Bindjet e Dëshmitarëve të Jehovait nuk janë sekrete, sepse literatura e tyre është në dispozicion në qindra gjuhë. Më poshtë jepet një përmbledhje e bindjeve të tyre kryesore.

1. Bibla:

Dëshmitarët besojnë se «i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia». (2 Timoteut 3:16) Xhejson D. Beduni, ndihmësprofesor për studimet fetare, shkroi: «[Dëshmitarët e Jehovait i ndërtojnë] ato që besojnë dhe praktikojnë mbi të vërtetat e Biblës, pa e përcaktuar që më përpara se çfarë duan të gjejnë atje. Bindjet e tyre janë në përputhje me atë që thotë Bibla, të cilën nuk e interpretojnë siç u leverdis. Në të njëjtën kohë, e pranojnë se jo çdo gjë në Bibël duhet të merret në kuptimin e mirëfilltë. Për shembull, shtatë ditët e krijimit nuk janë ditë 24-orëshe, por periudha të gjata kohore.Zanafilla 1:31; 2:4.

2. Krijuesi:

Perëndia i vërtetë i ka vënë vetes një emër: Jehova (ose Jahve, siç e përdorin disa botime katolike, si Simon Filipaj, dhe siç parapëlqejnë disa studiues të ditëve tona), që e dallon nga perënditë e rreme. * (Psalmi 83:18) Në tekstin origjinal të Shkrimeve emri hyjnor del rreth 7.000 herë në hebraisht. Duke theksuar rëndësinë e këtij emri, në lutjen model Jezui tha: «U shenjtëroftë emri yt.» (Mateu 6:9) Me të drejtë Perëndia kërkon që t’i përkushtohemi vetëm atij. Për këtë arsye, Dëshmitarët nuk përdorin ikona ose shëmbëlltyra në adhurim.1 Gjonit 5:21.

«Ati është më i madh se unë.»—Gjoni 14:28

3. Jezu Krishti:

Ai është Shpëtimtari, «Biri i Perëndisë» dhe «i parëlinduri i gjithë krijimit». (Gjoni 1:34; Kolosianëve 1:15; Veprat 5:31) Si qenie e krijuar, ai nuk është pjesë e një Triniteti. Jezui tha: «Ati është më i madh se unë.» (Gjoni 14:28) Ai jetonte në qiell para se të vinte në tokë dhe pas vdekjes së tij flijuese e ringjalljes, u kthye në qiell. «Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet [tij].»Gjoni 14:6.

 4. Mbretëria e Perëndisë:

Kjo është një qeveri e vërtetë qiellore me një mbret në krye—Jezu Krishtin—dhe me 144.000 bashkësundimtarë, të cilët ‘janë blerë nga toka’. (Zbulesa 5:9, 10; 14:1, 3, 4; Danieli 2:44; 7:13, 14) Ata do të sundojnë mbi tokë, e cila do të spastrohet nga e gjithë ligësia dhe do të banohet nga miliona njerëz me frikë Perëndie.Proverbat 2:21, 22.

5. Toka:

Eklisiastiu 1:4 thotë: «Toka qëndron përjetë.» Pas shkatërrimit të të ligjve, toka do të kthehet në parajsë dhe do të banohet përgjithmonë nga njerëz të drejtë. (Psalmi 37:10, 11, 29) Do të përmbushen fjalët që tha Jezui në lutje: «U bëftë vullneti yt në tokë.»Mateu 6:10, Diodati i Ri.

6. Profecitë biblike:

«Perëndia . . . nuk mund të gënjejë.» (Titit 1:2) Pra, atë që parathotë e realizon gjithmonë, madje edhe profecitë biblike që lidhen me fundin e sistemit të tanishëm. (Isaia 55:11; Mateu 24:3-14) Kush do të mbijetojë nga shkatërrimi i ardhshëm? «Ai që bën vullnetin e Perëndisë, mbetet përgjithmonë»,—thuhet te 1 Gjonit 2:17.

7. Autoritetet:

«Paguajini Cezarit gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë gjërat e Perëndisë»,—tha Jezui. (Marku 12:17) Në përputhje me këtë shkrim, Dëshmitarët e Jehovait u binden ligjeve të vendit, nëse nuk bien në kundërshtim me ligjet e Perëndisë.Veprat 5:29; Romakëve 13:1-3.

«Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.»—Mateu 24:14

8. Predikimi:

Jezui paratha: «Ky lajm i mirë për mbretërinë» do të shpallet në mbarë botën para se të vijë fundi i këtij sistemi. (Mateu 24:14) Dëshmitarët e Jehovait e kanë për nder të marrin pjesë në këtë vepër jetëshpëtuese. Sigurisht, nëse dëgjojnë apo jo njerëzit, është zgjedhja e tyre. Bibla thotë: «Kush dëshiron, le të marrë falas ujin e jetës.»Zbulesa 22:17.

9. Pagëzimi:

Dëshmitarët e Jehovait pagëzojnë vetëm ata që, pas një studimi të hollësishëm të Biblës, duan t’i shërbejnë Perëndisë si Dëshmitar i tij. (Hebrenjve 12:1) Ata e simbolizojnë kushtimin e tyre ndaj Perëndisë duke u zhytur në ujë.Mateu 3:13, 16; 28:19.

10. Dallimi midis klerit dhe besimtarëve të thjeshtë:

«Ju të gjithë jeni vëllezër»,—u tha Jezui dishepujve. (Mateu 23:8) Të krishterët e hershëm, përfshirë shkrimtarët e Biblës, nuk kishin një klasë kleri. Edhe Dëshmitarët e Jehovait këtë model biblik ndjekin.

^ par. 4 Emrin «Jehova» nuk e kanë shpikur Dëshmitarët e Jehovait. Shumë shekuj më parë, emri i Perëndisë përkthehej «Jehova» në një sërë gjuhësh jobiblike, përfshirë anglisht e gjermanisht. Mjerisht, disa përkthyes të sotëm të Biblës e kanë zëvendësuar emrin hyjnor me tituj, si «Perëndi» dhe «Zot», duke mos treguar pikë respekti për autorin e Biblës.