Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Fëmijë të terrorizuar

Fëmijë të terrorizuar

Kur bie muzgu, sheh fëmijë këmbëzbathur që ecin në rrugët e Ugandës Veriore. Janë me mijëra. Ata braktisin fshatrat para se të bjerë nata dhe shkojnë drejt qyteteve më të mëdha, siç janë Guluja, Kitgumi dhe Lira. Me të mbërritur atje, shpërndahen nëpër ndërtesa, stacione autobusësh, parqe dhe oborre. Kur lind dielli, i sheh përsëri rrugëve, duke u kthyer në shtëpi. Ç’është kjo rutinë kaq e pazakontë?

DISA njerëz, i quajnë këta fëmijë punëtorë të natës. Por ata nuk po shkojnë në turnin e tretë. Në buzëmbrëmje ia mbathin nga shtëpia, sepse kur errësira mbulon pyllin, shtëpia bëhet një vend i rrezikshëm.

Për pothuajse dy dekada, forcat guerilase kanë mësyrë në zonat fshatare dhe kanë rrëmbyer fëmijë. Çdo vit, ata grabitin qindra djem e vajza nga shtëpitë e tyre dhe pastaj zhduken në xhunglën e dendur. Zakonisht fëmijët i rrëmbejnë natën dhe i çojnë për të furnizuar rebelët me një kontigjent ushtarësh, hamejsh dhe skllavesh që do të shfrytëzohen seksualisht. Nëse fëmijët e robëruar nuk do t’u binden, rrëmbyesit mund t’u presin hundën ose buzët. Kurse ata që përpiqen t’ia mbathin, i pret një vdekje aq e tmerrshme sa nuk përshkruhet dot me fjalë.

Por ka edhe të tjera viktima të vogla të terrorizmit. Adoleshentët e gjymtuar në Sierra-Leone ishin ende foshnja dhe sapo kishin hedhur hapat e parë, kur burra që vringëllinin hanxharët u prenë duart e këmbët. Në Afganistan, djem e vajza luajnë me mina në formë fluture, dhe humbin gishtërinjtë e sytë kur këto «lodra» shumëngjyrëshe shpërthejnë.

Disa fëmijë, viktima të terrorizmit, përfundojnë ndryshe. Kështu, në vitin 1995, gjatë një sulmi terrorist në qytetin e Okllahomës, SHBA, ndër 168 viktimat e vrara, 19 ishin fëmijë, disa prej të cilëve ende foshnja. Ashtu si një shakullinë ere fik flakën regëtuese të qirinjve, po kështu bomba shuajti sa hap e mbyll sytë jetën e atyre njomëzakëve. Ky akt terrorist u grabiti të drejtën për të qenë fëmijë, të drejtën për të luajtur, për të qeshur dhe për të ndjerë përqafimin e nënës e të babait.

Këto janë ngjarje të vonshme, por siç do të shohim, dhuna e terrorizmit e ka plagosur njerëzimin prej shekujsh.