Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Një libër që mund t’i besosh—Pjesa II

Asiria në historinë biblike

Një libër që mund t’i besosh—Pjesa II

Ky është i dyti në serinë prej shtatë artikujsh që do të dalin në numra të njëpasnjëshëm të revistës «Zgjohuni!» Këta artikuj shqyrtojnë shtatë fuqitë botërore në historinë biblike. Qëllimi i tyre është të tregojnë se Bibla është e besueshme dhe e frymëzuar nga Perëndia dhe mesazhi i saj jep shpresë se vuajtjet e shkaktuara nga sundimi mizor i njeriut do të marrin fund.

NJERËZVE të Lindjes së Mesme u ngrinte gjaku vetëm po t’ua përmendje emrin e Asirisë. Siç tregon vetë profeti Jona në librin biblik që mban emrin e tij, kur Perëndia i dha si caktim të predikonte mesazhin e gjykimit në Ninevi, kryeqytetin e Asirisë, ai ia mbathi në drejtim të kundërt. (Jonai 1:1-3) Ndoshta reagoi kështu për shkak të reputacionit të frikshëm që kishin asirianët.

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

PERANDORIA ASIRIANE

MEDI

ASIRI

Khorsabad

Ninevi

Kalah

Ashur

Babiloni

Lumi Tigër

Lumi Eufrat

Deti Mesdhe (Deti i Madh)

Samari

Jerusalem

EGJIPT

[Figura në faqen 26]

Dema të mëdhenj me krahë dhe me kokë njeriu, ruanin pallatet e mbretërve të Asirisë

Histori e besueshme

Profeti Naum e përshkroi në Bibël Ninevinë si «strofka e luanëve» dhe «qyteti gjakatar». Ai shtoi: «Preja nuk i ndahet. Dëgjohet fshikullima e kamxhikut, rrapëllima e rrotave, kuajt që turren dhe karrocat që hovin. Kalorësit kalërojnë, shpatat flakërojnë, heshtat vetëtijnë. Ka mori të vrarësh, pirgje kufomash, të vdekur pa fund. Te trupat e vdekur  ata pengohen pareshtur.» (Naumi 2:11; 3:1-3) A e mbështet historia botërore përshkrimin që i bën Bibla Asirisë së lashtë?

Libri Dritë nga e kaluara antike (anglisht) e quan Asirinë «makinë lufte e pamëshirshme, brutaliteti i së cilës qëllimthi i kallte tmerrin armiqve të saj». Më poshtë tregohet se si një mbret asirian, Ashurnasirpali II, mburrej për mënyrën si i trajtonte ata që ngrinin krye kundër tij.

Reliev prej guri ku tregohen robërit e luftës që rripen të gjallë

«Përballë portës së qytetit ndërtova një shtyllë, krerëve rebelë u rropa lëkurën dhe me të vesha shtyllën, disa i murosa brenda shtyllës, disa i vara në shtyllë mbi hunj, . . . zyrtarëve të oborrit që u rebeluan, u preva gjymtyrët . . . Shumë robër prej tyre i dogja në zjarr dhe shumë i mora si robër të gjallë.» Kur arkeologët gërmuan në pallatet mbretërore asiriane, zbuluan mure të zbukuruara me pamje që paraqitnin trajtimin e tmerrshëm që u bëhej robërve.

Në vitin 740 p.e.s., Asiria pushtoi Samarinë, kryeqytetin e mbretërisë veriore të Izraelit dhe robërit i çoi në mërgim. Tetë vjet më vonë, Asiria pushtoi Judën. * (2 Mbretërve 18:13) Senakeribi, mbreti asirian, i kërkoi mbretit të Judës, Hezekisë, një haraç prej 30 talentash ari dhe 300 talentash argjendi. Sipas dokumentimit biblik, ky haraç u pagua. Prapëseprapë, Senakeribi këmbënguli që edhe kryeqyteti i Judës, Jerusalemi, t’i dorëzohej pa kushte.2 Mbretërve 18:9-17, 28-31.

Një prizëm ku Senakeribi mburret për pushtimin e Judës

Në Ninevi arkeologët kanë gjetur një tregim të të njëjtave ngjarje në analet e Senakeribit. Në këtë tekst, të shkruar në një prizëm gjashtëkëndor prej argjile, mbreti asirian mburrej: «Hezekia, judeu, nuk iu nënshtrua zgjedhës sime. Prandaj, rrethova 46 qytete të tij të forta, fortesa të rrethuara me mur dhe fshatra të vogla të panumërta në afërsi të tyre e i pushtova . . . Vetë [Hezekinë] e mbajta si të burgosur në Jerusalem, në selinë e tij mbretërore, tamam si zogun në kafaz.» Senakeribi pastaj thotë se Hezekia i dërgoi «30 talenta prej ari, edhe 800 talenta argjendi, gurë të çmuar, . . . (e) çdo lloj thesari të çmuar» duke zmadhuar numrin e talentave të argjendit që kishte marrë vërtet.

Por vini re që Senakeribi nuk pretendon ta ketë pushtuar Jerusalemin. Në fakt, ai nuk e përmend fare disfatën shkatërrimtare që pësoi ushtria e tij nga ndërhyrja e Perëndisë. Sipas Biblës, engjëlli i Perëndisë vrau brenda një nate 185.000 ushtarë asirianë. (2 Mbretërve 19:35, 36) Studiuesi Xhek Finegan thotë: «Megjithatë, kur mbajmë parasysh tonin gjithë mburrje që karakterizon mbishkrimet e mbretërve asirianë, nuk presim që Senakeribi ta dokumentonte këtë disfatë.»

