Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Një libër që mund t’i besosh—Pjesa III

Babilonia në historinë biblike

Një libër që mund t’i besosh—Pjesa III

Ky është i treti në serinë prej shtatë artikujsh që do të dalin në numra të njëpasnjëshëm të revistës «Zgjohuni!» Këta artikuj shqyrtojnë shtatë fuqitë botërore në historinë biblike. Qëllimi i tyre është të tregojnë se Bibla është e besueshme dhe e frymëzuar nga Perëndia dhe mesazhi i saj jep shpresë se vuajtjet e shkaktuara nga sundimi mizor i njeriut do të marrin fund.

E NGRITUR mbi një rrafshinë pjellore rreth 80 kilometra në jug të Bagdadit të sotëm, qyteti i lashtë i Babilonisë ishte vërtet madhështor. Babilonia dukej e papushtueshme me muret masive të dyfishta dhe me një hendek uji përreth saj. Qyteti njihej për tempujt e tij madhështorë, kopshtet e varura dhe kullat e tempujve. Si një nga qytetet më të mëdha të lashtësisë, kohët e fundit Babilonia është cilësuar si qyteti i mrekullive.

Paraqitje artistike e qytetit të lashtë të Babilonisë

Në Bibël quhet «Zonja e Mbretërive» dhe ishte kryeqyteti i fuqisë së tretë botërore në historinë biblike. (Isaia 47:5) Ashtu si perandoritë egjiptiane dhe asiriane para saj, perandoria babilonase luajti një rol të rëndësishëm në historinë biblike, duke na dhënë mundësinë të krahasojmë atë që thotë Bibla me historinë botërore.

Histori e besueshme

Libri biblik i Danielit na tregon se një burrë me emrin Belshazar sundonte njëherë e një kohë si mbret në Babiloni. (Danieli 5:1) Por disa burime nga historia botërore kanë thënë  në të kaluarën se Belshazari, megjithëse ishte i fuqishëm, nuk u bë kurrë mbret. Mos vallë Bibla gabohej? Arkeologët kanë zbuluar një sërë cilindrash prej argjile në rrënojat e qytetit të Urit në Mesopotami. Mbishkrimet kuneiforme në një cilindër, përfshinin një lutje nga mbreti babilonas Nabonid për «Bel-sar-usurin [që njihet edhe me emrin Belshazar], birin tim të madh». Zbulime të mëvonshme vërtetuan se Belshazari, sipas New Bible Dictionary, «kishte qenë regjent për më shumë se gjysmën e mbretërimit të babait të tij, periudhë gjatë së cilës ai ishte mbret në çdo kuptim».

Historia gjithashtu tregon se Babilonia e lashtë ishte një qytet jashtë mase fetar, i mbushur me astrologji dhe fall. Për shembull, tek Ezekieli 21:21, lexojmë se mbreti i Babilonisë i drejtohej fallit që të vendoste nëse duhej ta sulmonte Jerusalemin. Bibla thotë se mbreti ‘shikonte mëlçinë’. Përse mëlçinë? Babilonasit e përdornin këtë organ të kafshëve të flijuara kur kërkonin ogure. Libri Mesopotamian Astrology tregon se vetëm në një vend arkeologjik në Babiloninë e lashtë, arkeologët gjetën «32 mëlçi [prej argjile], të gjitha me mbishkrime» oguresh.

Arkeologu i shquar Nelson Gluk njëherë tha: «Kam gërmuar për tridhjetë vjet me Biblën në njërën dorë e me mistrinë në tjetrën dhe nga ana historike, nuk kam gjetur sikur edhe një gabim në Bibël.»

«Kam gërmuar për tridhjetë vjet . . . dhe nga ana historike, nuk kam gjetur sikur edhe një gabim në Bibël.»​—Nelson Gluk

Profeci e besueshme

Si do të përgjigjeshit nëse dikush do t’ju thoshte se një kryeqytet i madh, si Pekini, Moska ose Uashingtoni, do të shndërrohej në një rrënojë të pabanuar? Zor se do ta besonit. Por, pikërisht një gjë e tillë ndodhi me Babiloninë e lashtë. Rreth 200 vjet më përpara, aty nga viti 732 p.e.s., Perëndia Jehova frymëzoi profetin hebre, Isainë, të hidhte me shkrim një profeci për rënien e Babilonisë së fuqishme. Ai shkroi: «Babilonia, stolia e mbretërive, . . . do të bëhet si Sodoma dhe Gomorra kur i përmbysi Perëndia. Ajo nuk do të banohet më kurrë dhe për të s’do të ketë më vend brez pas brezi.»​—Isaia 13:19, 20.

