Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Atje ku lumi rrjedh mbrapsht

Atje ku lumi rrjedh mbrapsht

 Atje ku lumi rrjedh mbrapsht

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË KAMBOXHIA

A KENI parë ndonjëherë një lumë të rrjedhë mbrapsht? Po ndonjë pyll që gjysmën e vitit fshihet nën ujë? A e dini se ka njerëz që jetojnë në shtëpi pluskuese, të cilat duhen zhvendosur kur uji zhduket? A ju duket e pamundur? Ka mundësi të ndërroni mendje pas një vizite në Kamboxhia gjatë musoneve ose stinës së shirave.

Çdo ditë, që nga mesi i majit deri në tetor, qielli i kthjellët i mëngjesit nxihet dhe pasdite shkarkon shi me gjyma. Shiu derdhet rrëke mbi tokat e zhuritura e tërë pluhur dhe lumenjtë fryhen e dalin nga shtrati.

Pse rrjedh mbrapsht?

Hidhini një sy hartës djathtas. Vini re vendin ku lumi madhështor i Mekongut takohet me lumin Tonle-Sap. Ujërat përzihen dhe shpejt ndahen në degën kryesore të Mekongut dhe në lumin Basak. Më tej ata vazhdojnë drejt jugut, nëpër Vietnam, dhe formohet kështu delta gjigante e Mekongut.

Pak pasi fillon stina e shirave, zonat e ulëta të deltës përmbyten. Shkulmat e ujit mbushin plot e përplot degët e lumit të thara nga stina e shkuar. Me vazhdimin e musoneve, lumi Tonle-Sap sprapset e nis të rrjedhë drejt veriut, në vend që të ndjekë rrjedhën e tij të zakonshme drejt jugut. Kështu lumi që gufon rrjedh mbrapsht, derisa derdhet në liqenin Tonle-Sap.

Ky liqen gjendet në një rrafshinë jo shumë të lartë, rreth 100 km larg Pnom-Penit, kryeqytetit të Kamboxhias. Gjatë stinës së thatë, sipërfaqja e liqenit është afro 3.000 km katrorë. Megjithatë, gjatë stinës së lagësht ujërat fryhen dhe sipërfaqja rritet katërfish a pesëfish. Kështu ky liqen shndërrohet në liqenin më të madh me ujë të ëmbël në Azinë Juglindore.

Orizoret, rrugët, fshatrat dhe zonat që dikur mbuloheshin nga pemët, tani varrosen nën ujë. Peshkatarët që më parë vozitnin në ujëra me thellësi vetëm 1 metër, tani lundrojnë qetësisht mbi majat e pemëve 10 metra të larta. Gjetkë një përmbytje kaq e madhe, zakonisht shihet si katastrofë, por banorët e Kamboxhias shpesh e quajnë bekim. Pse?

Kur përmbytja është bekim

Kur lumi Tonle-Sap rrjedh mbrapsht, depozitohen shtresa me lym pjellor në liqenin Tonle-Sap. Një mori peshqish vijnë në liqen nga lumi Mekong dhe shumohen në këtë mjedis të pasur me ushqim. Liqeni Tonle-Sap është ndër më të pasurit në botë me peshq të ujërave të ëmbla. Pas stinës së lagësht, liqeni boshatiset kaq shpejt, saqë nganjëherë peshkatarët i mbledhin peshqit nga pemët.

Kjo përmbytje e përvitshme krijon një ekosistem dinamik. Pemët dhe bimët e tjera që ndodhen në rrafshinën e përmbytur kanë një cikël të ndryshëm nga bimësia në zonat e papërmbytura. Zakonisht pemët tropikale rriten ngadalë dhe i rrëzojnë gjethet gjatë stinës së thatë, kurse gjethnajën e re e lëshojnë gjatë stinës së lagësht. Krejt ndryshe nga këto, pemët në rajonin e Tonle-Sapit nuk i rrëzojnë gjethet pa u mbuluar nga shirat e përmbytjes. Veç kësaj, në vend që të përshpejtohet, rritja ngadalësohet gjatë stinës së lagësht. Pasi bie niveli i ujërave dhe fillon stina e thatë, nga degët shpërthejnë sythet dhe gjethet rriten shpejt. Kur liqeni boshatiset, toka mbulohet me një shtresë gjethesh që dekompozohen, e cila ushqen pemët dhe bimët e tjera gjatë stinës së thatë që vijon.

Shtëpi mbi ujë

Ç’mund të themi për njerëzit? Disa banorë të liqenit i ndërtojnë shtëpitë e tyre të vogla  mbi shtylla druri. Gjatë stinës së thatë këto shtëpi janë rreth 6 metra mbi tokë. Por në kulmin e përmbytjes, varkat e peshkimit dhe govatat e mëdha metalike, që përdoren nganjëherë për të transportuar fëmijët, i lidhin tamam në pragun e shtëpisë.

Banorë të tjerë të liqenit jetojnë në një lloj barke-shtëpi, pasi i ndërtojnë shtëpitë e tyre mbi platforma pluskuese. Kur familja rritet, shtohet një platformë tjetër dhe shtëpia zgjerohet. Ka rreth 170 fshatra pluskuese në liqen.

Ditën, pleq e të rinj i gjen mbi ujë teksa peshkojnë me rrjeta e mjete të tjera. Ndërkohë që niveli i ujit ngrihet ose bie, shtëpitë, madje fshatra të tëra, mund të zhvendosen me kilometra në mënyrë që të rrinë afër bregut të ri ose të shkojnë në zona peshkimi më të frytshme.

Kanoet e gjata bëhen dyqane ushqimesh ose tregje pluskuese dhe plotësojnë nevojat e përditshme të njerëzve. Ato madje shërbejnë edhe si autobusë. Fëmijët shkojnë në një shkollë pluskuese. Aty ku lumi rrjedh mbrapsht, gjithçka—që nga bimët e deri te njerëzit—jeton sipas ritmit të ujit.

[Harta në faqen 23]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Stina e thatë

Stina e lagësht

KAMBOXHIA

Liqeni Tonle-Sap

Lumi Tonle-Sap

Lumi Mekong

PNOM-PEN

Lumi Basak

Delta e Mekongut

VIETNAM

[Figura në faqen 23]

Një djalë vozit në lumin Tonle-Sap

[Figurat në faqen 23]

I njëjti fshat gjatë stinës së thatë dhe asaj të lagësht

[Burimet e figurave në faqen 23]

Harta: bazuar në pamje nga NASA/​Visible Earth; fotografitë e fshatit: FAO/​Gordon Sharpless