‘Mos i beso aspak dërrasat e kalbura’,—shkroi dramaturgu anglez Uilliam Shekspir. Vërtet, para se të hipnit në një varkë të drunjtë, do të siguroheshit që të mos i kishte dërrasat të kalbura.

FJALËT e Shekspirit i bëjnë jehonë asaj që tha rreth 3.000 vjet më parë Solomoni, një mbret i mençur në Izraelin e lashtë: «Budallai i beson çdo fjale, por njeriu i matur tregon kujdes të veçantë për hapat e tij.» (Proverbat 14:15; Diodati i Ri) Po, vetëm një budalla do të ecte qorrazi në jetë, duke besuar çdo gjë që dëgjon e duke i bazuar vendimet dhe veprimet e tij në këshilla pa vlerë ose në mësime të pabaza. Po ta mbështetim besimin aty ku s’duhet, që do të ishte njësoj si të shkelnim në dërrasa të kalbura, pasojat do të ishin shkatërrimtare. Ndoshta pyetni veten: ‘A ka ndonjë burim udhëzimesh që ia vlen vërtet t’i besojmë?’

Miliona njerëz anembanë botës kanë besim të plotë te një libër i lashtë—Bibla e Shenjtë. Ata mbështeten te ky libër për të drejtuar hapat në jetë. I bazojnë vendimet në këshillat e saj dhe veprojnë sipas mësimeve të saj. A mund të thuhet se këta njerëz po shkelin në dërrasa të kalbura? Përgjigjja e kësaj pyetjeje varet shumë nga përgjigjja e një pyetjeje tjetër: a ka arsye të forta për të besuar te Bibla? Ky numër special i revistës Zgjohuni! do të shqyrtojë provat.

Ky numër i Zgjohuni! nuk ka si qëllim t’ju imponojë bindje ose pikëpamje fetare. Por synimi është të paraqesë prova të forta që kanë bindur miliona veta se ia vlen t’i besojnë Biblës. Pasi të lexoni artikujt në vijim, mund të vendosni vetë nëse Bibla është e denjë për besimin tuaj.

Kjo çështje meriton më tepër sesa thjesht një interes sipërfaqësor. Në fund të fundit, nëse Bibla është vërtet një burim i besueshëm që jep drejtim nga Krijuesi ynë, atëherë keni një detyrim ndaj vetes dhe njerëzve që doni, të shqyrtoni atë çka thotë ajo.

Por, së pari, le të përmendim disa fakte mjaft mbresëlënëse rreth Biblës. Pa dyshim, ajo është vërtet një libër i pashoq.