Bizoni i Evropës shpëton për një fije

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË POLONI

Gjuetarët s’i mbante vendi. Kishin rënë në gjurmët që po kërkonin. U dhanë këmbëve dhe ja, më në fund ua zuri syri. Kishte gëzof kafe të errët, mjekër thuajse të zezë. Në majë të kokës dukeshin brirët e mprehtë të kthyer lart. Mishi dhe lëkura e tij aq të kërkuara do t’ua mbushnin xhepat me para gjuetarëve.

Me të shtënën e parë e plagosën. Kafsha ia mbathi drejt pyllit se mos gjente shpëtim, por më kot. Me të shtënën e dytë qëlluan në shenjë dhe krijesa gjysmëtonëshe u plandos përdhe. Gjuetarëve s’u shkonte ndër mend që sapo kishin shkruar një faqe të historisë. Ishte prilli i vitit 1919 dhe ata porsa kishin vrarë të fundit bizon evropian të fushës që rritej i lirë në Poloni. Fatmirësisht, në atë kohë gjeje ende bizonë nëpër kopshte zoologjike dhe në prona private.

NË FILLIM, në pjesën më të madhe të Evropës shihje plot bizonë evropianë (Bison bonasus). Mashkulli i rritur peshon deri në 900 kilogramë dhe lartësia te supet mund të arrijë deri në dy metra. Këta gjitarë të mëdhenj janë quajtur perandorët e pyllit.

Një karakteristikë që bie në sy te bizoni është që pjesën e përparme e ka më të madhe se të prapmen. Shpatullat janë të gjera e mbi to rëndon një gungë e theksuar, kurse pjesa e prapme është e vogël në krahasim me to. Ajo është e mbuluar me qime të shkurtra, ndërsa pjesa e përparme është e veshur me qime të gjata e të dendura dhe ka një mjekër.

Mbijetesa në rrezik

Sipas llogaritjeve, sot kanë mbetur vetëm pak mijëra bizonë të Evropës. Bujqësia dhe shpyllëzimi u grabitën bizonëve vendbanimet natyrore dhe gjuetarët e paligjshëm i ndoqën këmba-këmbës pa mëshirë. Në shekullin e tetë, bizoni i Evropës ishte zhdukur në Gali (Franca dhe Belgjika e sotme).

Në shekullin e 16-të, mbretërit e Polonisë morën masa për ta mbrojtur këtë lloj. Ndër mbretërit e parë që u hodhën në veprim ishte Sigismundi II August, që dekretoi se vrasja e bizonit të Evropës ishte krim që dënohej me vdekje. Pse? Dr. Zbignjev Krashinski i Parkut Kombëtar të Bjauovjezhës tha: «Synimi ishte të mbroheshin këto kafshë, që të shërbenin si trofe gjuetie vetëm për sundimtarët dhe  oborrtarët e tyre.» Me gjithë dënimin e rëndë, ligjet nuk e mbrojtën dot bizonin e egër dhe, nga fundi i shekullit të 18-të, bizoni evropian jetonte vetëm në pyllin e Bjauovjezhës (Poloni Lindore) dhe në Kaukazi.

Më në fund, në shekullin e 19-të, gjërat morën kthesë për mirë. Kur Perandoria Ruse aneksoi pyllin e Bjauovjezhës, perandori Aleksandri I nxori urdhrin që të mbrohej bizoni i Evropës. Rezultatet u panë shpejt. Popullata e bizonëve shtohej paprerë dhe në vitin 1857, gati 1.900 bizonë të Evropës jetonin nën mbrojtjen e shtetit. Më vonë u ngritën pika ushqimi që bizonët të kishin për të ngrënë gjatë dimrit. Gjithashtu, u zgjodhën me kujdes vendet ku do të hapeshin gropa uji dhe ku do të pritej bimësia për të kultivuar bimë si ushqim.

