Gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve, spektatorët shpërthejnë në brohoritje të tërbuara kur dy aktore të famshme përshëndeten me një puthje pasionante. Ata shqyejnë sytë nga habia dhe pastaj duartrokasin në shenjë përkrahjeje. Për homoseksualët ky është një triumf. Disa besojnë se është vetëm një mënyrë për të tërhequr vëmendje dhe për reklamë. Sido që të jetë, në ditët në vijim, filmimet e kësaj puthjeje do të transmetohen një më dy në lajmet televizive dhe do të kapin majat e suksesit në Internet.

SIÇ ilustrohet në skenën e mësipërme, të pakta janë ato ngjarje që bëjnë më shumë bujë në shtyp sesa kur zbulohet se një i famshëm është gei, lezbike ose biseksual. Disa i lavdërojnë këta njerëz për guximin e tyre, kurse të tjerë i kritikojnë për shfrenimin. Midis këtyre dy ekstremeve, ka shumë që e shohin homoseksualizmin veçse një mënyrë jetese alternative. «Kur isha në shkollë,—thotë Danieli, 21 vjeç,—edhe nxënësit që nuk ishin homoseksualë thoshin se, nëse ishe kundër homoseksualizmit, ishe diskriminues dhe gjykues.» *

Pikëpamjet për homoseksualizmin mund të ndryshojnë nga një brez në tjetrin dhe nga një vend në tjetrin. Por të krishterët nuk lëkunden «andej-këtej nga çdo erë mësimi». (Efesianëve 4:14) Përkundrazi, ata i përmbahen ngushtësisht pikëpamjes së Biblës.

Cila është pikëpamja e Biblës për homoseksualizmin? Nëse jeton sipas kodit moral të Biblës, si mund t’u përgjigjesh atyre që të etiketojnë si diskriminues, gjykues ose edhe homofobik? Shqyrto në vijim disa pyetje dhe përgjigje të mundshme.

Çfarë thotë Bibla për homoseksualizmin?

Bibla e thotë qartë se qëllimi fillestar i Perëndisë ishte që marrëdhëniet seksuale të ekzistonin vetëm midis një burri dhe një gruaje dhe vetëm brenda lidhjes martesore. (Zanafilla 1:27, 28; Levitiku 18:22; Proverbat 5:18, 19) Kur flet kundër kurvërisë, Bibla e ka fjalën si për sjelljen e homoseksualëve ashtu edhe të heteroseksualëve. *Galatasve 5:19-21.

Nëse të pyesin: «Çfarë mendon për homoseksualizmin?»

Mund të përgjigjesh: «Nuk është se i urrej homoseksualët, por s’mund ta përkrah sjelljen e tyre.»

 ✔ Mbaj parasysh: Nëse udhëhiqesh nga kodi moral i Biblës, atëherë kjo është mënyra e jetesës që ke zgjedhur dhe kjo është e drejta jote. (Josiu 24:15) Mos të të vijë turp për pikëpamjen tënde.Psalmi 119:46.

A nuk duhet që të krishterët t’i trajtojnë me respekt të gjithë njerëzit, pavarësisht nga prirja e tyre seksuale?

Absolutisht se po. Bibla thotë: «Nderoni njerëzit e çdo lloji» ose siç e përkthen Today’s English Version: «Respektoni këdo.» (1 Pjetrit 2:17) Pra, të krishterët nuk janë homofobikë. Ata u tregojnë dashamirësi të gjithë njerëzve, edhe homoseksualëve.Mateu 7:12.

Nëse të pyesin: «A nuk nxit pikëpamja jote diskriminimin ndaj homoseksualëve?»

Mund të përgjigjesh: «Aspak. Unë nuk jam kundër njerëzve, por sjelljes homoseksuale.»

✔ Mund të shtosh: «Për ta ilustruar, unë kam vendosur edhe të mos pi duhan. Në fakt, vetëm ideja më duket e neveritshme. Por e zëmë se ti e pi duhanin dhe mendon ndryshe. Unë nuk do të të gjykoja ty për pikëpamjen që ke, ashtu siç jam i sigurt se as ti nuk do të më gjykoje për pikëpamjen time, apo jo? I njëjti parim vlen edhe për pikëpamjet tona të ndryshme për homoseksualizmin.»

A nuk tha Jezui se duhet të jemi tolerantë? Atëherë, a nuk duhet të kenë të krishterët një pikëpamje tolerante ndaj homoseksualizmit?

