Fëmijët dhe Interneti: Çfarë duhet të dinë prindërit?

PËR njëfarë kohe u duk sikur siguria në Internet varej vetëm nga vendi ku e vije kompjuterin. Mendohej se po ta lije kompjuterin në një vend që shihej nga të gjithë, do të kishte më pak të ngjarë që fëmijët të futeshin në zonat e rrezikshme të Internetit. Ndonëse ende është me vend të mos ua lësh fëmijëve Internetin në dhomën e tyre ku nuk i sheh njeri, kjo nuk i vë vulën sigurisë. Në ditët tona lidhjet me valë u krijojnë mundësi të rinjve ta kenë me vete Internetin kudo që shkojnë. Edhe shumë celularë mund të lidhen me Internetin. Gjithashtu janë Internet-kafetë, kioskat e Internetit, bibliotekat dhe vendtakimi i vjetër, pra shtëpia e ndonjë shoku. Me kaq shumë mundësi, kuptohet kollaj përse aventurat e fëmijës në Internet i shpëtojnë radarit të prindit.

Le të shqyrtojmë disa aktivitete në Internet që bëjnë për vete shumë të rinj dhe rreziqet e tyre.

E-MAIL

Çfarë është? Mesazh i shkruar që dërgohet me rrugë elektronike. Ndryshe quhet postë elektronike.

Pse është tërheqës? Posta elektronike është një mënyrë e shpejtë dhe pa shumë shpenzime për të mbajtur korrespondencë me miqtë dhe familjarët.

Çfarë duhet të dish? Mesazhet elektronike të padëshiruara, që shpesh quhen spam, jo vetëm kthehen në bezdi, por shpesh flasin për gjëra të ndyra, haptazi ose me nënkuptime. Çdo link brenda mesazhit, që të lidh me një dokument tjetër, e nxit përdoruesin, që mund të jetë një fëmijë naiv, të japë të dhëna personale, dhe kjo mund të çojë në vjedhje identiteti. Kur u përgjigjesh këtyre mesazheve, sikur edhe thjesht për të kërkuar prerazi mos të të dërgojnë më, konfirmon ekzistencën e adresës sate të postës elektronike. Kështu mund të të vijnë mesazhe të tjera të padëshiruara.

 WEB SITE

Çfarë është? Është një përmbledhje faqesh elektronike që krijohen e mbahen nga organizata, institucione arsimore, biznese dhe individë. Ndryshe quhet sit Interneti.

Pse është tërheqës? Janë hapur miliona site që u krijojnë mundësi pa fund të rinjve të blejnë, të bëjnë kërkime, të lidhen me miqtë, të luajnë ose të marrin lojëra dhe muzikë.

Çfarë duhet të dish? Internetin e përdorin gjithfarë imoralësh. Shumë site shfaqin skena me seks dhe po nuk tregove kujdes, është kollaj të futesh në këto site. Për shembull, në Shtetet e Bashkuara, 90 për qind e të anketuarve nga mosha 8 deri në 16 vjeç thanë se kishin hasur pa dashje pornografi në Internet, në më të shumtën e rasteve kur po bënin detyrat e shtëpisë.

Në Internet adoleshentët mund të futen lehtë në site ku luhet bixhoz. Në Kanada, rreth një në 4 djem të anketuar, të vitit të 2-të dhe të 3-të, pohuan se kishin hyrë në këto site. Specialistët me të drejtë janë të shqetësuar, pasi bixhozi në Internet të bën rob kur të duash. Ka edhe site të ashtuquajtura pro-ana, që reklamojnë «një mënyrë jetese anoreksike». * Ndërkaq, sitet që ushqejnë urrejtjen kanë në shënjestër pakicat fetare dhe etnike. Disa site mësojnë si të bëhen bomba, helme dhe të drejtohen operacione terroriste. Në lojërat në Internet mbizotërojnë skenat me dhunë ekstreme dhe gjakderdhje të llahtarshme.

 CHAT ROOM

Çfarë është? Hapësirë elektronike për të komunikuar drejtpërdrejt me anë të mesazheve të shkruara. Këto biseda zakonisht përqendrohen rreth një teme të veçantë ose që u intereson të gjithë pjesëmarrësve. Ndryshe quhet dhomë bisede.

Pse është tërheqës? Fëmija yt mund të komunikojë me shumë individë të cilët nuk i ka takuar kurrë, por i bashkon një interes i përbashkët.

Çfarë duhet të dish? Maniakët seksualë i frekuentojnë shpesh këto dhoma bisede duke shpresuar të joshin ndonjë fëmijë që të bëjnë seks [virtual], madje edhe të takohen që të kryejnë marrëdhënie seksuale. Ja se çfarë i ndodhi njërës prej autoreve të librit «Ç’bëjnë vallë fëmijët tuaj në Internet?» (anglisht) teksa kërkonte rreth sigurisë në Internet. Gjatë studimit, ajo u hoq në Internet sikur ishte një vajzë 12-vjeçare. Në libër thuhet: «Menjëherë dikush e ftoi në një dhomë bisede private. Ajo i tha se nuk dinte të futej në këtë dhomë. Por miku i saj i gjindshëm e mësoi hap pas hapi. Pastaj e pyeti nëse dëshironte të bënin seks [virtual].»

MESAZHE TË ÇASTIT

Çfarë janë? Komunikim i drejtpërdrejtë me shkrim midis dy a më shumë individëve.

