Pse flitet keq për Dëshmitarët e Jehovait?

Shumë njerëz janë thjesht të keqinformuar. Të tjerë ndoshta nuk e vlerësojnë veprën e predikimit të Dëshmitarëve. Por e vërteta është se Dëshmitarët predikojnë nga dashuria për të afërmin, duke ditur se «kushdo që thërret emrin e Jehovait, do të shpëtojë».Romakëve 10:13.

A janë Dëshmitarët e Jehovait të krishterë? A janë një sekt?

Dëshmitarët e Jehovait janë të krishterë, sepse mësimet e tyre bazohen në Bibël. Por nuk janë as protestantë, as katolikë dhe as pjesëtarë të Kishës Ortodokse, pasi disa mësime të këtyre feve janë jobiblike. Për shembull, Bibla nuk mëson se Perëndia, personifikimi i dashurisë, i torturon njerëzit përjetësisht në ferrin e zjarrtë. As nuk mëson që shpirti është i pavdekshëm.Ezekieli 18:4; Romakëve 6:23. *

Përveç kësaj, Dëshmitarët e Jehovait janë të krishterë sepse imitojnë Krishtin në jetën e tyre të përditshme. Për shembull, Krishti dhe të krishterët e hershëm nuk u përfshinë në politikë. Përkundrazi, ata predikuan Mbretërinë e Perëndisë. (Luka 4:43; Gjoni 15:19; 17:14) Duke ndjekur shembullin e tyre, Dëshmitarët e Jehovait nuk merren me politikë dhe zakonisht bisedojnë me njerëzit personalisht, duke arsyetuar dhe duke përdorur argumente bindëse, ashtu siç bënin të krishterët e hershëm.Veprat 19:8.

Sekt është një grup opozitar brenda një komuniteti fetar ose një grup që shkëputet për të formuar një fe të re. Dëshmitarët e Jehovait nuk janë shkëputur nga asnjë kishë. Ata nuk janë një sekt.

Çfarë bëhet në mbledhjet e Dëshmitarëve?

Në mbledhjet e tyre, ku hyrja është e lirë, studiohet kryesisht Bibla dhe shpesh edhe auditori merr pjesë. Një prej mbledhjeve javore, Shkolla e Shërbimit Teokratik, i ndihmon pjesëtarët e kongregacionit të aftësohen për të dhënë mësim, për të lexuar dhe për të bërë kërkime. Në një mbledhje tjetër mbahet një fjalim biblik prej 30 minutash rreth një teme që mund të jetë me interes të veçantë për ata që nuk janë Dëshmitarë. Zakonisht pas tij bëhet studimi i Biblës me anë të revistës Kulla e Rojës. Mbledhjet fillojnë dhe mbarojnë me një këngë e lutje dhe nuk mblidhen fonde  ose nuk kalohet ndonjë shportë për të mbledhur para.2 Korintasve 8:12.

Si financohen Dëshmitarët e Jehovait?

Vepra e Dëshmitarëve të Jehovait mbështetet nga kontribute vullnetare. Ata nuk marrin para për pagëzime, martesa, funerale ose ndonjë shërbesë tjetër fetare. Gjithashtu nuk u kërkohet të japin të dhjetën. Çdokush që dëshiron të bëjë një kontribut mund ta bëjë duke e hedhur në një kuti kontributesh që ndodhet në një vend që nuk bie në sy në Sallën e Mbretërisë. Dëshmitarët e Jehovait e prodhojnë vetë literaturën biblike që përdorin, dhe kjo ndihmon që të mos harxhojnë shumë. Edhe Sallat e Mbretërisë e godinat e thjeshta të degëve ndërtohen kryesisht nga vullnetarë.

A pranojnë Dëshmitarët e Jehovait trajtime mjekësore?

Po. Në fakt, ata kërkojnë kujdesin më të mirë të mundshëm për vete dhe të afërmit e tyre. Për më tepër, shumë Dëshmitarë punojnë në fushën e mjekësisë, si: infermierë, ndihmësmjekë, mjekë dhe kirurgë. Megjithatë, Dëshmitarët e Jehovait nuk pranojnë të bëjnë transfuzion gjaku. «Rrini larg . . . nga gjaku»,—thotë Bibla. (Veprat 15:28, 29) Është interesante se gjithnjë e më shumë mjekë e shohin trajtimin mjekësor pa gjak si «standardi i artë», sepse kështu mund të shmangen shumë rreziqe shëndetësore që vijnë nga përdorimi i përbërësve të gjakut.

^ par. 5 Pikëpamjet biblike për shumë çështje të rëndësishme si këto mund të gjenden në librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.