve të thjeshtë . . . ndryshoi fare pak.» Kjo ka ndodhur shpesh gjatë gjithë historisë dhe është një provë e mëtejshme e pohimit të Biblës se «njeriu ka sunduar mbi njeriun në dëm të tij».Eklisiastiu 8:9.

Qeverisja e keqe nuk do të vazhdojë pafundësisht, sepse Perëndia ka vendosur një qeveri që qëndron ku e ku më lart se çdo qeveri e sajuar nga njerëzit. Ajo quhet Mbretëria e Perëndisë dhe do t’i zërë vendin të gjitha qeverive njerëzore. Nënshtetasit e saj do të gëzojnë paqe dhe siguri të vërtetë e të përhershme.Isaia 25:6; 65:21, 22; Danieli 2:35, 44; Zbulesa 11:15.

Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë nuk është askush tjetër veç Jezu Krishtit. Krejt ndryshe nga qeveritarët njerëzorë të etur për pushtet që rrinë larg halleve të nënshtetasve, Jezui motivohet nga dashuria për Perëndinë dhe për njerëzit. Psalmisti paratha për të: «Ai do ta çlirojë të varfrin që thërret për ndihmë, si dhe të munduarin e këdo që nuk ka kush e ndihmon. Atij do t’i dhimbset i përvuajturi dhe i varfri, dhe do ta shpëtojë shpirtin e të varfërve. Nga shtypja dhe dhuna, do t’ua shpengojë shpirtin.»Psalmi 72:12-14.

A nuk dëshironi një Sundimtar të tillë? Nëse po, ndaluni pak te fuqia e gjashtë në historinë biblike—Roma. Pikërisht gjatë epokës romake lindi dhe la gjurmë të pashlyeshme në historinë njerëzore Shpëtimtari i parathënë. Ju ftojmë të lexoni artikullin e gjashtë të kësaj serie, që do ta gjeni në numrin vijues të revistës.

^ par. 4 Ky artikull bën fjalë për Greqinë e lashtë para shekullit të parë dhe nuk u referohet kufijve kombëtarë të sotëm.

^ par. 23 Siç paratha Ezekieli, për herë të parë Tirin e pushtoi Nabukodrezari, mbreti i Babilonisë. (Ezekieli 26:7) Pas kësaj, qyteti u rindërtua. Pikërisht këtë qytet të rindërtuar shkatërroi Aleksandri, duke përmbushur kështu deri më një fjalët e profetëve.