Finlandë

Mësimdhënie

Vepra baritore

Predikim

Në organizatën tonë nuk ka një klasë kleri që paguhet. Përkundrazi, emërohen mbikëqyrës të kualifikuar ‘që të kullotin kongregacionin e Perëndisë’, njësoj siç ndodhi kur u formua kongregacioni i hershëm i krishterë. (Veprat 20:28) Këta pleq janë të krishterë të pjekur që marrin drejtimin në kongregacion dhe e kullotin «jo me detyrim, por vullnetarisht, as për fitim të pandershëm, por me gatishmëri». (1 Pjetrit 5:1-3) Çfarë pune bëjnë për dobinë tonë?

Kujdesen për ne dhe na mbrojnë. Pleqtë japin drejtim dhe e ndihmojnë kongregacionin të ruajë një marrëdhënie të fortë me Jehovain. E dinë mirë se këtë rol të rëndësishëm ua ka besuar Perëndia dhe nuk sundojnë mbi popullin e tij, përkundrazi, ndihmojnë që të kemi më shumë gëzim e mirëqenie. (2 Korintasve 1:24) Ashtu si një bari që kujdeset gjithë merak për çdo dele të tij, pleqtë përpiqen të njohin çdo pjesëtar të kongregacionit.—Proverbat 27:23.

Na mësojnë si të bëjmë vullnetin e Perëndisë. Çdo javë, pleqtë drejtojnë mbledhjet e kongregacionit që të na forcojnë besimin. (Veprat 15:32) Këta burra të përkushtuar marrin drejtimin edhe në veprën e ungjillëzimit, duke punuar krah nesh e duke na stërvitur në të gjitha aspektet e shërbimit.

Na japin zemër personalisht. Pleqtë e kongregacionit kujdesen që secili nga ne të forcojë marrëdhënien me Jehovain. Prandaj mund të na vijnë në shtëpi ose të na takojnë në Sallën e Mbretërisë që të na ndihmojnë e ngushëllojnë nga Shkrimet.—Jakovi 5:14, 15.

Përveç shërbimit që kryejnë në kongregacion, shumica e pleqve janë në punë dhe kanë përgjegjësi familjare që kërkojnë kohën e vëmendjen e tyre. Këta vëllezër të papërtuar meritojnë respektin tonë.—1 Selanikasve 5:12, 13.

  • Ç’rol luajnë pleqtë në kongregacion?

  • Në ç’mënyra interesohen pleqtë për secilin nga ne?