«Bibla është libri më i përhapur në histori.»The World Book Encyclopedia.

MË SHUMË se 550 vjet më parë, gjermani Johan Gutenberg shpiku makinën e shtypit me shkronja të lëvizshme. Libri i parë i rëndësishëm që u shtyp në të, ishte një Bibël. * Që atëherë janë botuar miliarda e miliarda libra për çfarëdolloj teme të imagjinueshme. Por s’ka dyshim që Bibla është më i veçanti ndër gjithë librat.

  • Janë botuar më shumë se 4,7 miliardë Bibla (komplet ose pjesë të saj). Kjo shifër e tejkalon pesëfishin e kopjeve të botuara të librit Citate, libri i vogël i kuq i Mao Ce Dunit, që vjen i dyti për nga shpërndarja.
  • Më shumë se 50 milionë kopje të Biblës ose pjesëve të saj u shpërndanë vetëm në një nga vitet e fundit. Në një artikull të revistës The New Yorker thuhet: «Çdo vit, Bibla renditet si libri më i shitur.»
  • Bibla komplet ose pjesërisht është përkthyer në më shumë se 2.400 gjuhë. Të paktën një pjesë e Biblës është botuar në gjuhët që fliten nga më se 90 për qind e familjes njerëzore.
  • Pothuajse gjysma e shkrimtarëve të Biblës i përfunduan shkrimet para lindjes së Konfucit, të urtit të shquar kinez, dhe Sidhartha Gautamës, themeluesit të budizmit.
  • Bibla ka pasur një ndikim të thellë tek artet e bukura, përfshirë disa nga veprat më të famshme botërore në pikturë, muzikë dhe letërsi.
  • Bibla është ndaluar nga qeveritë e ndryshme, është përballur me sulmet e kritikëve dhe kopje të saj janë djegur nga kundërshtarët fetarë. Asnjë libër në histori nuk ka hasur një kundërshtim më të ashpër se ajo, e prapëseprapë të ketë mbijetuar.

Faktet e lartpërmendura janë mjaft mbresëlënëse, apo jo? Sigurisht, vetëm statistikat dhe hollësitë interesante nuk provojnë se Bibla është e besueshme. Në vijim do të shqyrtojmë pesë arsye përse miliona njerëz janë të bindur se Bibla është e denjë për besim.

^ par. 3 Bibla e Gutenbergut ishte një përkthim në latinisht që përfundoi rreth vitit 1455.