Pse janë tërheqëse? Me këtë lloj shërbimi, një përdorues mund të vendosë me cilin nga miqtë do të bisedojë, duke i zgjedhur nga një listë që ka krijuar. S’është habi që një studim kanadez thotë se 84 për qind e 16 dhe 17-vjeçarëve, komunikojnë aty për aty me mesazhe të çastit me shokët, dhe merren me këtë më shumë se një orë në ditë.

Çfarë duhet të dish? Komunikimi me mesazhe të çastit mund të shpërqendrojë fëmijën nëse po studion ose nëse po bën diçka tjetër që kërkon përqendrim. Veç kësaj, ti si prind s’ke si ta dish me siguri me kë po komunikon djali apo vajza jote. Në fund të fundit bisedën s’e dëgjon dot.

BLOG

Çfarë është? Ditar elektronik.

Pse është tërheqës? Ditari elektronik u jep mundësi fëmijëve dhe të rinjve të shkruajnë mendimet, gjërat që kanë pasion dhe aktivitetet. Shumë ditare lënë hapësirë për lexuesit që të shkruajnë komentet e tyre dhe shumë fëmijë entuziazmohen kur dikush u është përgjigjur.

Çfarë duhet të dish? Ditari mund të lexohet nga të gjithë. Disa të rinj tregohen të shkujdesur dhe zbulojnë informacione që mund të përdoren për të identifikuar familjen, për të gjetur shkollën ose adresën e shtëpisë. Diçka tjetër: këto ditare mund të prishin reputacionin, përfshirë reputacionin e vetë autorit. Për shembull, disa punëdhënës shohin ditarin elektronik të kandidatit kur shqyrtojnë ta marrin ose jo në punë.

 RRJETET SHOQËRORE

Çfarë janë? Site që u japin mundësi të rinjve të krijojnë një faqe Interneti dhe të vënë aty fotografi, filmime dhe blogun.

Pse janë tërheqëse? Krijimi i një faqeje Interneti dhe pasurimi i saj me informacione të ndryshme, i mundëson të riut të shprehë identitetin e vet. Rrjetet shoqërore u krijojnë mundësi të rinjve të takojnë shumë «miq» të rinj.

Çfarë duhet të dish? Një vajzë me emrin Joana thotë: «Siti i rrjetit shoqëror është si një festë në Internet. Aty mund të dalin njerëz goxha të frikshëm.» Të dhënat personale që vihen në rrjetet shoqërore mund të shfrytëzohen nga të rinj dhe të rritur mashtrues. Kështu specialistja për sigurinë në Internet, Perri Aftab, i quan këto site «supermarkete për maniakët seksualë».

Veç kësaj miqësitë në Internet në përgjithësi janë sipërfaqësore. Në faqet e tyre në Internet, disa të rinj kanë një listë të gjatë me emrat e atyre që mbajnë korrespondencë, por që nuk i kanë takuar kurrë. Këtë e bëjnë vetëm për t’iu dukur tipa të suksesshëm në shoqëri atyre që vizitojnë sitin e tyre. Në librin e saj «Brezi My Space» (anglisht), Kandisa Kelsei shkruan se çështja është që «gjykohet vlera e njeriut në shoqëri thjesht nga numri i njerëzve që e pëlqejnë, si të ishte aksion burse». Ajo shton: «Kjo mënyrë gjykimi, sikur ke të bësh me mallra tregu, i kthen fëmijët tanë në qenie jonjerëzore dhe ushtron mbi ta një presion të jashtëzakonshëm për t’u paraqitur në çfarëdolloj mënyre, mjaft që të fitojnë sa më shumë shokë.» Kështu, në librin «Ç’bëjnë vallë fëmijët tuaj në Internet?» bëhet një pyetje me vend: «Si t’ua bësh të qartë fëmijëve se duhet të kultivojnë mirëkuptimin dhe dhembshurinë kur bota elektronike u mundëson atyre të takojnë njerëz dhe t’u vënë vizën pa pikë ngurrimi?»

Këto gjashtë janë vetëm disa nga aktivitetet në Internet që i tërheqin sot të rinjtë. Nëse je prind, ç’mund të bësh për t’i mbrojtur fëmijët nga rreziqet e Internetit?

[Shënimi]

^ par. 12 Shumë site dhe organizata pro-ana pretendojnë se nuk e nxitin anoreksinë. Sidoqoftë, disa prej tyre e paraqesin atë si një mënyrë jetese që e zgjedh vetë dhe jo si një çrregullim. Forumet në këto site të mësojnë si të fshehësh peshën e vërtetë dhe si t’ua fshehësh prindërve se ke çrregullime në zakonet e të ngrënit.

[Diçitura në faqen 4]

Në Indi, numri i përdoruesve të Internetit është rritur vrullshëm: 54 për qind vetëm në një vit. Kjo ka ardhur kryesisht nga të rinjtë

[Diçitura në faqen 7]

«Prindi mund ta shohë kamerën e lidhur me Internetin si një mënyrë që fëmija të komunikojë lehtë dhe pa shumë shpenzime me shokët ose të afërmit, por një maniak e sheh si një dritare të hapur për të parë në dhomën e fëmijës.»​—Robert S. Myler III, drejtor i Byrosë Federale të Hetimeve (FBI)