Po pse Perëndia paratha shkatërrimin e Babilonisë? Në vitin 607 p.e.s., ushtritë babilonase shkatërruan Jerusalemin dhe të mbijetuarit i çuan në Babiloni, ku i trajtonin në mënyrë mizore. (Psalmi 137:8, 9) Perëndia paratha se popullit të tij do t’i duhej ta duronte për 70 vjet këtë keqtrajtim për shkak të veprave të tyre të këqija. Pastaj Perëndia do t’i çlironte dhe do t’i lejonte të ktheheshin në vendin e vet.​—Jeremia 25:11; 29:10.

Ashtu siç thoshte Fjala profetike e Perëndisë, në vitin 539 p.e.s.​—pikërisht kur mërgimit 70-vjeçar të judenjve po i vinte fundi—​qyteti i  Babilonisë në dukje i pamposhtshëm, u pushtua nga ushtritë medo-perse. Më vonë, qyteti u kthye në një grumbull gërmadhash​—pikërisht siç ishte parathënë. Asnjë njeri nuk mund të parashikonte një bëmë kaq të jashtëzakonshme. Pa dyshim, vetë profecitë, ose parathënia e ngjarjeve, e dallojnë Autorin e Biblës​—Perëndinë e vërtetë, Jehovain—​nga çdo perëndi tjetër.​—Isaia 46:9, 10.

Një shpresë e besueshme

Megjithatë, një profeci tjetër po përmbushet në mënyrë të jashtëzakonshme në ditët tona. Ajo ka të bëjë me mbretin Nabukodonosor të Babilonisë që pa në ëndërr një shëmbëlltyrë tejet të madhe. Pesë pjesët e trupit të kësaj shëmbëlltyre​—koka, kraharori me krahët, barku me kofshët, kërcinjtë dhe këmbët—​përbëheshin nga metale të ndryshme. (Danieli 2:31-33) Këto pjesë prej metali simbolizonin qeveri, ose mbretëri të njëpasnjëshme, që fillonin me Babiloninë dhe vazhdonin deri te fuqia botërore anglo-amerikane, e shtata në historinë biblike.​—Danieli 2:36-41.

Danieli shpjegon se këmbët dhe gishtat e këmbëve përbëheshin nga materiale që dallonin nga njëri-tjetri. Pse dallonin? Metali i pastër ishte zëvendësuar nga një përzierje hekuri dhe argjile. Në shpjegim e sipër, Danieli i tha Nabukodonosorit: «Meqenëse pe që hekuri ishte përzier me argjilën, disa pjesë të saj  do të përzihen me pasardhës të njerëzve, por nuk do të ngjiten së bashku, ashtu si hekuri nuk bashkohet me argjilën.» (Danieli 2:43) Po, përzierja e hekurit me argjilën nënkupton një bashkim të dobët, domethënë që nuk «ngjiten së bashku». Sa përshkrim i saktë për botën politikisht të përçarë ku jetojmë sot!

Danieli tregon edhe një zhvillim tjetër të rëndësishëm. Në ëndrrën e tij, mbreti Nabukodonosor pa një gur që u shkëput nga një mal i madh. Ky gur u ngrit dhe fluturimthi «goditi shëmbëlltyrën në pjesën e këmbëve nga kyçet e poshtë, që ishin prej hekuri e argjile të pjekur, dhe i thërrmoi». (Danieli 2:34) Çfarë kuptimi ka kjo? Vetë Danieli përgjigjet: «Në ditët e atyre mbretërve [gjatë kohës së fuqisë botërore të fundit], Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri që nuk do të shkatërrohet kurrë. Kjo mbretëri nuk do t’i kalojë asnjë populli tjetër. Ajo do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive, dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë.» (Danieli 2:44) Kjo profeci e drejtonte vëmendjen te një Mbretëri që ndryshon nga çdo qeveri tjetër që njeh njerëzimi. Mbreti i saj është Jezu Krishti, Mesia. Siç është thënë edhe në artikujt e mëparshëm të kësaj serie, Jezui do të thërrmojë Satanain dhe të gjithë ata që e ndjekin, qofshin njerëz a krijesa frymore, duke sjellë kështu paqen dhe harmoninë universale.​—1 Korintasve 15:25.