Jezui nuk i inkurajoi dishepujt e tij të pranonin çfarëdolloj mënyre jetese. Përkundrazi, ai i mësoi se rruga e shpëtimit është e hapur për ‘këdo që tregon besim tek ai’. (Gjoni 3:16) Të tregosh besim te Jezui do të thotë të jetosh sipas kodit moral të Perëndisë, i cili i ndalon disa lloj sjelljesh—përfshirë homoseksualizmin.Romakëve 1:26, 27.

Kur bëhet fjalë për pikëpamjen e shumicës, të krishterët kanë guximin të shkojnë kundër rrymës

Nëse të thonë: «Homoseksualët nuk mund ta ndryshojnë prirjen e tyre; ata kanë lindur ashtu.»

Mund të përgjigjesh: «Bibla nuk thotë gjë për shkaqet biologjike të homoseksualëve, megjithëse ajo thotë se disa vese janë të rrënjosura thellë. (2 Korintasve 10:4, 5) Edhe nëse disa priren të tërhiqen nga persona të të njëjtit seks, Bibla thotë se të krishterët nuk duhet të kryejnë akte homoseksuale.»

✔ Sugjerim: Në vend që të ngecësh në një debat në lidhje me shkakun e dëshirave homoseksuale, thekso se Bibla e ndalon sjelljen homoseksuale. Për të bërë një krahasim, mund të thuash: «Shumë pretendojnë se një nga shkaqet e sjelljes së dhunshme mund të jetë gjenetike dhe prandaj disa janë të prirur për të qenë të dhunshëm. (Proverbat 29:22) Po sikur kjo të ishte e vërtetë? Siç mund ta dish, Bibla i dënon shpërthimet e zemërimit. (Psalmi 37:8; Efesianëve 4:31) A mund ta quajmë të padrejtë këtë normë vetëm se disa mund të kenë prirjen për të qenë të dhunshëm?»

Si mund t’i thotë Perëndia një njeriu që tërhiqet nga i njëjti seks që të largohet nga homoseksualizmi? Kjo duket mizore.

Ky arsyetim bazohet në konceptin e gabuar se njerëzit duhet të veprojnë sipas impulseve të tyre seksuale. Bibla u jep dinjitet qenieve njerëzore duke i siguruar se mund të zgjedhin të mos veprojnë siç ua diktojnë impulset e papërshtatshme seksuale, nëse vërtet duan.Kolosianëve 3:5.

  Nëse të thonë: «Edhe pse vetë nuk je i tillë, duhet të ndryshosh pikëpamje për homoseksualizmin.»

Mund të përgjigjesh: «E zëmë se unë jam kundër bixhozit, kurse ti jo. A do të ishte e arsyeshme të këmbëngulje që unë ndryshoja pikëpamje vetëm se miliona njerëz zgjedhin të luajnë bixhoz.»

✔ Mbaj parasysh: Shumica e njerëzve (përfshirë homoseksualët) kanë disa parime etike që i bëjnë të dënojnë disa gjëra, si mashtrimin, padrejtësinë ose luftërat. Bibla i ndalon këto gjëra; ajo dënon edhe disa sjellje seksuale, përfshirë homoseksualizmin.1 Korintasve 6:9-11.

Bibla nuk është e paarsyeshme dhe nuk nxit diskriminimin. Ajo thjesht i udhëzon ata që tërhiqen ndaj të njëjtit seks, të bëjnë të njëjtën gjë që kërkohet nga heteroseksualët: ‘të ikin nga kurvëria’.1 Korintasve 6:18.

Fakti është që, miliona heteroseksualë që dëshirojnë t’u përmbahen normave biblike, ushtrojnë vetëkontroll pavarësisht nga tundimet që mund të hasin. Këtu futen edhe shumë beqarë pa shumë perspektivë për t’u martuar ose të martuar me dikë që nuk është në gjendje të kryejë marrëdhënie seksuale. Ata mund të jetojnë të lumtur edhe pa i plotësuar dëshirat seksuale. Edhe ata që kanë prirje homoseksuale mund të bëjnë të njëjtën gjë nëse duan vërtet t’i pëlqejnë Perëndisë.Ligji i përtërirë 30:19.

^ par. 4 Në këtë artikull emrat janë ndryshuar.

^ par. 7 Termi biblik «kurvëri» i referohet jo vetëm aktit seksual, por edhe masturbimit të një personi tjetër ose seksit oral e anal.

PËR TË MENDUAR

  • Pse Perëndia u vë ligje morale njerëzve?
  • Si nxjerr dobi ti duke iu përmbajtur ligjeve morale të Biblës?