A DO të donit që të gjitha luftërat të merrnin fund? Sigurisht që duhet të ketë ndonjë zgjidhje diplomatike për konfliktet kombëtare dhe ndërkombëtare. Shumë veta mendojnë se në qoftë se udhëheqësit botërorë do të bashkëpunonin me njëri-tjetrin, lufta mund të zhdukej një herë e mirë. Megjithatë, ka të ngjarë që të jeni të zhgënjyer nga rezultatet e arritura nga diplomacia. Për shekuj të tërë diplomatët kanë nënshkruar traktate, kanë formuluar rezoluta e kanë mbajtur mbledhje të nivelit të lartë, por pak çështje janë zgjidhur një herë e mirë.

Bibla mund të na thotë shumë gjëra për diplomacinë dhe paqen. Ajo u përgjigjet këtyre pyetjeve: Cilët janë faktorët që e pengojnë sot diplomacinë të arrijë paqen? A duhet të përfshihen të krishterët në diplomaci? Si do të arrihet paqja e vërtetë?

Çfarë e pengon paqen?

Disa tregime të Biblës ilustrojnë se si takimi ballë për ballë mund të çojë drejt paqes. Për  shembull, me zotësi Abigaila e bindi Davidin dhe ushtrinë e tij që të mos hakmerreshin kundër familjes së saj. (1 Samuelit 25:18-35) Jezui bëri ilustrimin e një mbreti, të cilit rruga më e mirë i dukej të dërgonte ambasadorë që të kërkonin paqe. (Luka 14:31, 32) Po, Bibla e pranon se disa forma të diplomacisë mund të zgjidhin konflikte. Po atëherë, përse bisedimet për paqen shpesh nuk kanë sukses?

Bibla e paratha me saktësi se ditët tona do të ishin kohë të vështira. Për shkak të ndikimit të lig të Satana Djallit, njerëzit nuk do të ishin «të gatshëm për asnjë marrëveshje», por do të ishin «të egër, pa dashuri për mirësinë, tradhtarë, kokëkrisur, të krekosur». (2 Timoteut 3:3, 4; Zbulesa 12:12) Përveç kësaj, Jezui profetizoi se fundi i sistemit të tanishëm botëror do të karakterizohej nga ‘luftëra dhe lajme luftërash’. (Marku 13:7, 8) Kush mund ta mohojë se këto gjëra po përhapen gjithnjë e më shumë? Kur është kështu puna, a duhet të habitemi që përpjekjet për paqe mes kombeve dështojnë shpesh?

Mendoni edhe për këtë: ndërkohë që diplomatët mund të përpiqen shumë për të shmangur konfliktet, secili ka si synim kryesor që të çojë përpara interesat e kombit të vet. Kjo është motoja që udhëheq diplomacinë në politikë. A duhet të përfshihen të krishterët në çështje të tilla?

Pavarësisht nga motivet e tyre, diplomatët e botës nuk kanë as aftësinë dhe as fuqinë për të gjetur zgjidhje të përhershme

Të krishterët dhe diplomacia

Bibla këshillon: «Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë.» (Psalmi 146:3) Kjo do të thotë se pavarësisht nga motivet e tyre, diplomatët e botës nuk kanë as aftësinë dhe as fuqinë për të gjetur zgjidhje të përhershme.

Kur ishte në gjyq para Ponc Pilatit, Jezui tha: «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote. Po të ishte mbretëria ime pjesë e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të kishin luftuar që unë të mos u dorëzohesha judenjve. Por ja që mbretëria ime nuk është prej këtej.» (Gjoni 18:36) Planet për paqen shpesh ndikohen nga urrejtja nacionaliste dhe egoizmi politik. Prandaj, të krishterët e vërtetë nuk përfshihen në konfliktet e kësaj bote dhe në përpjekjet e diplomacisë.

A do të thotë kjo që të krishterët janë indiferentë dhe nuk interesohen fare për çështjet botërore? A janë ata të pandjeshëm ndaj vuajtjeve të njerëzve? Jo. Përkundrazi, Bibla i përshkruan adhuruesit e vërtetë të Perëndisë si individë që «psherëtijnë dhe vajtojnë» për gjërat e këqija që ndodhin përreth tyre. (Ezekieli 9:4) Thjesht, të krishterët i varin shpresat te Perëndia, që ai të sjellë paqe siç ka premtuar. Por, a nënkupton për ju paqja që thjesht të mos ketë më luftëra? Patjetër që Mbretëria e Perëndisë do ta bëjë këtë. (Psalmi 46:8, 9) Por përveç kësaj, ajo do të sjellë një siguri të plotë dhe mirëqenie për të gjithë banorët e tokës. (Mikea 4:3, 4; Zbulesa 21:3, 4) Një paqe e tillë e pakrahasueshme nuk mund të arrihet në sajë të diplomacisë ose të përpjekjeve të organizatave njerëzore «paqeruajtëse».

Profecitë biblike dhe historia tregojnë qartë se po të besojmë që diplomacia njerëzore do të sjellë paqen, vetëm sa do të zhgënjehemi. Ata që i varin shpresat për paqe te Jezu Krishti dhe e përkrahin Mbretërinë e Perëndisë do të shohin që dëshira e tyre për paqe të vërtetë do të bëhet realitet. Për më tepër, ata do ta gëzojnë paqen përgjithmonë!Psalmi 37:11, 29.