«KUR isha 12 vjeç,—kujton Jakovi, *—u zgjova një mëngjes, u ula në buzë të krevatit dhe pyeta veten: ‘Mos do të vdes sot?’» Jakovin e kishte mbërthyer një depresion i rëndë. Pas 30 vjetësh Jakovi thotë: «Kam luftuar çdo ditë me këtë sëmundje emocionale dhe mendore.» Jakovi ndihej kaq i pavlerë kur ishte i ri, saqë i grisi të gjitha fotografitë e fëmijërisë. «Mendoja se nuk ia vlente as të më mbanin mend»,—kujton ai.

Meqë të gjithëve na ndodh që hera-herës të luftojmë me trishtimin, mbase nxjerrim përfundimin se e kuptojmë çfarë është depresioni. Por, si ndihesh kur vuan nga depresioni?

I paftuar mizor

Depresioni nuk është thjesht një trishtim i çastit, por një çrregullim i rëndë që shpesh të pengon në veprimtaritë e përditshme.

Për shembull, për më shumë se 40 vjet, Alvaroja vuan nga «frika, pështjellimi mendor, ankthi dhe trishtimi i thellë». Ai shpjegon: «Për shkak të depresionit, mendimi që të tjerët kishin për mua më rëndonte shumë. Gjithnjë mendoja se e kisha unë fajin nëse diçka nuk shkonte siç duhej.» Ai thotë se, kur je me depresion, «ke një dhembje të tmerrshme, por nuk e di se ku të dhemb, ke frikë pa e ditur pse dhe, ç’është më e keqja, s’ke pikë dëshire të flasësh për këtë». Megjithatë, tani ka gjetur njëfarë lehtësimi. E di shkakun e këtyre simptomave. Ai thotë: «Vetëm mendimi se edhe të tjerë kanë të njëjtin problem si unë më ka bërë të ndihem më mirë.»

Marisë 49-vjeçare nga Brazili depresioni i solli pagjumësi, dhembje fizike, nervozizëm dhe «një trishtim që dukej se s’do të mbaronte kurrë». Maria u lehtësua kur i gjetën diagnozën, ngaqë tani dinte shkakun e vuajtjes së saj. «Por pastaj m’u shtua ankthi,—shpjegon ajo,—sepse janë shumë të paktë ata që e kuptojnë ç’është depresioni dhe shihet si diçka e turpshme.»

Trishtim pa shkak

Ndonëse nganjëherë depresioni e ka një shkak të qartë, shpesh hyn pa asnjë paralajmërim në jetën e njeriut. «Papritur jetën ta mbulon një re trishtimi pa ndonjë arsye,—shpjegon Riçardi nga Afrika e Jugut.—S’të ka vdekur ndonjë dhe s’ka ndodhur asgjë shqetësuese. Prapëseprapë ndihesh i dëshpëruar dhe pa pikë fuqie e interesi. Dhe s’ka gjë që ta largon këtë re. Të mbyt dëshpërimi dhe nuk e di pse.»

Depresioni nuk është për të pasur turp. Megjithatë, Ana nga Brazili kishte turp ngaqë e diagnostikuan me depresion. Ajo pohon: «Edhe pas tetë vjetësh, ende më vjen turp për veten.» E ka të vështirë sidomos të përballojë gjendjen e tmerrshme emocionale. «Nganjëherë vuajtja është kaq e madhe sa ndiej dhembje fizike. Më dhembin të gjithë muskujt e trupit.» Në këto raste është thuajse e pamundur të çohesh nga shtrati. Ka edhe raste kur Ana s’pushon dot së qari. Ajo thotë: «Qaj me kaq dënesë dhe ndihem aq e  rraskapitur sikur nuk më qarkullon më gjaku.»

«Papritur jetën ta mbulon një re trishtimi pa ndonjë arsye»

Bibla pohon se njerëzit mund të bien tepër emocionalisht, aq sa të jenë në rrezik. Për shembull, apostulli Pavël kishte merak për dikë se mos ‘përpihej nga trishtimi i tepërt’. (2 Korintasve 2:7) Disa njerëz me depresion turbullohen aq shumë sa do të donin të vdisnin. Shumë ndihen si profeti Jona: «Për mua është më mirë të vdes se të rroj!»​—Jonai 4:3.

Ç’mund të bëjnë ata që vuajnë nga depresioni për ta trajtuar dhe përballuar këtë sëmundje angështuese?

^ par. 2 Në këtë seri artikujsh emrat janë ndryshuar.