Por mjerisht, kohët e mbara për bizonët morën fund shpejt. Brenda 60 vjetësh, numri i tyre u përgjysmua. Goditja përfundimtare për bizonët që rriteshin të lirë në Poloni, erdhi me shpërthimin e Luftës I Botërore. Gjermania nxori një dekret që «këta bizonë të mbroheshin si monument i pashoq natyror për brezat e ardhshëm». Prapëseprapë, ushtria gjermane që po tërhiqej, luftëtarët e rezistencës ruse dhe gjuetarët e paligjshëm që s’u shqiteshin, bënë kërdinë në kopetë e bizonëve. Siç u tha në fillim të artikullit, në vitin 1919 u vra edhe bizoni i fundit evropian në Poloni.

Del nga gremina e harresës

Mes përpjekjeve për të shpëtuar këtë kafshë, më 1923-shin u themelua Shoqata Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Bizonit të Evropës. Synimi i saj kryesor ishte të llogariste numrin e bizonëve me gjak të pastër që nuk jetonin të lirë në natyrë. * U pa se në kopshtet zoologjike anembanë botës kishin mbetur 54 bizonë evropianë fushe të racës së pastër. Mirëpo, jo të gjithë ata mund të përdoreshin për ndërzim. Disa ishin tepër të vjetër e disa të tjerë i kishin vënë poshtë sëmundjet. Së fundi, u zgjodhën 12 prej tyre për të shtuar bizonët. Vetëm 5 nga këta janë paraardhës të të gjithë bizonëve evropianë të fushës që jetojnë sot.

Në vjeshtën e vitit 1929 dy bizonë evropianë të fushës u kthyen triumfues në gjirin e natyrës. Ata i vunë në një rezervat të përgatitur enkas për ta në pyllin e Bjauovjezhës. Pas dhjetë vjetësh numri i tyre arriti në 16.

A i shpëtoi zhdukjes?

Në fillim të shekullit të 21-të, anembanë botës kishte rreth 2.900 bizonë evropianë. Afro 700 prej tyre gjendeshin në Poloni. Me kalimin e viteve u krijuan kope bizonësh edhe në Bjellorusi, Kirgizistan, Lituani, Rusi dhe Ukrainë.

Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se bizoni i Evropës është jashtë rrezikut. Parazitët, sëmundjet, mungesa e ushqimit dhe e ujit, si dhe gjuetarët e paligjshëm janë ende një kërcënim për ta. Problem serioz përbëjnë edhe defektet gjenetike. Këto vijnë ngaqë fondi gjenetik i bizonëve është i kufizuar dhe jo i larmishëm. Për këto arsye, bizoni i Evropës ndodhet akoma në Listën e Kuqe, ku renditen kafshët dhe bimët e rrezikuara në mbarë tokën.

Falë vendosmërisë së njeriut për ta mbrojtur, kjo kafshë ka mbijetuar gjer më sot. Gjithsesi, dr. Krashinski, i cituar më sipër, na kujton se «fati i bizonit të Evropës vlen si shembull që tregon se si mund ta çosh një lloj buzë zhdukjes brenda një kohe fare të shkurtër, por sa përpjekje duhen pastaj për ta shpëtuar». E ardhmja e kësaj kafshe, si edhe e shumë të tjerave, mbetet e pasigurt. Por, tani për tani, perandorët e pyllit i kanë shpëtuar zhdukjes.

[Shënimi]

^ par. 13 Ekzistojnë dy nënlloje të bizonit evropian: bizoni i fushës dhe bizoni i malit ose kaukazian. Bizoni i fundit kaukazian ngordhi në vitin 1927. Gjithsesi, para kësaj një bizon mali mashkull u çiftua me bizonin e fushës dhe la pasardhës hibridë. Ende ka një numër të vogël nga kjo racë e përzier bizonësh kaukazianë.

 [Figurat në faqen 10]

Bizoni i Evropës në Parkun Kombëtar të Bjauovjezhës

[Burimi]

Të gjitha fotografitë: Białowieski Park Narodowy