Profeci e besueshme

Rreth një qind vjet para rënies së perandorisë asiriane, Isaia deklaroi se Perëndia Jehova do t’u kërkonte llogari këtyre pushtuesve krenarë për paturpësinë që kishin treguar ndaj popullit të tij. «Do t’i kërkoj llogari mbretit të Asirisë për frytin e paturpësisë  së zemrës së tij, për rëndësinë që i jep vetes dhe për sytë e tij krenarë.» (Isaia 10:12) Përveç kësaj, Naumi, një profet i Perëndisë, paratha se Ninevia do të plaçkitej, portat e saj do të hapeshin para armiqve dhe rojat e saj do të iknin. (Naumi 2:8, 9; 3:7, 13, 17, 19) Profeti biblik, Sofonia, shkroi se qyteti do të kthehej në një «shkreti».Sofonia 2:13-15.

Këto profeci që parathanë shkatërrimin, u përmbushën në vitin 632 p.e.s. Kjo ndodhi kur Ninevia u mund nga forcat aleate të babilonasve dhe medëve, duke i dhënë kështu një fund të turpshëm perandorisë asiriane. Një kronikë babilonase thotë për këtë ngjarje se pushtuesit «morën shumë plaçkë nga qyteti dhe tempulli» dhe e kthyen Ninevinë «në një pirg rrënojash». Sot, vendi ku ndodhej njëherë e një kohë Ninevia, në lindje të lumit Tigër, përballë qytetit të Mosulit në Irak, ka mbetur një vend i shkretë ku sheh vetëm pirgje rrënojash.

Me shkatërrimin e Asirisë u përmbush një profeci tjetër biblike. Kohë më parë, në vitin 740 p.e.s., Asiria e çoi në mërgim mbretërinë dhjetëfisëshe. Gati në të njëjtën kohë që Asiria bënte këtë, profeti i Perëndisë, Isaia, paratha se Jehovai ‘do ta dërrmonte asirianin e do ta shtypte’ dhe do ta kthente Izraelin në vendin e vet. Isaia shkroi: «Mbetjen e popullit të tij nga Asiria . . . , [Perëndia] do të mbledhë.» Pikërisht kjo ndodhi rreth dyqind vjet më vonë.Isaia 11:11, 12; 14:25.

Një premtim i besueshëm

Shumë kohë para rënies së Ninevisë, ndërsa mbretërit e saj ngjallnin ende tmerr tek armiqtë, Isaia paratha ardhjen e një sundimtari shumë të ndryshëm. Ai shkroi: «Na ka lindur një fëmijë, na është dhënë një bir dhe mbi supet e tij do të jetë sundimi princëror. Ai do të thirret . . . Princ i Paqes. Sundimi i tij i madh princëror dhe paqja nuk do të kenë fund në fronin e Davidit dhe në mbretërinë e tij, që ajo të vendoset patundshmërisht dhe të qëndrojë me anë të drejtësisë dhe veprave të drejta që tani e në përjetësi. Këtë do ta bëjë zelli i Jehovait të ushtrive.»Isaia 9:6, 7.

Sundimi i ‘Princit të Paqes’, Jezu Krishtit, do të shtrihet mbi të gjithë tokën. Psalmi 72:7, 8 thotë: «Në ditët e tij, i drejti do të lulëzojë,dhe paqja do të jetë pa fund derisa të mos ketë më hënë. Do të ketë nënshtetas nga deti në det, dhe nga Lumi [Eufrat] deri në skajet e tokës.»

Nëpërmjet këtij ‘Princi të Paqes’, Perëndia Jehova do të mbajë premtimin që ka bërë te Psalmi 46:8, 9: «Ejani dhe shihni veprat e Jehovait, se si ka bërë të ndodhin ngjarje befasuese në tokë. Ai i pushon luftërat deri në skaj të dheut; thyen harkun dhe e bën copë-copë heshtën; karrocat i djeg në zjarr.»

Si prelud i përmbushjes së kësaj profecie biblike, Dëshmitarët e Jehovait po kryejnë një program arsimimi biblik që, ashtu si Jezui, u mëson njerëzve rrugën e paqes. Vërtet, nuk do të jetë njeriu, por Perëndia, Ai që do të përmbushë profecinë biblike të dokumentuar tek Isaia 2:4: «Ata do t’i farkëtojnë shpatat duke i kthyer në plore dhe heshtat në kiza për krasitje. Kombet nuk do ta ngrenë shpatën kundër njëri-tjetrit, dhe as do të mësojnë më të luftojnë.» Kurse sot bota dhe sundimtarët e saj harxhojnë një trilion dollarë në vit për çështje ushtarake.

Saktësia e historisë dhe e profecisë e ngre Biblën më lart se librat e tjerë. Për ata që sinqerisht duan të dinë të vërtetën, kjo është një provë se Bibla është një libër që meriton besimin tonë. Në artikullin vijues të kësaj serie, do të shqyrtojmë Babiloninë e lashtë, qendrën e perandorisë së tretë në historinë e Biblës.

^ par. 9 Pas mbretërimit të Solomonit, kombi prej 12 fisesh i Izraelit u nda—Juda dhe Beniamini formuan mbretërinë jugore; kurse dhjetë fiset e tjera formuan mbretërinë veriore. Jerusalemi ishte kryeqyteti i mbretërisë jugore dhe Samaria i mbretërisë veriore.