Një vështrim rreth botës

Në vitin 2007, Kina kishte «106 miliarderë në dollarë amerikanë, kurse [në vitin 2006] kishte 15 dhe në 2002-shin s’kishte asnjë.»—CHINA DAILY, KINË.

«Indianët që i lënë pas dore prindërit e moshuar mund të dënohen me burg sipas një ligji të ri që pasqyron shqetësimin se modernizimi i shpejtë . . . po vë në rrezik traditën shekullore të familjeve të mëdha.»—ROJTERS, INDI.

«Sot në Angli ata që ndjekin myslimanizmin mund të jenë po aq sa ata që ndjekin fenë anglikane.»—THE ECONOMIST, BRITANI.

Pemët e Siberisë: «Minatore» metalesh të çmuara

Revista ruse Vokrug Sveta thotë se në pyjet e Siberisë «mund të gjesh ar safi brenda trungjeve të pemëve që po kalben». Shkencëtarët në qytetet Ulad-Ude, Irkutsk dhe Novosibirsk kanë zbuluar se pemët me gjelbërim të përhershëm që rriten në vendet e pasura me xeherorë në Siberi, thithin nga toka metale të tretura në dhe. Kur pemët kalben, metalet depozitohen përdhe në pyll. Vetëm nga një ton mbetje pemësh të kalbura, shkencëtarët siberianë kanë përftuar pesë gramë platin, afro 200 miligramë ar dhe tre kilogramë argjend.

Ndihma e parë në funerale

Në një varrezë në Australi, varrmihësit janë pajisur me një defibrilator. Përse? Gazeta Sun-Herald e Sidneit shpjegon se kjo u bë për të shpëtuar të pikëlluarit e mbytur nga hidhërimi që u pushon zemra. «Funeralet janë të rrezikshme për ndonjë infarkt,—thotë Sisenanda Santos, zëdhënëse e Ambulancës së Shën Gjonit dhe drejtuese e programit.—Njerëzit vijnë me turma, janë të dëshpëruar dhe shpesh të veshur trashë për ditët e nxehta.» Defribilatori është programuar t’i japë përdoruesit udhëzime me fjalë dhe, me të dalluar shenjat tipike të infarktit, krijon goditje elektrike, që zemra e të pikëlluarit të rrahë sërish.

Divorci dëmton mjedisin

Vala e divorceve nëpër botë po dëmton mjedisin, ngaqë shton konsumin e burimeve të kufizuara. «Divorci shton numrin e familjeve, zvogëlon numrin e pjesëtarëve dhe rrit konsumin për frymë,—thuhet në një studim të botuar në revistën Proceedings of the National Academy of Sciences.—Familjet e divorcuara në [Shtetet e Bashkuara] mund të kishin kursyer mbi 38 milionë dhoma, 73 miliardë kilovatorë dhe gati 2.400 miliardë litra ujë vetëm në vitin 2005, po t’i kishin shfrytëzuar këto si familje të bashkuara.» Në vitin 2000, në Shtetet e Bashkuara kishte 6,1 milionë familje të tilla «shpërdoruese të burimeve».

Bibla sa një kokë gjilpëre

Një burim lajmesh në Internet, Science Daily, raporton se shkencëtarët izraelitë në fushën e nanoteknologjisë kanë arritur të shtypin të gjithë «Dhiatën e Vjetër» në hebraisht në një mikroqark silici «më të vogël se një kokë gjilpëre». Kjo arritje e madhe u realizua me anë të bombardimit me një tufë grimcash mikroskopike të përqendruara, të quajtura jone galiumi. Kështu teksti u gdhend në sipërfaqen e larë me flori të mikroqarkut. Profesori Uri Sivan i institutit të teknologjisë Technion në Izrael shpjegon: «Projekti i nano-Biblës tregon deri në ç’pikë mund të arrijmë t’i bëjmë gjërat në miniaturë.» Gjithashtu, hap udhën për «ta ruajtur informacionin në vende shumë të vogla».

[Burimi i figurës në faqen 30]

AP Photo/​Ariel Schalit